Vdekja e adoleshentes Petriti, në akuzë mjeku Hoxhallari
Tiranë - Ekspertet dorëzuan dje në prokurori raportin me shkaqet e vdekjes se 17-vjeçares Matilda Petriti, e cila nuk arriti t’i mbijetojë një operacioni të thjeshtë për heqjen e bajameve.
Pesë mjekë me në krye shefin e ORL-së, Pjerin Radovani, kanë firmosur në dosje të gjitha shkeljet e kolegut të tyre otorino-laringolog, Xhevahir Hoxhallari, që sipas tyre jo vetëm ka kryer mjekim të pakujdesshëm, por ai ka shmangur mjekimin për pacienten e tij, atëherë kur vajza ishte në gjendje të rëndë dhe kishte nevoje për trajtim. Burime nga prokuroria pohuan se në raport mjekët konsiderojnë abuzim edhe mospërshkrimin në kartelë të gjendjes shëndetësore të adoleshentes pas operacionit. Mjeku Hoxhallari kishte regjistruar në fletë vetëm datën 6 prill, ditë në të cilën vajza është operuar në klinikën private të tij në Pogradec, si dhe lloji i ndërhyrjes kirurgjikale. Por mjeku nuk ka shtuar asgjë gjatë ditëve të mëpasshme, gjatë të cilave ajo ka pasur hemorragji, procedurë kjo e domosdoshme që ndiqet për pacientet. Shkelje është konsideruar nga dy specialistë të Mjekësisë Ligjore, nga shefi i Pavijonit të ORL-së, Radovani dhe nga dy mjekë të tjerë edhe fakti që Hoxhallari ka anashkaluar ndihmën për pacienten e tij atëherë kur ajo u soll në gjendje të rëndë në Tiranë.
Arrestohet plagosësi për motive pronësie i Petrit dhe Shpëtin Tresës
Tiranë – Uniformat blu kanë mundur të realizojnë dje arrestimin e një prej të dyshuarve për plagosjen e Petrit dhe Shpëtim Tresës pesë ditë më parë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, pas një pune intensive operacionale mundësuan kapjen dhe arrestimin e autorit të kësaj ngjarjeje, i cili dyshohet të jetë Aleksandër Harizi, 21 vjeç, banues në Baldushk Tiranë. Ky shtetas mendohet se është autor i tentativës së vrasjes me sende të forta të shtetasve Petrit dhe Shpëtim Tresa, ngjarje e ndodhur pas daljes nga një seancë gjyqësore për çështje pronësie. Ndërkohë, është marrë masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë ndaj shtetasit Neshet Seitllari, 41 vjeç, banues në Pogradec. Ky shtetas u kap në flagrancë teksa po transportonte me automjetin e tij për në drejtim të qytetit të Pogradecit autorin e dyshuar, shtetasin Aleksandër Harizi. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “vrasjes në rrethana të cilësuara e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”. Ndërsa për shtetasin Neshet Seitlallari, dyshuohet për konsumim të veprës penale të “përkrahjes së autorit të krimit”.
“Njeriu ujk” kafshoi me dhëmbë, i dëmtuari rëndë në spital
Tiranë – Një burrë është kafshuar me dhëmbë dhe plagët që ka marrë e kanë bërë që të luftojë me vdekjen në spital, ku gjendet tani në rrezik për jetën. Ngjarja e paprecedentë ka ndodhur në Tiranë. Specialistët e Seksionit të posaçëm Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit thanë dje se lidhur me ngjarjen, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit kosovar Hasan Selmani, 38 vjeç, lindur në Prizren dhe banues në Tiranë. “Arrestimi i tij u krye pasi për motive të dobëta, në banesën e tij, ka kafshuar me dhëmbë duke e dëmtuar rëndë shtetasin J. B.”, - tha policia. Ajo shtoi se materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit Hasan Selmani për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje” parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal të Shqipërisë.
Mbante armë pa leje, policia e dërgon në qeli
Tiranë - Shërbimet policore të Komisariatit të Kavajës kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit K. K., 17 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë. Arrestimi i tij u krye pasi iu gjet dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik “Kallashnikov” dhe një krehër me 10 fishekë model 56. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” parashikuar nga neni 278/1/2 i Kodit Penal.
Udhëtonte më makinë të vjedhur, ndalohet pas kontrollit 34-vjeçari
Tiranë – Nga specialistët e Seksionit të Posaçëm Kundër Vjedhjeve të Automjeteve u bë shoqërimi i shtetasit B. P., 34 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Laç, të cilit iu sekuestrua mjeti i tij tip “Benz” me ngjyrë gri, me traga LA 8434 A. Ky mjet, nga verifikimet e bëra rezulton të jetë vjedhur në shtator të vitit 2007 në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Nga hetimi i deritanishëm rezultoi se shtetasi B. P., ia ka blerë automjetin shtetasit U. T. 22 vjeç lindur dhe banues në Laç, i cili aktualisht ndodhet jashtë shtetit. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit U. T., për veprën penale të “vjedhjes”.
2 Nentor 2008