E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Firmat e Delijorgjit me bazë në Qipro dhe Afrikë, vështirë të verifikohen



Habjon Hasani

Tiranë - “Trajektorja e parave dhe transaksioneve mund të zbulojë lehtësisht veprimtarinë e të dyshuarve për Gërdecin dhe dosjen ‘Fazlli璔, - deklaroi dje në një intervistë hetuesja amerikane Sindi Eldrixh, por duket se në rastin e aktivitetit të Mihal Delijorgjit, ky lloj verifikimi do të kërkojë shumë mund. Gazeta “Albania” ka siguruar ekskluzivisht informacion lidhur me aktivitetin tregtar të biznesmenit të dyshuar për trafikun e municioneve në Gërdec dhe Rinas. Por të dhënat flasin për një labirint të vërtetë firmash me bazë në Qipro dhe Afrikë, ndërsa zoti Delijorgji rezulton thjesht një administrator i këtyre firmave. Prokuroria ka sekuestruar dokumentacionin e tri firmave në pronësi të Delijorgjit (“Albademil”, “Park Construcsion”, “Përparimi sh.a”). Këto firma lidhen në një nyje domethënëse me Gërdecin. Lidhësja është ekonomistja e firmës “Park Construcsion”, e cila ka punuar si ekonomiste me kohë të pjesshme në Rinas dhe në Gërdec. Ndërsa firma “Përparimi sh.a” ka pasur aktivitet mbledhjen dhe tregtimin e skrapit, kështu që automatikisht lidhet me firmën “Albademil”, që demontonte armë në “Gërdec”.
Linja
Përfshirja e ekonomistes në këtë trekëndësh ka futur në proces hetimi të gjitha firmat e Delijorgjit (pasi paratë e “Alademil”-it mund të jenë pastruar nëpërmjet dy firmave të tjera), por sikurse askush nuk e priste, dy firmat e tjera (“Park Construcsion” dhe “Përparimi sh.a”), kanë pronarë grekë dhe anglezë, ndërsa zoti Delijorgji vetëm sa i administronte ato. Dokumenti që boton sot ekskluzivisht “Albania” vërteton se firma “Park Construction”, e krijuar në vitin 2005, është e përbërë nga bashkimi i dy bizneseve, njëri me qendër në Qipro dhe tjetri me qendër në Liberi, në Afrikë. Por përveç këtij fakti, edhe firma tjetër, “Përparimi sh.a”, është tërësisht në pronësi të një firme qipriote dhe sërish aty Delijorgji rezulton vetëm një administrator.
Labirint
Ky kombinacion ka sjellë vështirësi për grupin e prokurorëve pasi pronësia dhe selia ku është vendosur një firmë janë esenciale për investigimin e aktivitetit të saj. Vështirësi ka sjellë pa dyshim firma “Park Construction”, një nga aksionerët e së cilës (një biznesmen anglez me prona në Liberi, i quajtur A. Abedje), është bërë aksioner i kësaj firme nëpërmjet aksioneve që zotëron shoqëria e tij liberiane “Rammer Ventures”. Kjo e fundit, rezulton se është një sipërmarrje multimiliardere, që disponon anije gjigante të projektuara për transportin transoqeanik të sasive të konsiderueshme të skrapit dhe të metaleve. “Largësia dhe larmia e pronarëve që zotërojnë aksionet e këtyre firmave sjellin vështirësi në investigimin e çështjes, pasi skema e transferimit të parave që mund të kenë lidhje me Gërdecin kthehet në një labirint të vërtetë. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të hetojmë pasi kjo është e vetmja mënyrë për të vërtetuar aktivitetin e vërtetë mbi Gërdecin”, - i tha dje “Albania”-s një hetues i dosjes Gërdeci.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›