E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e tokës me bono, falje pa para

Premtimi i qeverisë për të shitur tokë të zaptuar me letra me vlerë të shpërndara 13-14 vite më parë, nëse realizohet, nuk është asgjë më shumë sesa falje e tokës pa paguar para, bëjnë të ditur ekspertët. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dy ditë më parë se do të lejojë përdorimin e bonove të privatizimit për pagesën e tokës së zënë nga ndërtuesit informalë në proces legalizimi. Deklarata ishte më së shumti një premtim elektoral, pasi nuk u ndërmor asnjë vendim konkret mbi këtë çështje.

"Letrat me vlerë, që gjerësisht quhen bono privatizimi, janë pagesë që qeveria u bëri qytetarëve për pronën e krijuar gjatë kohës së komunizmit. Ato prona tashmë janë shitur ose dhënë me koncesion të gjitha. Në rast se qeveria merr letra me vlerë në vend të parave për ndërtimet informale, ajo në të vërtetë merr letra pa vlerë", thotë një ekspert i Ministrisë së Financave, i cili ishte surprizuar nga deklarata e Kryeministrit. "Ka diçka që nuk shkon në këtë mes. Qeveria do të tërheqë nga tregu bono privatizimi që gjenden me lehtësi me 7 për qind të vlerës, por do të paguajë me vlerë reale dhe me para të vërteta nga taksapaguesit tokën që e përfitojnë një numër i vogël njerëzish", thotë eksperti që nuk dëshiron të citohet me emër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›