MPPTT: Tuneli i Thirrës hapet më 15 maj
Tunel jugor i Thirrës, në segmentin Rrëshen- Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë do të jetë gati më 15 maj. Zëvendësministri i Punëve Publike, Ernest Noka tha se tuneli jugor do të hapet me 15 maj, ndërsa punimet në atë verior do të vijojnë. Tuneli i Thirrës u mbyll në fillim të muajit tetor të vitit që lamë pas. MPPTT-ja njoftoi se tuneli i Thirrës, në segmentin Rrëshen-Kalimash, të autostradës Durrës-Kukës-Morin, do të mbyllet për shkak të vijimit të punimeve për instalimin e pajisjeve elektro-mekanike. Në njoftimin e MPPTT-së thuhej se, "tuneli do të mbyllet me qëllim që t'i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar për të cilën kontraktori po punon në vijimësi". Pas mbylljes së tunelit, kalimi i mjeteve devijoi përmes aksit të vjetër rrugor, në drejtimin Morin-Kukës-Shpal-Rreps-Rrëshen-Milot dhe anasjelltas. Autostrada Durrës-Kukës-Morinë, 170 kilometra e gjatë, që u vu në punë në 25 qershor 2009, shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa rriti ndjeshëm qarkullimin e njerëzve dhe të mjeteve në sezonin veror. Pjesë e autostradës Durrës-Morin është dhe tuneli Thirrë-Kalimash, në segmentin Rrëshen-Kalimash. Tuneli i hapur në një masiv shkëmbor, ka dy hyrje veriore dhe jugore, me gjatësi 5.6 kilometra secila. Ndërtimi i kësaj autostrade përfshiu përveç dy tuneleve paralele me nga 5.5 km gjatësi edhe 29 ura. Afro 4.5 km rrugë është mbi ura dhe struktura deri në 80 m lartësi. E gjithë kjo vepër inxhinierike u ndërtua nga kompania amerikano- turko “Bechtel & Enka”.
Shtohen prurjet në HEC-et mbi Drin, METE bëhet gati për shkarkimet
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës publikoi dje të dhënat më të fundit të kuotave, prurjeve të ujit në hidrocentralet kryesore të vendit si dhe prodhimit e shitjes së energjisë elektrike. Niveli i ujit në liqenin e HEC-it të Fierzës ishte dje 293.72 m, ndërsa prurjet llogariteshin në 500 m3/sekondë. Në HEC-in e Komanit niveli i ujit ishte 171.69 m, prurjet ishin 130 m3/sekondë. Në Vaun e Dejës niveli i ujit ka arritur në 75.28 m, ndërsa prurjet shënonin 30 m3/sekondë. METE bën të ditur se prodhimi ditor i energjisë elektrike llogaritet në 28.86 milion kë/h, konsumi 22.45 milionë kë/h, ndërsa eksporti 14.4 milion kë/h. Aktualisht, ende 2800 hektarë tokë në zonat e nën-Shkodrës vijojnë të jenë të përmbytura prej përmbytjeve të përsëritura në dy muajt e parë të vitit 2010, në një kohë që edhe 143 shtëpi janë tërësisht të izoluara nga uji. Por nga ana tjetër prej më se 2 muajsh fermerët e Velipojës nuk mund të mbjellin tokën e tyre bujqësore, si pasojë e përmbytjeve të vazhdueshe. Uji ka mbuluar çdo pëllëmbë të tokës duke mos lënë asnjë mundësi për ta mbjellë atë, ndërsa fermerët duhet të mendojnë jo vetëm se si të sigurojnë prodhimet këtë vit, por edhe me çfarë të ushqejnë bagëtitë. Ata drejtojnë gishtin nga autoritetet që sipas fermerëve, kanë treguar indiferencë të plotë. Të gjitha rezervat ushqimore të ruajtura për të kaluar dimrin u dëmtuan duke thelluar kështu edhe problemet ekonomike në këto familje, për të cilat burimi i vetëm i të ardhurave është toka bujqësore. E njëjta situatë paraqitet në të gjithë zonën e nën Shkodrës.
11 Mars 2010