E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rëndohet gjendja shëndetësore e grevistëve në Gjirokastër



GJIROKASTËR – Sapo ka filluar greva, por janë shfaqur problemet e para te disa prej grevistëve që po protestojnë për dëmshpërblimin e banesave të pallatit të shembur në qytetin e Gjirokastrës. Rëndimi i gjendjes së tre personave ka detyruar të shkojë në mjediset e grevës një ekip mjekësor. Mjeku Dilaver Stroka tha: “3 nga 10 grevistët kanë pasur probleme me zemrën, duke shfaqur shenja si aritmi, tension të ulët, etj”. Ndërkohë që njëri prej grevistë nuk duhet të qëndrojë asnjë ditë në ambientet ku po zhvillohet greva, sepse është me kancer. 10 kryefamiljarë që humbën njerëzit e familjes dhe shtëpitë e tyre nga shembja e pallatit në Gjirokastër një muaj më parë janë futur në grevë urie për të fituar dëmshpërblimin monetar që u premtoi qeveria. Makina e urgjencës së Spitalit të Gjirokastrës ka shkuar dy herë gjatë ditës së djeshme në mjediset e grevës për t’u ardhur në ndihmë grevistëve që paraqitën probleme shëndetësore. Ata kanë shqetësime jo vetëm nga mungesa e ushqimit, por edhe nga ambienti tepër i ftohtë e me lagështirë ku po qëndrojnë. Pjesa më e madhe e personave të ngujuar janë rreth të 60-ave gjë që e shton më shumë rrezikun për jetën e tyre. Dje ata kanë hartuar edhe një peticion që ia kanë nisur Presidentit Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit të zonës, Genc Ruli, ku i kërkojnë zgjidhje të problemit. Më datë 9 nëntor në qytetin e Gjirokastrës ndodhi një tragjedi. Një pallat 5-katësh u shemb, duke zënë brenda tij tre persona që humbën jetën. Policia ka arrestuar pronarët e firmës ndërtuese dhe disa punonjës të Bashkisë.

Paralizohet transporti në Vlorë, shoferët e furgonëve në protestë

VLORË - Rreth 30 shoferë furgonësh kanë lënë gjatë ditës së djeshme punën dhe janë mbledhur në qendër të qytetit të Vlorës në shenjë proteste për konkurrencën e paligjshme dhe disa ndryshime të bëra nga Këshilli Bashkiak për vendqëndrimin e tyre. “Ne ankohemi prej vitesh për furgonët me targa të bardha që nuk paguajnë asnjë taksë në shtet dhe punojnë çdo ditë përkrah nesh”, - thonë shoferët e furgonëve të licencuar, ndërsa shtojnë se nuk kanë as mbështetjen e forcave të policisë.
“Kemi kërkuar të flasim me shefin e Qarkullimit Rrugor, por ai nuk na ka pritur”, - thonë shoferët protestues. Gjithashtu ata janë njohur pak kohë më parë edhe me vendimin e Bashkisë së Vlorës për vendqëndrimet e tyre. Më parë, automjetet 8+1 kishin si stacion qendrën e qytetit, tek xhamia, ndërsa tani i kanë dërguar te Rruga e Re. Sipas tyre, furgonët e paligjshëm qëndrojnë ende në qendër, duke marrë pasagjerët e tyre. Është e disata herë që shoferët e taksive me targa të verdha, qoftë 4+1 apo 8+1, protestojnë kundër konkurrencës së paligjshme që dëmton punën e tyre, por deri tani autoritetet vendore nuk kanë marrë asnjë masë.

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›