Tatimet, qeveria krijon Avokatin e Tatimpaguesve, në varësi të Ministrisë së Financave
Bizneset që paguajnë tatime më shumë sesa është xhiroja reale e tyre, së shpejti do të kenë një tjetër derë ku mund të trokasin për ankesat e tyre, dhe ky është Avokati i Tatimpaguesve. Ngritja e këtij institucioni të ri është miratuar dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore parashikojnë ngritjen e dy institucioneve të reja, siç është Avokati i Tatimpaguesve dhe Këshilli Konsultativ i Biznesit. Por që të dyja këto institucione, që parashikohen se do të merren me ankesat e subjekteve të ndryshme tatimpaguese, varen nga qeveria. Nuk bëhen të qarta kompetencat e Avokatit të Tatimpaguesve, por ajo që parashikohet në ligj është se ky institucion do të jetë në varësinë e Ministrisë së Financave, që vendos për taksat dhe tatimet. Në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë Berisha tha se ngritja e këtyre dy institucioneve vendoset në përputhje me kërkesat e prera të praktikës evropiane, të Komisionit Europian dhe kanë rëndësi për rritjen e transparencës në sistemin fiskal dhe modernizimin e tij.
Deklarata
“Avokati i Tatimpaguesve, që do të jetë i vendosur në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka për mision e detyrë të mbrojë të drejtat e tatimpaguesve nga arbitraritetet e tatimmbledhësve. Po kështu, edhe Këshilli Konsultativ Tatimor, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm në procesin e funksionimit të sistemit tatimor, të modernizimit të tij dhe rritjes së transparencës, do të shqyrtojë veprimtarinë tërësore, funksionimin e këtij sistemi, transparencën që ky sistem përdor në raport me tatimpaguesit. Pra, nga njëra anë është barra fiskale më e ulët, por, nga ana tjetër, duhet edhe barra burokratike më e ulët mbi shpatullat e tyre dhe ne po bëjmë çdo gjë për të lehtësuar veprimtarinë e bizneseve”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu njoftoi se një tjetër ndryshim në ligj është edhe plotësimi i deklaratës personale të të ardhurave për të gjithë qytetarët. Kryeministri Berisha theksoi se ajo vendoset në përputhje me kërkesat e praktikës europiane dhe të Komisionit Europian, mbi bazën e së cilës Ministria e Financave do t’u kthejë qytetarëve në fund të vitit taksat e tepërta që ata kanë paguar. “Ky dokument, që do ta quaja dokumenti i transparencës universale për të ardhurat e qytetarëve, i shton shumë detyrimet e Ministrisë së Financave dhe financave të vendit në tërësi ndaj qytetarëve. Mbi bazën e tij, ato do të detyrohen t’u paguajnë qytetarëve në fund të vitit të gjitha taksat e tepërta që kanë paguar, pasi qytetarët paguajnë taksa në çdo gjë që blejnë. Ata do të mbledhin faturat dhe në fund do të kenë të drejtë, në përputhje me të ardhurat e tyre, të marrin detyrimet që kanë paguar me tepricë”,- është shprehur kryeministri.
Avokati i Tatimpaguesve
Në bazë të ndryshimeve në ligj, Drejtoria e Avokatit tё Tatimpaguesve ka si funksion parësor sigurimin e informacionit dhe shqyrtimin e shqetёsimeve të tatimpaguesve, nё pёrmbushjen e detyrimeve tatimore. Avokati i Tatimpaguesve autorizohet tё investigojё tё gjitha kёrkesat e tatimpaguesve qё pёrmbajnё probleme tё administrimit tё tatimeve, si vonesa administrative tё paarsyeshme, gabime tё zyrtarёve tatimorё qё nuk janё zgjidhur nё mёnyrёn e duhur pas paraqitjes nga tatimpaguesi, mosrespektimi i procedurave tatimore apo shkelje të procedurave tatimore nga zyrtarёt tatimorë. Avokati i Tatimpaguesve, pasi shqyrton ankesat e tatimpaguesve në bashkëpunim me Drejtorinё e Kontrollit tё Brendshёm dhe me drejtori të tjera, garanton qё tatimpaguesit të trajtohen nё pёrputhje me dispozitat ligjore, dhe se tё drejtat e tyre mbrohen dhe respektohen nё mёnyrёn e duhur nga punonjёsit e administratёs tatimore. Por Avokati i Tatimpaguesve nuk ёshtё i autorizuar tё investigojё apo tё ndёrhyjё nё rastet pёr tё cilat tatimpaguesi ёshtё investiguar nga Drejtoria e Investigimit Tatimor apo nga Drejtoria e Investigimit tё Brendshёm. Avokati i Tatimpaguesve nuk autorizohet tё investigojё apo tё ndёrhyjё nё procesin e pёrcaktimit tё detyrimit tatimor apo pёr raste qё janё nё proces apelimi. Megjithatё, Avokati i Tatimpaguesve ёshtё i autorizuar tё investigojё dhe tё ndёrhyjё nёse procesi i vlerёsimit tё detyrimeve tatimore apo procesi i apelimit nuk kryhen nё pёrputhje me procedurat e vendosura nё ligj. Ndërsa Këshilli Tatimor është organ këshillimor që ngrihet pranë ministrit të Financave dhe bën ndërlidhjen mes Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe tatimpaguesve.
Këshilli Tatimor ka për qëllim diskutimin e problematikave dhe propozimin e masave, që do të bënin të mundur zbatimin e legjislacionit tatimor me një kosto më të ulët administrative për administratën tatimore dhe me një kosto më të ulët financiare për tatimpaguesit.
/////////////////////////////////////////////////////
Shkurt
Pas rekomandimeve të FMN-së, qeveria angazhohet në rritjen e pagave
“Ka dhe një vendim për pagat dhe më duhet të theksoj se pagat do të rriten, pensionet do të rriten. Qytetarët shqiptarë do ta kenë shumë të qartë zotimin para tyre, sa të na votojnë do të kenë rritje rrogash dhe pensionesh”, - është shprehur kryeministri Berisha dje gjatë mbledhjes së qeverisë. Reagimi i kryeministrit Berisha vjen pas rekomandimit të bërë dy ditë më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për reduktimin me 2% të shpenzimeve në përpjekje për të ulur deficitin buxhetor këtë vit nga 7% në 3%. Një formulë që sipas FMN-së do të çonte në reduktimin e borxhit publik nga 60% të Produktit të Brendshëm Bruto që është aktualisht, në 50% brenda këtij mandati qeverisës. Për të ulur shpenzimet, qeveria mund të përdorë disa rrugë, ku ka përjashtuar pagat dhe pensionet, por edhe rritjen e taksave. Në këto kushte instrumentet që mbeten në dorë të Ekzekutivit janë mosprekja e kontingjencave duke shpresuar se nuk do të ndodhë ndonjë e papritur e pakëndshme në ekonominë tonë ose reduktimi i shpenzimeve kapitale.
Qeveria miraton fond financiar në ndihmë të shoqërisë civile
Kryeministri Berisha tha dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se qeveria shqiptare do të financojë nëpërmjet një bordi të pavarur shoqërinë civile. Duke vlerësuar rolin e shoqërisë civile, si një faktor të rëndësishëm i zhvillimit të demokracisë dhe të tregut të lirë në vend, kryeministri e cilësoi këtë hap shumë të drejtë. Kryeministri bëri të ditur se një fond fillestar është caktuar për këto organizata, i cili do të shpërndahet nga ky bord. Duke e cilësuar këtë fond të domosdoshëm, kryeministri u shpreh se qeveria duhet të paguajë në mënyrë të veçantë kritikët e saj, organizatat që merren me denoncimin e korrupsionit. Duke theksuar se në mënyrë absolute nga qeveria nuk do të ketë asnjë ndërhyrje, kryeministri u shpreh se do të ishte në të dobi të mirëpërdorimit të këtij fondi që bordi të ngrihet me përfaqësues të organizatave, shoqërisë civile, por dhe përfaqësues të administratës.
11 Mars 2010