Pediatria, shkon në 300 në ditë numri i urgjencave
Fëmijët janë më të prekurit nga temperaturat e larta dhe virozat e stinës së verës. Temperaturat e larta kanë shtuar numrin e fëmijëve të prekur nga virozat e stinës, ku 250 deri në 300 fëmijë paraqiten çdo ditë në Urgjencën e shërbimit pediatrik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për ndihmë mjekësore. Shqetësimet kryesore, të cilat ndiejnë të vegjlit, janë të karakterit viral. Mjekët sqarojnë se bëhet fjalë për një numër normal në këtë mot të nxehtë dhe si zakonisht këshillat e tyre i drejtojnë ndaj kujdesit prindëror. Përdorimi i ilaçeve tek fëmijët mbetet rekomandimi i fundit, por jo për rastet e përkeqësuara. Gjithsesi, konsultat mjekësore nuk duhen shmangur në asnjë rast. Mjekët sqarojnë se prindërit sjellin fëmijët për kryer vizitë dhe pas marrjes së mjekimit largohen për në shtëpi. Një pjesë e vogël e tyre kanë probleme serioze dhe janë të detyruar të qëndrojnë me ditë, duke u shtruar në spital. Ndërsa nuk është e njëjta situatë në pavijonet e tjera, ku gjatë javës ka një numër të madh pacientësh. Numri i vizitave në këto ditë të nxehta rezulton të jetë i lartë dhe në shërbimin dermatologjik, ku pacientë të moshave të ndryshme paraqiten me probleme në lëkurë. Mjekët shpjegojnë se vendin kryesor e zënë vizitat ambulatore. Ata nënvizuan se pacientët e paraqitur janë ambulatorë dhe pasi marrin konsulencë mjekësore dhe këshillat përkatëse, largohen në shtëpitë e tyre. Po kështu, një numër të lartë të pacientëve drejtohen edhe në Urgjencën e Kardiologjisë. Sipas mjekëve, pacientët që e “frekuentojnë” më tepër këtë urgjencë janë të moshuarit. Ata, sqarojnë se janë pothuajse të njëjtët persona që vijnë në gjendje të rëndë. Kjo, pasi shumica e tyre nuk i zbatojnë rregullat dhe oraret për të qëndruar në temperaturë dhe ambiente me kushte optimale. Në këto ditë të nxehta, mjekët kanë këshilluar pacientët që të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe fruta për të shmangur problemet shëndetësore që shfaqen gjatë kësaj stine. Njëkohësisht, ata shprehen se duke bërë bilancin e këtij viti dhe një viti më parë, numri i të sëmurëve ka ardhur në ulje.
28 Korrik 2009