E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Shqipëria pa ambasador në vendet kundër Kosovës

Mungesa e ambasadorëve sjell defekte në fushën e veprimtarisë diplomatike, në favor të njohjes së Kosovës

TIRANË

- Diplomacia shqiptare është përfshirë në një krizë të thellë. Kjo për shkak të mungesës së një numri të madh ambasadorësh, kryesisht në vende me ndikim të madh në arenën ndërkombëtare. Konstatimi është bërë nga ish-diplomati i karrierës, sot deputet i Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi, i cili duke shfrytëzuar debatin e lirë në diskutimet jashtë rendit të ditës në seancën e djeshme plenare, ka dhënë alarmin për efektet negative që sjell kjo situatë në marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe vendeve respektive, por kryesisht në fushën e veprimtarisë diplomatike, në favor të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur nga shtetet që ende nuk e lanë bërë një diçka të tillë. “Është një handikap shumë i madh në marrëdhëniet dypalëshe me çdo vend, sepse diplomacia në kuptimin e përgjithshëm të fjalës është marrëdhënie e ndërsjellë, është fytyra e shtetit në marrëdhëniet reciproke. Ajo që kemi humbur sot ne nga diplomacia, është mungesa e theksuar e reciprocitetit”, - deklaroi Minxhozi. Ai është ndalur në rastet konkrete dhe më flagrante, ku paaftësia e qeverisë, sipas tij, ka bërë që vendi ynë të mos ketë përfaqësues diplomatik. Dhe më i rëndi, sipas tij, është rasti i Kosovës, ku vendi ynë, 9 muaj pas pavarësisë nuk ka ende ambasadorë. Pavarësisht se shqiptarët e konsiderojnë Kosovën si gjysmën e tyre, Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka ambasadorë në Kosovë ndër vendet që kanë njohur pavarësinë e saj. “Janë 15 vende që në Prishtinë kanë vendosur ambasadorët e tyre dhe mungon emri i Shqipërisë. Kjo është e pafalshme. Është paradoksale dhe nuk është aspak në interesin kombëtar”, - tha Minxhozi. Por, sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, Shqipëria nuk ka ambasador të vetin edhe në një sërë vendesh, të cilat jo vetëm që se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por janë tepër aktive në politikën e tyre të jashtme kundër saj. Sipas Minxhozit, një rast i tillë është edhe ai i Egjiptit, ku Shqipëria nuk ka ambasador prej më shumë se dy vjetësh. “Si është e mundur që ne lëmë dy vjet e gjysmë pa ambasador në Egjipt, në Kajro dhe Egjipti është në ndër vendet kryesore që po bën lobin, që vendet arabe të mos japin pavarësinë e Kosovës dhe ne e lëmë Egjiptin dy vjet e gjysmë pa ambasador?”, - theksoi Minxhozi. Gjithashtu, i njëjti fenomen mund të konsiderohet edhe Rusia apo Spanja, dy vende të cilat jo vetëm që se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por që për interesa të tyre gjeostrategjike, por edhe kombëtare, kanë qenë totalisht kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shtetet e tjera. “Si është e mundur që një ndër fuqitë më të mëdha në botë, Rusia, Moska lihet pa ambasadorë? 6 muaj nuk kemi ambasadorë atje, që kur është kthyer zoti Laco. Dhe e themi se Rusia të zbutet në qëndrimet e saj ndaj Kosovës. Nuk ka ambasador në Spanjë. Ka tre muaj që është larguar që është larguar ambasadorja që andej dhe Shqipëria nuk ka ambasador”, - deklaroi Minxhozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›