E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihma ekonomike me punë në komunitet, 400 familjet që mund të përfitojnë



Kushtëzimi i ndihmës ekonomike, me punë dhe shërbime në komunitet do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. Kështu, të gjithë personat që përfitojnë ndihmë ekonomike do të mund ta zëvendësojnë atë në formën e pagës mujore duke kryer punë të ndryshme në komunitet. Aktualisht, njësitë bashkiake numërojnë rreth 400 familje që kanë nevojë për ndihmë dhe për të gjitha këto familje do të përcaktohen punonjësit që trajtohen me ndihmë ekonomike. Këto do të mund të zëvendësohen nëpërmjet alternimit të një game të gjerë shërbimesh si: shërbimi në familje për moshën e tretë dhe personat me aftësi të kufizuar, përkujdesi dhe kontributi komunitar etj. Projektet për kushtëzimin e kësaj ndihme me punë apo shërbime në komunitet mund të jetë me kohë të plotë pune ose me kohë të pjesshme pune, për disa ditë në muaj. Bashkitë apo komunat përcaktojnë fushat dhe përparësitë, ku do të zbatohen projektet për punë komunitare apo për shërbime shoqërore. Këshilli Bashkiak ose i komunës miraton një herë në katër muaj projektet e punëve komunitare apo të shërbimeve shoqërore me kohë të plotë pune, si dhe listën e personave që do të marrin pjesë në zbatimin e projekteve me kohë të plotë pune etj. Në punët komunitare nuk do të përfshihen personat me aftësi të kufizuar të përhershme apo dhe të përkohshme, si dhe ato mbi moshë pune, të cilët nuk kanë mundësi për të kontribuar në këto punë e shërbime në komunitet. Në këtë rast familjet e tyre vazhdojnë të përfitojnë ndihmë ekonomike. Masa e pagesës së personave, pjesëmarrës në projektet e punëve e të shërbimeve në komunitet, me kohë të plotë pune, nuk duhet të jetë më e vogël se paga minimale në shkallë vendi. Ndërsa fondet e nevojshme për pagesën në këto projekte sigurohen nga fondi i ndihmës ekonomike që llogaritet sipas strukturës së familjeve që marrin pjesë në këto projekte. Por, ata nuk do të përfitojnë më shumë se 7.000 lekë në muaj.

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›