“Ligji i Gërdecit”, Alibeaj pranon se është njëri ndër hartuesit
Habjon Hasani
Tiranë - Pas e-maileve të botuara në media, ka reaguar për herë të parë publikisht duke pranuar gjithçka ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj. I lakuar së fundi në media për “kontributin” që kishte dhënë në hartimin e ligjit që i hapi rrugë demontimit që solli masakrën njerëzore të Gërdecit, Alibeaj ka pranuar se gjatë kohës që ishte drejtor i Zyrës Antikorrupsion në Kryeministri është angazhuar në hartimin dhe “kolaudimin” e këtij ligji. Madje, së bashku me deklaratën e ministrit në konferencë, zyra e shtypit të Alibeajt ka dërguar dhe vendimin e qeverisë që përcaktonte funksionet e Zyrës Antikorrupsion që Alibeaj drejtonte në kohën kur hartohej ligji i Gërdecit. Në fakt, ky vendim i jepte të gjitha akseset Alibeajt (në kohën që ishte drejtor antikorrupsioni) që jo vetëm të njihej me projektligjet që vinin nga ministritë, por edhe të ndërhynte për aspekte të dyshimta të këtyre të fundit. Deri këtu gjithçka është krejt normale, por duket se konteksti i ndërhyrjes së Alibeajt për hartimin e ligjit të Gërdecit (nr. 138, datë 14.3.2007 “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të forcave të armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorim”) tregon të kundërtën. Alibeaj kishte për detyrë të investigonte hapësirat korruptive që mund të sillte ligji i propozuar, por në mënyrë “të habitshme” në rekomandimet që Alibeaj ka dhënë asokohe duket se është kujdesur që pikërisht elementët më të dyshimtë të këtij ligji (demontimi dhe tregtimi nga firmat private, në kushtet kur vetëm Delijorgji kishte bërë kërkesë për demontim) të mos prekeshin.
“Kam alibi”
“Në pozicionin tim, në atë kohë si drejtor i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion, sqaroj se ky departament, i cili është një strukturë e krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e mbështet funksionin e tij në Vendimin Nr. 94, datë 15.2.2006. Ky vendim parashikon dy komponentë kryesorë të punës së këtij institucioni. Komponenti i parë është ai operacional, investigativ në aspektin administrativ që kishte dhe ka ende; dhe komponenti tjetër është ai i dhënies së këshillimit për përgatitjen e akteve ligjore dhe nënligjore të brendshme dhe të jashtme”, - ka deklaruar dje Alibeaj. Por ministri dje, pa tentuar të shpjegojë motivet e mënyrës se si ndikoi në hartimin e ligjit që “mbolli” 26 kufoma, ka preferuar të përqendrohet në “legjendën urbane” se si këto e-maile dolën në dritë të diellit dhe se si mund të ekzistonte ndonjë konspiracion kundër tij, paçka se dje Alibeaj deklaroi se ai vetë nuk donte ta besonte “me gjithë shpirt” opsionin e një konspiracioni kundër tij.
“Nuk besoj...”
“Nuk do të doja të besoja që një skenar i tillë është i vërtetë. Unë i referohem asaj që mediat thjesht kanë shkruar. Ta kenë siguruar këtë lloj informacioni nga organi i ndjekjes penale, do të ishte vërtet trishtuese. Do të ishte vërtet trishtuese në qoftë se do të kishte edhe ndonjë lidhje, jo të drejtpërdrejtë”, - tha Alibeaj dje kur komentoi faktin se si ky informacion kishte dalë në dritë, duke neglizhuar faktin se informacioni nuk ekzistonte vetëm në prokurori, por edhe në zyra të tjera shtetërore. “Me modesti mund të pranoj që jam një jurist, i cili nuk pranon të ketë dhënë mendime të gabuara në këtë rast. Sepse në këtë rast puna që është bërë është serioze. Më kujtohet legjislacioni në atë rast ka pasur mangësi, ka pasur vakuume që duhej të plotësoheshin. Veprimtaria e një shtetit duhet të ndërtohet mbi baza ligjore. Jo nuk besoj se kam gabuar, do të jepja sërish të njëjtën këshillë”.
Alibeaj: “Nuk diskutohet që do të shkoj në prokurori nëse më thërrasin”
“Jam i çuditur që më bën një pyetje të tillë, se a do të shkoj unë ose jo në prokurori! Kjo është një çështje që nuk duhet të diskutohet as për një qytetar të thjeshtë e aq më tepër për një qytetar, i cili është në detyrën e ministrit të Drejtësisë. Çdokush në këtë shtet, i cili pretendon të jetë nën mbretërinë e ligjit, është jo vetëm i detyruar, por duhet të ofrohet për të dhënë sqarime ndaj çdo lloj procedure hetimore që mund të bëhej. Është kjo mënyra më e mirë për t’i dhënë, jo vetëm për të kuptuar por edhe për të krijuar marrëdhënien e besimit që prokuroria duhet të gëzojë ndaj publikut dhe kjo është çështje që është jashtë çdo lloj diskutimi. Kjo është fryma inspiruese që të gjithë qytetarët, jo vetëm ata që nuk kanë ngarkesa politike dhe publike ,por edhe ata që janë ngarkuar, prokurorët apo zyrtarët dhe çdo lloj kategorie e niveli, do të duhen të sillen ndaj ligjit. Mbi të gjitha ndaj ligjit dhe jo ndaj prokurorëve dhe prokurorisë. Kjo është edhe fryma mbi të cilën është bërë edhe ndryshimi në ligjin për prokurorisë”.
2 Nentor 2008