E Shtunë, 31 Tetor 2026

“300 studente në Tiranë janë punonjëse seksi”



Laureta Rryçi

Tiranë - Ditën të varfra dhe natën të pasura. Kjo është jeta e nëndheshme e jo pak studenteve në metropol që për t’u pasuruar kanë vendosur të kthehen në “geisha” shqiptare. Të ndikuara jo vetëm nga gjendja e vështirë ekonomike e familjes, por edhe nga dëshira për të shpenzuar sa më shumë para, ato përzgjedhin si klientë të kamurit e Tiranës. Rrethi përfshin edhe miqtë që mësyjnë në kryeqytet jo vetëm për të nënshkruar një kontratë të suksesshme. Emanuela Ismaili, koordinatore e projektit në Qendrën Këshillimore të Institutit të Studimeve të Opinionit Publik (ISOP), tregon në një intervistë për gazetën “Albania” se si funksionon kjo lloj industrie seksi prapa të cilit nuk fshihen vetëm qindra mijëra dollarë, por edhe persona me status të lartë ekonomik apo kulturor të vendit. Ismaili rrëfen detaje jo vetëm mbi mënyrën e jetesës për këto vajza, por edhe rrjedhën që u merr jeta duke parapëlqyer që të mos tërhiqen kurrë nga ky lloj profesioni edhe pse kanë siguruar një shtëpi apo një makinë luksoze. Për shumë prej tyre, historia vazhdon duke u kthyer në tutore për vajza të tjera që do të ecin në të njëjtat gjurmë.

Kemi dëgjuar dhe kemi folur shpesh për prostitucionin, një fenomen që e ka prekur prej kohësh shoqërinë shqiptare, por e kemi konsideruar gjithnjë si diçka që ndodh larg nesh. Në fakt, studimet tregojnë se gjithnjë e më shumë ky fenomen po organizohet në shoqërinë tonë. Prej më shumë se shtatë muajsh, Qendra Këshillimore e Institutit të Studimeve të Opinionit Publik po punon me një projekt të tillë. Ju jeni koordinatore e këtij projekti. Me pak fjalë, ku konsiston ai?

Prostitucioni ka kohë që ekziston në shoqërinë tonë. Pas ndryshimeve politike të 1990-s, vendi ynë u përball me ndryshime komplekse politike, ekonomike dhe sociale. Këto ndryshime sollën një rritje të nivelit të papunësisë dhe rënie të standardit të jetesës. Në këtë periudhë pati një shtim “të dëshpëruar” të numrit të personave të përfshirë në seksin komercial. Megjithëse në ditët e sotme ndihet një rritje ekonomike, përsëri ka nivele të larta papunësie, sidomos te gratë, është prezent dhuna ndaj grave, që janë faktorë që ndikojnë negativisht në rritjen e kësaj dukurie. Gjithmonë është folur për vajzat shqiptare që prostituojnë jashtë Shqipërisë ndërsa është folur pak për ato që ndodhen brenda territorit tonë. Dhe këtu bëhet fjalë për një numër jo të vogël vajzash që kanë këtë profesion. Kështu, në bazë të një studimi mendohet se ka rreth 100 punonjëse seksi “rruge” dhe rreth 300 vajza studente që hyjnë në kategorinë e punëtoreve të seksit të shtresës së lartë.
Ky grup përballet me probleme të mëdha që nuk janë vetëm pjesë e personave të përfshirë në industrinë e seksit, por një problem për të gjithë shoqërinë. Një ndër problemet më të mëdha është risku i infektimit ndaj HIV- AIDS dhe IST-ve, ndaj pranë ISOP është hapur prej 7 muajsh një qendër me financim të Global Found që i ofron shërbime të ndryshme kësaj kategorie. Ajo që ne synojmë është të ulim riskun e infektimit ndaj HIV-it dhe IST dhe të rrisim shkallën e informimit dhe të aksesit në shërbime shëndetësore për këtë kategori në nevojë. Është e vërtetë që në Shqipëri funksionon një lloj kategorie punonjësesh seksi, pak a shumë të kultivuara në punën që bëjnë, s’po themi si geishat të cilat rriten që të vogla me synimin për të qenë punonjëse seksi me një farë klasi le të themi, por që puna e tyre nuk konsiston thjesht në të kryerit e marrëdhënieve seksuale, por edhe në shoqërimin e denjë të klientëve të tyre qoftë edhe në takime pune. Në punën tonë deri tani kemi identifikuar disa kategori punonjësesh seksi. Kategoria e parë janë vajzat e rrugës. Ato punojnë në rrugë, stacione treni apo autobusash. Kjo kategori punon në ambiente të hapura dhe kryesisht i gjen te lulishtja pas Pallatit të Kulturës, te Liqeni Artificial etj. Kategoria e dytë janë vajzat e telefonit që i gjejnë klientët nëpërmjet qarkullimit të numrit individual ndërmjet klientësh. Kategoria e tretë janë vajzat e shtëpive private dhe shoqërueset, të cilat janë dhe kategoria më e lartë e punonjëseve të seksit. Kjo kategori mund të ketë një përqasje me geishat. Ato janë vajza studente që kanë një pamje shumë të bukur fizike dhe paguhen me qindra dollarë për të kryer marrëdhënie seksuale me një klient. Ato mund të shoqërojnë një klient me nivel të lartë ekonomik në udhëtimet e tij jashtë shtetit apo në aktivitete të ndryshme sociale. Ato mund të qëndrojnë për disa muaj nën ekskluzivitetin e një klienti, i cili i paguan qiranë, veshjet, ushqimin etj.

Si funksionon kjo kategori? Si është e organizuar? Kanë tutorë, apo funksionojnë në mënyrë të pavarur?

Zakonisht, sipas informacionit që ne posedojmë, sepse duhet të theksojmë se kjo është kategoria më e fshehtë dhe vështirësisht e identifikueshme, ato kanë një tutor që mund të jetë femër ose mashkull. Një femër me eksperiencë ka disa vajza dhe i menaxhon ato duke u gjetur klientë dhe vendet ku ato do të praktikojnë sjelljet seksuale. Ose janë vajza që kanë një të dashur apo të fejuar dhe është ai që ua siguron klientët. Por nuk mohohet mundësia që ka edhe vajza që punojnë në mënyrë të pavarur duke i siguruar klientët përmes qarkullimit në mënyrë private të numrit të tyre.

Çfarë statusi social kanë këta klientë që i frekuentojnë? Si bëhet lidhja me klientët?

Klientët kanë një status të lartë ekonomik ose dhe kulturor, kryesisht janë biznesmenë. Ato janë vajza që paguhen me disa qindra dollarë dhe vetëm kjo kategori mund të japë shuma të tilla kundrejt marrjes së kënaqësisë seksuale. Mosha mesatare e klientëve është 31-50 vjeç. Ndërmjet tyre ka dhe figura publike të sferës sociale, politike dhe kulturore. Lidhja me klientë bëhet përmes ndërmjetësve (tutorëve), telefonit, recepsionisteve të hoteleve; shoferëve të taksive dhe kohët e fundit ka dalë dhe një mënyre e re përmes internetit.

Çfarë ndryshimi kanë me kategoritë e tjera?

Këto vajza janë shumë më të paguara, rrjedhimisht bëjnë një jetë më luksoze. Ato e kryejnë këtë profesion për të pasur një cilësi më të mirë jetese dhe nuk flitet si për punonjëset e kategorisë së ulët që e kryejnë këtë profesion për të siguruar nevojat bazë, si ushqim, veshje, strehim. Ato kanë edhe një veçori të dallueshme që pranojnë një numër të kufizuar klientësh dhe në shumicën e rasteve klientët nuk kërkojnë vetëm të kryejnë marrëdhënie seksuale, por edhe të kalojnë momente të tjera argëtimi, si udhëtime, ngrënie darkash, shkuarja në festa etj.

Çfarë statusi social kanë (arsimimi, niveli ekonomik etj)?

Sigurisht kuptohet që vijnë nga një shtresë e ulët ekonomike. Ato janë vajza studente që, për të përballuar koston ekonomike të të jetuarit në Tiranë, detyrohen të prostituojnë. Kjo kategori dëshiron të ketë një jetë më cilësore që nuk ia siguron dot familja prandaj e shohin si alternativën më të lehtë për të fituar para në një kohë të shkurtër. Zakonisht ndjekin shembullin e një shoqeje. Këto vajza kanë një nivel të caktuar kulturor, mund të jenë vajza që flasin disa gjuhë të huaja, vazhdojnë fakultetin etj.

Çfarë moshash janë kryesisht?
Mosha mesatare e tyre është 18-35 vjeç. Vajzat në moshë të madhe më pas kthehen në tutore duke tërhequr vajza të reja në seksin komercial.

Nga ndryshon një punonjëse seksi rruge me një femër apartamenti apo telefoni në mënyrën e perceptimit të vetes?

Së pari, duhet të sqarojmë konceptin e vetë perceptimit. Vetë perceptimi është mënyra se si ne e shohim veten. Për këtë gjë na ndihmon sjellja që ne kryejmë. Ne vëzhgojmë sjelljen tonë duke e gjykuar apo vlerësuar atë. Por për të krijuar një vetëperceptim të plotë na ndihmon edhe vlerësimi i të tjerëve. Si punonjëset e seksit të rrugës, ashtu edhe ato të telefonit apo të apartamentit, kryejnë të njëjtën sjellje. Atëherë pse ndryshon vetëperceptimi që ato kanë për veten? Kjo ndodh sepse vajzat e rrugës janë më tepër të ekspozuara ndaj stigmatizimit dhe diskriminimit sesa ato të kategorisë së lartë, të cilat e ushtrojnë profesionin e tyre në një mënyrë më të fshehtë. Për këtë arsye, vetëvlerësimi i vajzave të rrugës është më i ulët sesa i punonjëseve të seksit të telefonit apo të apartamentit.

Si e përjetojnë ato punën që bëjnë?

Shumica e punonjëseve të seksit e konsiderojnë punën që bëjnë si çdo profesion tjetër, me orare të caktuara me normat apo kufizimet që ajo mund të përmbajë etj. Me pak fjalë, puna në industrinë e seksit bëhet për to një stil jete.

A mendojnë të tërhiqen nga puna që bëjnë, apo e konsiderojnë si mënyrë jetese?

Është pothuajse e pamundur që ato të heqin dorë, ato mësohen me atë stil jetese. Është po aq e vështirë sa një individ të heqë dorë nga droga. Në botë, kjo kategori mund të ndodhë që të martohen me një nga klientët e pasur ose të punësohen si shërbëtore kur nuk janë më aq të kërkuara për ta vazhduar profesionin.

Si mund të jetë një “shoqëruese” apo femër apartamenti në jetën e saj të përditshme?

Në shumicën e rasteve, ato shihen si ato vajzat ekstravagante që vishen në mënyrë seksi që ka një të dashur me para që e suporton financiarisht, por që asnjë nuk dyshon që kryejnë profesionin e punonjëses së seksit. Madje, ka nga ato vajza që në jetën e përditshme bëjnë një jetë plotësisht të thjeshtë: shkojnë në shkollë, vishen normal, mësojnë etj.

Si i kanë marrëdhëniet me familjen? Po me shoqërinë?

Zakonisht këto vajza vijnë nga familje të divorcuara, me probleme ekonomike, nga familje ku ushtrohet dhunë etj. Një pjesë e madhe janë jetime. Ato nuk kanë marrëdhënie të mira me familjen, sepse dhe logjikisht nëse do të kishin marrëdhënie të ngushta familja do të dyshonte për profesionin e vajzës. Këtu nuk po flas për ato familje që janë në dijeni të faktit. Përsa i përket shoqërisë, ato shfaqin vështirësi në mbajtjen e marrëdhënieve të ngushta afatgjata. Zakonisht kanë shoqëri që është pjesë e biznesit të seksit.

A e vuajnë këto femra punën që bëjnë, apo është thjesht një punë pa pasoja?

Sigurisht që kjo nuk është një punë pa pasoja, madje do të thosha që është një punë me risk tepër të lartë nëse do të marrim parasysh këtu dhunën fizike, psikologjike dhe emocionale që klientë të ndryshëm ushtrojnë mbi to. Pasoja të tjera negative që përmban ushtrimi i këtij profesioni është fakti se shumica e punonjëseve të seksit kanë mungesë planesh afatgjata, kanë mungesën e mbajtjes së marrëdhënies stabël, mungesën e një familjeje të qëndrueshme dhe mbi të gjitha ato konsumohen shumë lehtë moralisht.

Zgjidh për somario

Som...

Në bazë të një studimi mendohet se ka rreth 100 punonjëse seksi “rruge” dhe rreth 300 vajza studente që hyjnë në kategorinë e punëtoreve të seksit të shtresës së lartë

Ato janë vajza studente, të cilat, për të përballuar koston ekonomike të të jetuarit në Tiranë, detyrohen të prostituojnë

Janë vajza që flasin disa gjuhë të huaja, vazhdojnë fakultetin etj.

Puna e tyre nuk konsiston thjesht në të kryerit e marrëdhënieve seksuale, por edhe në shoqërimin e denjë të klientëve të tyre qoftë edhe në takime pune.

Ato janë vajza studente që kanë një pamje shumë të bukur fizike dhe paguhen me qindra dollarë për të kryer marrëdhënie seksuale me një klient.

Ato mund të shoqërojnë një klient me nivel të lartë ekonomik në udhëtimet e tij jashtë shtetit apo në aktivitete të ndryshme sociale.

Ato mund të qëndrojnë për disa muaj nën ekskluzivitetin e një klienti, i cili i paguan qiranë, veshjet, ushqimin etj.

Ato kanë një tutor që mund të jetë femër ose mashkull.

Ato janë vajza që paguhen me disa qindra dollarë dhe vetëm kjo kategori mund të japë shuma të tilla kundrejt marrjes së kënaqësisë seksuale.

Klientët kanë një status të lartë ekonomik ose dhe kulturor, kryesisht janë biznesmenë.

Mosha mesatare e klientëve është 31-50 vjeç.

Llojet e prostitucionit brenda vendit

Kategoria e parë janë vajzat e rrugës. Ato punojnë në rrugë, në stacione treni apo autobusësh. Kjo kategori punon në ambiente të hapura dhe kryesisht i gjen te lulishtja pas Pallatit të Kulturës, te Liqeni Artificial etj.

Kategoria e dytë janë vajzat e telefonit që i gjejnë klientët nëpërmjet qarkullimit të numrit individual ndërmjet klientësh.

Kategoria e tretë janë vajzat e shtëpive private dhe shoqërueset, të cilat janë kategoria më e lartë e punonjëseve të seksit. Kjo kategori mund të ketë një përqasje me geishat.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›