E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSA, deputetët, protestë kundër Bollanos

Braçe: “Berisha kërkon ta fusë në listë për deputet të PD-së. Kjo e pengon ta shkarkojë”

TIRANË- Politika shqiptare e të gjitha krahëve “kryqëzon” kreun problematik të Himarës, Vasil Bollano. Duket se kërkesa e këtij të fundit, drejtuar Parlamentit grek për të mos miratuar marrëveshjen e Stabilizim Asociimit midis BE-së dhe Shqipërisë, ka bërë që politika shqiptare t’i japë fund sjelljes së saj diplomatike karshi këtij individi dhe të kërkojë nga kreu i shtetit veprim konkret, për t’u dhënë fund veprimeve antishqiptare. Në këtë mënyrë, kjo çështje ka dominuar dje debatin, jo vetëm në sallën e Kuvendit, por edhe jashtë tij, ku deputetë të ndryshëm kanë lançuar edhe nismën për të zhvilluar në ditët në vijim një protestë para bashkisë së Himarës. I pari që ka hapur diskutimin për këtë çështje ka qenë deputeti i LSI-së me origjinë himariote, Nikollaq Neranxi, i cili ka denoncuar masakrën që kryen kreu i kësaj bashkie me pronat e himariotëve. “Kryebashkiaku i Himarës, një bastard politik i quajtur Vasil Bollano, ka nisur të shpërndajë dokumente legalizimi në mënyrë të selektuar, për anëtarë të organizatës së tij politike dhe për persona që përbëjnë rrjetin e tij nepotik dhe shërbyes. Ky person me rrezikshmëri të lartë për interesat e vendit, po e fut atë krahinë në një qorrsokak të errët”, - tha Neranxi, ndërsa i ka kërkuar Kuvendit që të ngrejë një komision hetimor për këtë çështje. Menjëherë pas tij ka reaguar deputeti i PDK-së, Frrok Gjini, i cili ashtu si edhe parafolësi ka vënë theksin tek ofendimi që Bollano po ubën në vazhdimësi shqiptarëve, nëpërmjet qëndrimeve të tij ekstremiste. Duke iu referuar pikërisht nismës më të fundit të Bollanos për bllokimin e MSA-së, ai u ka bërë thirrje strukturave të larta shtetërore dhe drejtuesve të tyre, si kreut të shtetit Bamir Topi, apo Kryeministrit Berisha, apo edhe Kuvendit, që të marrin të gjitha masat e duhura për t’u prerë rrugën provokimeve të herëpashershme që u bën kreu i bashkisë së Himarës shqiptarëve. “Unë mendoj se, normalisht, Kryeministri e ka në dorë, por do i kërkoja edhe Parlamentit që ta ndalonte në këtë çështje, të reflektojë, madje edhe me një rezolutë dhe nëse është e nevojshme që këtë njeri të papërgjegjshëm ta çojë edhe përpara organeve të drejtësisë”, - u shpreh Gjini. Gjithashtu, ai ka ftuar deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që t’i bashkohen nismës që kanë ndërmarrë disa parlamentarë për të protestuar para bashkisë së Himarës. “Jam i detyruar që në ditët në vijim t’ju shpreh edhe një protestë me disa kolegë të djathtë deputetë, me në krye z. Ngjela e shumë deputetët të tjerë, të protestojmë përpara bashkisë së Himarës për këtë veprim antishqiptar që po merr ky kryetar bashkie”,- tha më tej Gjini. Ndërkohë që, jashtë sallës së Kuvendit, deputeti demokrat i Vlorës, Bujar Leskaj, nuk ka nguruar ta cilësojë Bollanon si një mbetje të ekstremizmit grek. “Për mendimin tim personal ai është një mbeturinë, rudiment i së kaluarës, i qarqeve nacionaliste ekstremiste greke që nuk gjen terren në Shqipëri, në këtë klimë kaq të mirë marrëdhëniesh, miqësore”, - tha Leskaj, duke vlerësuar gjithashtu se, politika shqiptare duhet të bëj më shumë në këtë drejtim. Një shpjegim krejt ndryshe i bëri deputeti socialist, Erion Brace, heshtjes së qeverisë shqiptare ndaj veprimeve të vazhdueshme antikushtetuese të kreut të bashkisë së Himarës. Sipas tij, qeveria dhe Kryeministri Berisha ndodhen në një pozicion të vështirë për sa i përket çështjes “Bollano”, pasi ka vendosur që ta përfshijë në listat e saj për deputetë në këtë zonë. “E ka suportues politik dhe natyrisht do ta ketë kandidatin e tij për deputet, përkundër PBDNJ-së. Pikërisht kjo e pengon Berishën që ta shkarkojë Bollanon”, - tha Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›