Meta do të zhvillojë vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Serbisë
Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, do të zhvillojë një vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Serbisë. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të dikasterit të Jashtëm, duke saktësuar se nesër Meta do të zhvillojë një vizitë zyrtare dyditore në Serbi, me ftesë të homologut të tij serb, Vuk Jeremiç. Bëhet me dijeni, ndër të tjera, se gjatë vizitës, veç bisedimeve zyrtare me Jeremiç, Meta do të zhvillojё takime të veçanta edhe me presidentin serb, Boris Tadiç, zv.kryeministrin pёr Integrimin Europian, Bozhidar Gjeliç, zv.kryeministrin Ivica Daçiç. si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Serbi. Në axhendën e vizitës do të jenë çështje të marrëdhënieve dypalëshe dhe të bashkëpunimit rajonal dhe ndёrkombёtar, ndërsa pritet tё nënshkruhen edhe marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve. Vizita zyrtare e Metës në Beograd është një tregues i qartë i prioritetit që politika e jashtme e Shqipërisë i jep zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve me vendet e rajonit në kuadër të përshpejtimit të perspektivës europiane për vendet tona.
11 Mars 2010