MPPTT,penalizon subjektet që shkelin kontratën
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit penalizon të gjitha subjektet që do të shkelin detyrimet kontraktuale. Përmes një deklarate për shtyp, MPPTT ka bërë të ditur se i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik përjashtimin e subjekteve Rubin Petrol dhe Alba Konstruksion nga prokurimet publike, futjen e tyre në listën e zezë, ashtu sikurse ka kërkuar nga Komisioni i Posaçëm i Dhënies së Licencave fillimin e procedurave për heqjen e licencave të këtyre subjekteve të ndërtimit."Shkak për këtë është bërë fakti që edhe pse i është shtyrë dy herë afati i punimeve për ndërtimin e Unazës Kavajë, ende sot e kësaj dite ato nuk kanë përfunduar. Përveç vonesave këto dy subjekte kanë realizuar një cilësi punimesh të papranueshme", tha zëdhënësja e MPPTT. Sipas saj, kërkesa e MPPTT drejtuar Agjencisë së Prokurimit Publik është vetëm një paralajmërim për të gjithë kontraktorët.MPPTT bëri me dije se do të vazhdojë të marrë masa drastike dhe të dërgojë për penalizim të gjitha subjektet që nuk do të përmbushin detyrimet kontraktuale, si në shkeljen e afateve dhe në cilësinë e punimeve.