Presidenti Topi viziton Italinë,i pranishëm në finalen e San Remo-s
Presidenti i Republikës, Bamir Topi po zhvillon një vizitë në Itali gjatë së cilës është takuar me personalitete të rëndësishme të provincës së Xhenovas.Presidenti Topi zhvilloi bisedime me presidentin e provincës së Xhenovas, Alesandro Repeto, presidentin e Komitetit Rajonal, Klaudio Burlando, me presidentin e Këshillit Rajonal të Ligurias, Xhakomo Ronciti, me presidentin e Këshillit Bashkiak, Xhorxho Guerelo dhe Kryetaren e Bashkisë së Xhenoas, Marta Vinçenci.Në këto takime është theksuar edhe një herë fryma e miqësisë shumë të mirë, që është zhvilluar tradicionalisht mes dy vendeve tona dhe është shprehur interesimi i përbashkët i palëve për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me qëllim rritjen dhe nxitjen e mëtejshme të tij.Kreu i shtetit u shpreh edhe në emër të mbarë popullit shqiptar se marrëdhëniet me Italinë janë të shkëlqyera në të gjitha fushat, si marrëdhëniet dhe shkëmbimet e vizitave në nivelet më të larta politike, ashtu edhe ato ekonomike, tregtare dhe kulturore.Duke folur për pritshmëritë e kësaj vizite në Xhenova, presidenti Topi theksoi se këto marrëdhënie do të intensifikohen edhe më tej, sidomos me Ligurian, duke patur parasysh afërsinë gjeografike, lidhjet e hershme historike e kulturore dhe shkëmbimet gjithnjë e në rritje ekonomike.Kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një takim edhe me përfaqësues të shumtë të bashkësisë shqiptare në Itali, që jeton në Xhenova dhe në Liguria, bashkësi e cila arrin deri në tetëmbëdhjetë mijë vetë. Përfaqësuesit e kësaj bashkësie kanë biseduar gjatë me Topin duke u ndalur e interesuar mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, reformat e kryera dhe arritjet e vendit tonë në proceset integruese.
Sonte në darkë, presidenti Topi dhe zonja e parë, Teuta Topi janë të ftuar nga autoritetet më të larta të Ligurias dhe i mirënjohuri drejtues artistik Paolo Bonolis në Teatrin Ariston, për të ndjekur natën finale të Festivalit të Këngës së San Remos, i cili ka mbërritur në edicionin e tij të 59-të.