E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis fluksi i ardhjes së emigrantëve nga jashtë



VLORË - Ka nisur tashmë ardhja e emigrantëve nëpërmjet portit të Vlorës. Ata që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet e fundvitit në Shqipëri kanë filluar lëvizjen nëpërmjet pikave të kalimit kufitar. Burimet zyrtare në portin bregdetar raportojnë se vetëm gjatë ditës së djeshme kanë ardhur me tragetet e linjës Vlorë-Brindisi 350 pasagjerë, 55 automjete dhe 30 kamionë. Shifra parashikohet të ketë rritje të ndjeshme në ditët në vazhdim. Emigrantët tregojnë se kanë ardhur për të kaluar pushimet e fundvitit. “Krahasuar me vitin 2007 pritet që shifra e personave të ardhur nëpërmjet portit të Vlorës të rritet ndjeshëm”, - tha drejtori i policisë kufitare për qarkun, Myzafer Elezi. Ai pohoi se janë marrë të gjitha masat për përballimin e këtij fluksi të sezonit dimëror.

Banorët e Cakranit, protestë për rrugët e këqija

FIER – Rrugët jashtë standardit kanë ngritur në një protestë banorët e komunës së Cakranit në rrethin e Fierit. Gjatë paradites së djeshme, qindra veta kanë vendosur karvanin me makina në aksin Fier-Cakran, duke bllokuar totalisht qarkullimin e automjeteve te tjera. Ata kërkojnë që qeveria të marrë masa urgjente për përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Protestuesit u shprehën se duhet të jepen fonde për rikonstruksionin e aksit që lidh qytetin e Fierit me 13 fshatra të tjerë. Kjo rrugë është gjithë gropa dhe pasojat e saj i vuajnë çdo ditë 18 mijë banorë të komunave: Cakran, Borishomë, Selishtë, Buzëmadh, Hambar, Marobovë, e komuna të tjerë të kësaj zone. Kryetari i komunës së Cakranit tha se mbështet plotësisht protestën e banorëve, si zgjedhje e drejtë e tyre për të kërkuar investimin e munguar. Kryekomunari, Vladimir Korçari shtoi se ka trokitur disa herë në dyert e ministrive për të thithur një fond për rrugën, por kjo nuk është realizuar. Protesta ka mbajtur për rreth 3 orë të bllokuar qarkullimin e mjeteve nga Fieri drejt fshatrave të kësaj zone dhe anasjellas.

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›