Prokurorja amerikane në Tiranë: “Gjurmët e parasë, kyçi i krimit”
Një prokurore federale amerikane ndodhet që në prill të këtij viti në Prokurorinë e Përgjithshme Shqiptare. Cindy Eldrigde është emëruar këshilltare ligjore pranë Njësisë së Përbashkët të Hetimit në Prokurorinë e Tiranës. Në këtë intervistë për “MAPO”, ajo përshkruan bashkëpunimin që ka vendosur me zyrtarë të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore lidhur me çështje të ndryshme që heton aktualisht organi ynë i akuzës. Zyra e Ina Ramës ndodhet e përfshirë në një numër hetimesh “të nxehta”, ku spikasin dosja e rrugës Durrës-Kukës, tragjedia e Gërdecit, trafiku i armëve dhe dosja “Fazlliç”.
Zonja Eldrigde, cili do të jetë misioni juaj pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe cili është opinioni që keni krijuar për prokurorët shqiptarë?
Arrita në Shqipëri më 4 prill 2008 dhe kam qenë shumë e ngarkuar qysh nga ajo ditë. Jam këshilltarja Ligjore Rezidente për Antikorrupsionin në programin OPDAT të Departamentit të Drejtësisë. Jam këshilltarja e dytë rezidente dhe fokusi im është i dyfishtë: jam një këshilltare ligjore e vendosur pranë Njësisë së Përbashkët të Hetimit (NjPH) për Luftën kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit (task-forca) në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës; së dyti, po punoj me departamente të tjera në Ambasadën e ShBA dhe ente të tjera ndërkombëtare për të bashkërenduar përpjekjet tona antikorrupsion. Në NjPH, ofroj këshilla dhe asistencë teknike mbi hetime të ndërlikuara të korrupsionit dhe krimit ekonomik. Takohem me prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore mbi çështje specifike për të diskutuar strategji hetimore, çështje ligjore, paraqitjen në sallën e gjyqit, si dhe çështje të tjera që dalin gjatë këtyre takimeve. Gjithashtu, nxis bashkëpunimin midis Njësisë dhe agjencive të tjera qeveritare, të tilla si Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive (ILDKP), si dhe organizata private si bankat. Si prokurore federale në Shtetet e Bashkuara, mësova që një marrëdhënie e mirë pune me bankat është thelbësore për ndjekjen e efektshme penale të pastrimit të parave. Kohët e fundit, OPDAT organizoi një seminar kundër pastrimit të parave, bashkëfinancuar nga Zyra e Marrëdhënieve Publike e Ambasadës, ku prezantuesi kryesor ishte Profesor Xhimi Gurule. Profesor Gurule, një ish-prokuror federal, ishte nënsekretar për Ligjzbatimin në Departamentin e Thesarit, që në thelb ka qenë zyrtari më i lartë i ligjzbatimit në atë departament në ShBA, në vitet 2001-2003. Në seminar u mblodhën bashkë zyrtarë të bankave për përputhshmërinë me ligjet, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave (njohur edhe si Njësia e Inteligjencës Financiare), oficerë të policisë gjyqësore dhe prokurorë të NjPH (task-forcës) për të diskutuar luftën kundër pastrimit të parave dhe krimeve të tjera financiare. Seminari ishte aq i suksesshëm, sa OPDAT do të organizojë çdo muaj një takim mujor me përfaqësues nga këto institucione për të diskutuar mënyra të efektshme për të pikasur dhe ndjekur penalisht krimet financiare. Me shpresë, këto takime mujore do të nxisin bashkëpunim midis këtyre grupeve dhe do të ofrojnë një mjedis për diskutimin e çështjeve përkatëse. Është një privilegj që punoj me të gjithë prokurorët e NjPH. Ata janë shumë profesionistë si dhe tërësorë në hetimet e tyre. Më ka bërë shumë përshtypje etika e tyre e punës, niveli i tyre i përkushtimit, si dhe njohuritë e tyre për ligjin shqiptar. Duhet shumë kurajë për të hapur hetime kundër kujtdo dhe të gjithë personave që mund të jenë duke kryer krime. Shpesh, këto hetime kanë në shënjestër njerëz shumë të rëndësishëm, përfshi zyrtarë të lartë qeveritarë. Motoja e NjPH, nga sa kam vëzhguar unë, është të ndiqet ligji dhe të ndiqen faktet kudo që mund të çojnë.
Sa jeni njohur me hetimet konkrete që ka në dorë prokurorja Ina Rama, si rruga Durrës-
Kukës, ngjarja e Gerdecit apo trafiku i armëve shqiptare? Cili do të jetë raporti juaj me
këto çështje dhe sa do të përfshiheni apo asistoni eventualisht në hetimet në fjalë?
Të kuptuarit tim është që hetimi i tragjedisë së Gërdecit po shqyrtohet nga Zyra e Prokurores së Përgjithshme. Puna ime këshilluese është me Njësinë e Përbashkët të Hetimit dhe jo me prokurorë të tjerë, përfshi ata në Prokurorinë e Përgjithshme. Dua të jem e qartë që ndihma ime për NjPH është thjesht këshilluese – nuk kam përfshirje në hetimin apo ndjekjen penale faktike të ndonjë çështjeje. Në lidhje me hetimet që po kryhen nga NjPH, nuk mund të komentoj ndonjë çështje specifike. Megjithatë, unë punoj ngushtë me prokurorët e NjPH duke ofruar këshillat dhe ekspertizën time mbi hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimeve financiare. Përvoja ime e mëparshme ka të bëjë me hetime të pastrimit të parave, hetime të mashtrimeve me hipotekimin, ndjekjen penale të një banke të tregtuar publikisht me vlerë 46 miliardë dollarë, si dhe ndjekjen penale të një numri avokatësh për rolin e tyre në skema të mëdha mashtrimi. Në hetimin e këtyre çështjeve, mësova që të ndjekësh gjurmët e parasë është kyçi i zgjidhjes së krimit.
Marrë nga revista ”MAPO”
2 Nentor 2008