E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minoritarët Solis dhe Dule: Berisha, ndal revanshin ndaj minoritetit

Pak dite pasi Bashkimi për të Drejtat e Njeriut la koalicionin qeverisës të së djathtës dhe zyrtarizoi bashkëpunimin parazgjedhor me opozitën, drejtues të PBDNJ-së sulmojnë partinë demokratike, se po shkarkon në shkelje të ligjit nga administrata njerëzit e saj. Kreu i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka akuzuar Partinë Demokratike për spastrime të anëtarëve të minoritetit grek nga administrate shtetërore, pas daljes nga koalicioni i djathtë. Gjatë një konference për shtyp, pasi ka prezantuar kandidatët për deputetë të kësaj force politike, nga Gjirokastra Dule i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të ndalë revanshin ndaj minoritarëve. Reagimi i tij ka ardhur pas largimit nga posti të drejtorit të Shërbimit të Transportit Rrugor një ditë më parë. Dëshiroj të bëj denoncimin praktik të asaj që në parim kam denoncuar prej disa ditësh. Partia Demokratike për arsyet që me filozofinë dhe kulturën e PBDNJ nuk mund të interpretohen, ka filluar një revansh spastrimesh nga administrate shtetërore të përfaqësuesve të minoritetit etnik grek, duke ngatërruar konceptet e një force politike të pozicionit të saj në spektrin politik të vendit me një element tepër thelbësor për një shtet të së drejtës dhe për demokracinë, respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe garantimin e pjesëmarrjes së tyre në administratën publike, ka pohuar Dule.
Gjithashtu ai ka prezantuar edhe kreun e ri të Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut për rrethin e Gjirokastrës, Kristaq Lengon, i cili zëvendëson në këtë post, Spiro Kserën deri në kongresin e jashtëzakonshëm të kësaj force politike. Ndërkohë, shkarkimet nga puna të simpatizantëve të PBDNJ-s, i ka denoncuar edhe kandidati për deputet i kësaj force për Tiranën Leonard Solis, i cili u shpreh se PD-ja ka nisur një hakmarrje politike. Solis i kërkon qeverisë Berisha të ndalojë ato që i cilësoi sulme të paprincipta në fushate elektorale. Përmes shkresave të çuditshme, dje, nëpërmjet komunikimeve telegrafike është shkarkuar nga puna kryetari I PBDNJ të Vlorës dhe sekretari i përgjithshëm i organizatës Omonia në Sarandë. Janë hequr nga funksioni i tyre kur ky i fundit është dhe si përfaqësues i minoritetit dhe mendojmë se kjo luftë do të përshkallëzohet. PD-ja menaxhon atë pushtet që i është dhënë, por ajo nuk është pronarja e administratës, ajo nuk është pronarja e shtetit shqiptar. Duhet të ndalohet kategorikisht shkarkimi i njerëzve nga puna në periudhën e fushatës elektorale për qëllime terrori u shpreh sekretar i përgjithshëm i PBDNJ-së, Solis. Shkarkime të tilla tha Solis nuk janë rruga që mund ta çojë Partinë Demokratike drejt fitores, përkundrazi kanë destinacion të sigurt humbjen. Sipas tij PBDNJ ka ruajtur një marrëdhënie mjaft korrekte jo vetëm me demokratet në qeverisje, por edhe kur këta të fundit kanë qenë në opozitë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›