MPJ nuk e shkarkon Selimin prej pozitës së ambasadorit

Ministria e Punëve të Jashtme duket se nuk do të iniciojë shkarkimin e Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimit, i cili është paraburgosur të premten mbrëma nën dyshime për krime lufte.
Burime të Express kanë thënë se Qeveria e Kosovës beson se dyshimet e evropianëve mbi ambasadorin Selimi janë të pabaza dhe se janë të bindur se ky proces nuk do të zgjasë shumë.
“Ne besojmë në pafajësinë e z. Selimi dhe gjithë të tjerëve që po akuzohen për krime lufte. Prandaj, nuk është në agjendë njëherë shkarkimi i z. Selimi. Ne presim që gjithçka të përmbyllet shpejt dhe ai t’i kthehet punëve diplomatike”, ka thënë një zyrtar i MPJ-së për Expres.
Zyrtarisht, të dielën kontakti me zyrtarët e MPJ-së ka qenë i pamundur.
Ligji për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës, respektivisht neni 25, thotë se shefi i ndonjë misioni mund të shkarkohet në rast se ai dënohet me vendim të prerë për ndonjë vepër penale nga Gjykata. Përderisa pezullimi nga misioni vlen edhe për nëpunësit të cilët janë nën hetime për vepra penale.
Shkarkimi i ambasadorëve, sipas ligjit, iniciohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, kurse për të vendos Presidenti i Republikës./Indeksonoline./