E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza greke shtrin pasojat, bien në minimum shitjet e shtëpive dhe pronave



Ervin KOÇI

Kriza greke ka nisur tashmë të japë pasojat e saj të një pas njëshme edhe në ekonominë shqiptare. Sektori i radhës ku pasojat e kësaj krize ekonomike po ndjehen është edhe ai i ndërtimit, ku vet ndërtuesit kanë dhënë alarmin për thëllimin e pasojave negative. Ata pranojnë se në sektorin e ndërtimit, si pasojë e mosdërgimit të të ardhurave nga emigrantët, në shumë qytete pallatet apartamentet e të cilëve ishin prenotuar nga qytetarë të ndryshëm, janë lënë pa u blerë. Sipas ndërtuesve, shitjet e pasurive të patundshme duket se janë në minimumin e tyre historik. Kriza në të cilën është përfshirë ekonomia jonë ka çuar drejt pezullimit të transaksioneve në tregun imobiliarë. Shoqata e Ndërtuesve ka dhënë dje shifra tronditëse, ku ka folur për dyfishim të apartamenteve të pashitura në rang vendi. Një tjetër arsye shumë e fortë sipas ndërtuesve është dhe mungesa e kreditimit nga ana e bankave të nivelit të dytë në vend, për klientët që i kërkojnë kreditë për blerje shtëpish. Por efekt të ndjeshëm ka dhënë edhe rënia e dërgesave të emigrantëve, situatë për të cilën ndërtuesit thonë se pritet të thellohet edhe më tej për shkak të krizës që ka përfshirë vendin fqinj, Greqinë.

Shqetësimi
Maksim Muçi drejtor i Shoqatës së Ndërtuesve shprehet se, janë rreth 8 mijë apartamente të pashitura në rang vendi, gati dyfish më shumë se në vitin 2008. Kjo ka bërë që kompanitë e ndërtimit të përballojnë situatën financiare me shumë vështirësi dhe me gjendjet që kanë pasur. Por kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjatë, pasi sipas një tjetër përfaqësuesi të ndërtuesve, Bumçit, tashmë jo vetëm firmat që punojnë në infrastrukturën publike, por edhe ato që ndërtojnë kopshte, çerdhe apo shkolla vijojnë të mos paguhen nga qeveria. Për qytetarët duket se nuk ka shumë shpresë që çmimet e apartamenteve të ulen ndjeshëm, pasi ato ndikojnë në situatën financiare të kompanive të ndërtimit. Agjentet në tregun imobiliar konfirmojnë këtë stopim të shitjeve të pasurive, që sipas tyre nuk është vërejtur më parë. Edhe pse kjo situate është shoqëruar me një ulje të lehtë të çmimeve për apartamentet, sërish qytetarët nuk kanë qenë të motivuar për të blerë. Përfaqësuesi i një agjencie imobiliare, shprehet se shitjet “në vitin 2010 blerjet kanë rënë me afro 18 për qind, krahasuar me vitin 2009 dhe kjo rënie nuk është reflektuar më parë”.

Kriza e emigrantëve
Edhe shpresa se emigrantët se do të ndikonin në këtë treg gjatë muajit të parë të vitit ka qenë e kotë, pasi të ardhurat e tyre ka qenë minimale. Në të gjithë këtë situatë ka pasur ndikim edhe efekti psikologjik, pasi të gjitha analizat tregojnë se viti 2010 do të jetë një vit i vështirë dhe ky fakt i ka stepur qytetarët të kryejnë blerje. Por nuk rezulton të jetë në këtë situatë tregu i qirave, i cili ka vijuar të tregojë një tendencë të qëndrueshme. Mungesa e shitjes se apartamenteve ka stimuluar qëndrimin me qira të qytetarëve. Emigrantët, sipas ekspertëve imobiliar, jo vetëm që nuk po blejnë më apartamente si më parë, por po nxitojnë t’i shesin edhe ato që kanë blerë. Bumi i pesë viteve të fundit duket se po bie ose më mirë “po shfryhet” si një tollombaze, për shkak të kërkesës së ulët për prona të paluajtshme. Emigrantët po sjellin më pak të ardhura në Shqipëri, duke ndikuar te tregu imobiliar. Agjenci të ndryshme në Tiranë por edhe në qytete të tjera raportojnë për një situatë krize në këtë sektor. Përfaqësuesit e agjencive imobiliare thonë se, tregu po hyn në krizë të vërtetë, me pak shitje dhe kryesisht veprime për qira. “Ajo që të bën përshtypje është fakti se, pavarësisht kërkesës së lartë për të shitur apartamentet e blera në vitet e fundit, emigrantët nuk para negociojnë për çmimin, në mënyrë që tregu të kishte një zhbllokim”,- thotë një ekspert pronash.

Çmimet
Përveç mungesës së parasë, tjetër shkak që i lë pronat stok të pa shitura janë çmimet e larta. Ajo që vihet re nga agjencitë imobiliare është fakti se çmimet vijojnë të jenë të larta, por me një ndryshim: kanë frenuar së rrituri. “Ndërsa situata po përkeqësohet, firmat e ndërtimit për shkak të vështirësive financiare nuk e shikojnë të favorshme që të bëjnë ndryshime në çmimet e apartamenteve që tregtojnë, pasi nuk do të justifikonin koston që ka pasur ndërtimi i tyre”,- shprehet një nga punonjësit e agjencive imobiliare. Këto të fundit nuk përcjellin aspak optimizëm për situatën e krijuar në treg dhe shprehen se e vetmja gjë që po ndihmon agjencitë të mbijetojnë janë qiratë, të cilat pavarësisht çmimeve të larta, kanë një kërkesë të lartë nga qytetarët.

11 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›