E Shtunë, 31 Tetor 2026

ORA mund të shkrihet në LDK

Partia Reformiste ORA është duke shqyrtuar mundësinë e bashkimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Liderja e ORA-s, Teuta Sahatqija, i ka thënë Radio Kosovës se në mesin e ofertave të partive politike, ftesa e LDK-së është më seriozja dhe se ajo është duke u shqyrtuar.

Sahatqija tha se vendimi do të merret pasi që të mblidhet Kuvendi i ORA-s dhe aty të votohet në anëtarësi çështja e kalimit në LDK. “Ne kemi ofertë jo vetëm prej LDK-së, por edhe prej partive të tjera. Mund të them se oferta është jashtëzakonisht serioze. Ne jemi duke shqyrtuar këtë ofertë dhe vendimi definitiv do të merret pasi të vendoset nga anëtarësia përmes votimit. ORA është parti e funksionimit të demokracisë. Oferta po shqyrtohet dhe nuk kemi nevojë të ngutemi”, tha Sahatqija.

Ndërsa në LDK kanë thonë se kjo parti i ka bërë ftesë ORA-s dhe partive që kanë program të ngjashëm politik që t’i bashkohen. Sipas Vehbi Miftarit, nga LDK, kjo parti pret së shpejti përforcime me parti dhe figura të ndryshme politike nga partitë tjera. “Ne i kemi bërë ofertë ORA-s dhe partive të tjera që kanë program të përafërt me LDK-në. Ne presim jo vetëm partia ORA, por edhe parti dhe personalitete të tjera t’i bashkohen së shpejti LDK-së. Unë mendoj që ka vullnet për këtë”, tha Miftari.

Partia Reformiste ORA është themeluar në vitin 2004 nga publicisti Veton Surroi. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2004 kjo parti kishte arritur të siguronte 5 ulëse në Parlamentin e Kosovës. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2007, ORA nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind. Kjo kishte bërë që themeluesi, Surroi, të jepte dorëheqje dhe të largohej nga partia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›