E Diel, 1 Nëntor 2026

MSH-ja, inspektim epidemiologjik mbi rastet me Hepatit viral A



Rastet e paraqitura me Hepatitin viral A në Cërrik janë bërë pjesë e studimeve të ISHP-së, në Ministrinë e Shëndetësisë. Rezultatet kanë treguar se nuk bëhet fjalë për epidemi, por të sëmurët janë prekur nëpërmjet rrugëve fekalo-orale, duart e palara, ushqimet e ndotura etj. Të prekurit kanë qenë 15 fëmijë nga qyteti i Cërrikut dhe janë kuruar në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Në deklaratën për shtyp të MSH-së thuhet se të njoftuar nga shërbimi epidemologjik i Rrethit të Elbasanit dhe duke u bazuar në denoncimet e ardhura nga Spitali Pediatrik i Elbasanit u pa i nevojshëm inspektimi i hollësishëm i gjendjes në vend. Marrja e virusit nga fëmijët ka ardhur si pasojë e frekuentimit të kopshteve, çerdheve apo ambienteve të tjera publike, ku virusi mund të përhapet më shpejt. Hepatiti A është një sëmundje infektive që shkaktohet nga një virus dhe përhapet në rrugë fekalo-orale, përmes duarve të palara, ushqimeve të ndotura apo orendive të kontaminuara. Zakonisht, ky lloj virusi prek moshat e vogla që jetojnë në komunitet, si në çerdhe, kopshte, shkolla, konvikte. Specialistët sqarojnë se Hepatiti A nuk është kërcënues për jetën. Një pjesë e fëmijëve të prekur nga ky virus e kalojnë sëmundjen duke pasur dobësi, anoreksi, të përziera.

Abuzimi me abonetë, shitja mbi vlerën e lejuar
Biletat e pajtimit mujor, ose siç njihen ndryshe abonetë, shiten në tregun e zi mbi vlerën e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Qytetarët po i blejnë abonetë me vlerë më të lartë, pasi shitësit deklarojnë se nuk ka shumë abone në tregun e shitjes. Ndërsa ato që janë pre e çmimeve më të larta janë abonetë e studentit ,të cilat kanë një vlerë prej 600 lekësh dhe shiten me 1000 lekë. Ndërsa qytetarët janë të detyruar t’i blejnë, pasi në asnjë pikë shitjeje nuk gjendet me çmimin real. Shitësit shprehen se nuk shesin abone studenti, pasi ato janë të pakta ose tërhiqen nga klientët që në momentet e daljes në treg në fund të muajit për muajin pasardhës. Por, siç është vërtetuar nga mjaft raste, ata i shesin abonetë e studentit vetëm tek të njohurit. Këshilli i Ministrave vendosi pak muaj më parë tarifat e reja të aboneve, me të cilat do të udhëtojnë qytetarët në të gjitha linjat urbane të kryeqytetit. Kështu, tarifat e reja janë: aboneja e përgjithshme kushton 1200 lekë, aboneja e një linje urbane kushton 800 lekë dhe aboneja e studentit kushton 6 mijë lekë. Por, në të tre rastet luhet me çmimet. Madje, edhe aboneja e përgjithshme rritet artificialisht me vlerë deri në 1350 lekë, duke krijuar kaos te blerësit. Gjatë këtij viti përplasjet mes Bashkisë së Tiranës dhe Shoqatës Kombëtare të Transportit Publik kanë sjellë probleme me çmimin e aboneve në transportin urban. Kjo e fundit kërkoi rritjen e çmimit të abonesë për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe materialeve të tjera.

Universitetet, ligji për arsimin e lartë duhet të ndryshohet

Ligji aktual i arsimit të lartë duhet të ndryshohet. Ky është qëndrimi i drejtuesve të universiteteve të vendit. Sipas këtyre të fundit, ligji i arsimit të lartë u cenon autonominë universiteteve publike. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e universiteteve publike kërkojnë të nisin debatet për ndryshimin e disa pikave të ligjit për arsimin e lartë, i cili nuk ka shumë kohë që është miratuar nga qeveria. I pari që ka ngritur shqetësimin për nisjen e debatit në mënyrë që të ndryshohet ky ligj është dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj. Sipas tij, me ligjin aktual të arsimit të lartë po cenohet autonomia e universiteteve. Kancelari i gjithëpushtetshëm është një nga pikat kyçe që kundërshtohet nga drejtuesit e universiteteve.

Studentët e Preshevës, regjistrimet në universitetet shqiptare deri më 5 nëntor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton të gjithë studentët shqiptarë të Luginës së Preshevës se regjistrimet në fakultetet ku kanë aplikuar duhet të përfundojnë brenda datës 5 nëntor. Kështu, të gjithë kandidatët duhet të regjistrohen deri në datën 5 nëntor 2008, nga ora 9:00 deri në orën 18:00, pranë sekretarive të fakulteteve. Afatet duhet të zbatohen me rigorozitet, në të kundërt studentët do të humbasin mundësinë e vazhdimit të vitit akademik. Studentët duhet të drejtohen në fakultetet përkatëse për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për të përfunduar procedurat e regjistrimit.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›