MSH: 420 raste të reja me tuberkuloz
Ministria e Shëndetësisë, në Ditën Botërore të Luftës Kundër Tuberkulozit, publikoi sot situatën në vend të kësaj sëmundje. Gjatë një konference për shtyp, Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, tha se në Shqipëri regjistrohen 13 raste të reja me tuberkuloz për 100 000 banorë. Sipas tij, në vendin tonë regjistrohen afërsisht 420 raste të reja me tuberkuloz në vit.
Në dy dekadat e fundit, sqaroi Bejtja, rastet e shfaqjes së kësaj sëmundje kanë ardhur duke u ulur, nga 20 raste të reja për 100 000 banorë, ose 653 raste në vit, në vitin 1990, në 13 raste të reja për 100 000 banorë në 2009. Për kontrollin e sëmundjes së tuberkulozit në vend, aplikohet vaksina ndaj kësaj sëmundjeje gjatë javës së parë të të porsalindurve. "Është e rëndësishme që të sëmurët me tuberkuloz të diagnostikohen në kohën e duhur dhe të marrin mjekimet në kohëzgjatjen e duhur, prej disa muajsh, dhe në dozat e duhura, pasi në të kundërt zhvillohet rezistenca ndaj me medikamenteve dhe shtohet kërcënimi për shëndetin publik", theksoi Bejtja. Tuberkulozi është një sëmundje infektive që prek, përveç mushkërive, dhe cipat e trurit, kockat dhe organe të tjera. Kushtet jo të mira të jetesës janë një faktor favorizues i rëndësishëm në përhapjen e sëmundjes së tuberkulozit. Në mungesë të mjekimit me medikamentet e duhura dhe në kohëzgjatjen e duhur, tuberkulozi mund të shkaktojë vdekje.