E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH, masa për mbrojtjen e konsumatorëve nga ushqimet



Ministria e Shëndetësisë do të marrë masa më të rrepta për mbrojtjen e konsumatorëve nga sëmundjet që marrin nga ushqimet. Autoritetet shëndetësore kanë përqendruar punën në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit, duke synuar parandalimin e shpërthimeve epidemike. Këto sëmundje mund të kenë origjinë nga konsumimi i ujit, nga helmimet masive ushqimore etj. Veç kësaj, për mbrojtjen e konsumatorit janë marrë një sërë masash ligjore dhe monitoruese në fushën e farmaceutikës, sigurisë së gjakut, mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese, shëndetit mendor etj.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka marrë pjesë në Konferencën me temë “Të drejtat e konsumatorit dhe shteti në mbrojtje të tyre”, që u organizua nga Avokati i Popullit dhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve, ku u diskutuan të gjitha mënyrat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e qytetarëve nga rreziku i përdorimit të ushqimeve. Gjatë këtij takimi, Godo është shprehur se po bashkëpunon edhe me vende të tjera të rajonit. “Në mënyrë që të arrihet niveli i lartë i sigurisë dhe i mbrojtjes së shëndetit të popullatës janë rishikuar dhe përmirësuar gjithë instrumentet si legjislacioni dhe shërbimet e kontrollet, me qëllim zvogëlimin e sëmundjeve me origjinë ushqimore dhe nga uji”, - u shpreh Godo.
Sipas saj, në këtë drejtim janë pajisur laboratorët e shëndetit publik me aparatura të nevojshme, duke ndihmuar në përmirësimin e niveleve të shërbimeve. Inspektorati Sanitar Shtetëror, në bashkëpunim me ndërmarrjet e ujësjellësit dhe pushtetin vendor, Ministrinë e Punëve Publike, organizatat jofitimprurëse dhe shoqatën e Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorëve, e kanë përqendruar punën në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit, duke synuar parandalimin e shpërthimeve epidemike.

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›