MSH, strategji e re për dërgimin e specialistëve në zonat e thella
Ministria e Shëndetësisë po përgatit një strategji të re për dërgimin e specialistëve në zonat e thella të vendit. Ministrja Anila Godo, deklaroi se për plotësimin e këtyre spitaleve me specialistë do të ndiqet një taktikë e tillë, që të dërgohen specialistë nga spitalet e tjera apo mjekë të rinj, për dhënien e shërbimit mjekësor për këta banorë. Specialistët do të lidhin kontrata 6- mujore apo 1- vjeçare me Ministrinë e Shëndetësisë për qëndrimin e tyre në këto zona. Mjekët që do të lidhin kontrata do të favorizohen financiarisht. Ministrja e ka parë këtë si të vetmen mënyrë për plotësimin e zonave të largëta me personel mjekësor. Ajo është shprehur se kjo do të jetë një zgjidhje provizore, e cila do të pasohet nga një strategji tjetër, që mund të zgjidhë në mënyrën më të mirë këtë problem. Nga ana tjetër, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor përmes politikave të stimulimit të personelit shëndetësor në zonat e thella, po synon mbulimin e plotë të shërbimit për gjithë popullatën. “Nisur dhe nga kjo politikë e ISKSH-së, sot popullata ka një akses shumë të mirë në shërbimet shëndetësore”, - u shpreh Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana. Sipas saj, mbulimi i popullatës nga mjeku i familjes arrin në një shifër që është 95 %. Pak ditë më parë, Këshilli Administrativ i ISKSH-së, vendosi rritjen e pagave 17% për mjekët e familjes dhe deri në 21% për mjekët specialistë si dhe gjithë personelin e qendrave shëndetësore. Aktualisht, paga mesatare për një mjek në qendrat shëndetësore, së bashku me dy paga shpërblim në vit bëhet 60.000 lekë në muaj. Një mjek në zonat malore e të thella malore, që kryen 6 vizita në ditë do të paguhet me page mujore 79.000 lekë, ndërsa një mjek në zonën qendrore me ngarkesë normale (2000 banorë), me vjetërsi pune 25 vjet dhe që kryen 12 vizita në ditë, do të paguhet me një pagë mujore bruto 47.000 lekë.
Poliklinikat, vihen në funksion pajisjet e reja
Banorët e zonave përreth kryeqytetit do të marrin shërbime mjekësore më të specializuara në Poliklinika. Aktualisht janë vënë në funksion të gjitha pajisjet mjekësore që ka shpërndarë MSH-ja në poliklinikat e Tiranës dhe më pas edhe në rrethe. Për shkak të mungesës së pajisjeve në qendrat shëndetësore nuk mund të kryheshin edhe një numër i madh vizitash apo shërbimesh. për arsye se deri më sot, këtyre shërbime iu kanë munguar pajisjet për t’i realizuar vizitat. Gjendja e tillë e poliklinikave më të drejtë i ka detyruar pacientët të drejtohen në spitalet e mëdha terciare, pa rekomandimin e specialistëve të poliklinikave. ISKSH-ja ka pajisur të gjitha poliklinikat me pajisje të reja, me të cilat do të plotësohen shërbimet shëndetësore që mungonin. Qendrat janë pajisur me sterilizator, ku në të gjitha mjekimet që mund të bëjnë pacientët, të jetë e siguruar higjiena. Ndërsa, vaksinat që kryejnë fëmijët e vegjël, do të mbahen në frigoriferë të rinj portable me qëllim ruajtjen e tyre brenda kushteve të përcaktuara. Shërbimi i Kardiologjisë është me një aparaturë të posaçme që vëzhgon funksionimin e zemrës. Po kështu, pjesa tjetër e kësaj vizite do të kryhet në laboratorë. Të gjitha qendrat shëndetësore të Tiranes (mjekët specialistë) janë pajisur me EKG për diagnostikimin e të sëmurëve kardiologjik brenda qendrës. Gjithashtu laboratorët janë pajisur me fotometër, autoklavë dhe centrifugë për të kryer një numër më të gjerë analizash për pacientët. Qendrat shëndetësore të Tiranës kanë tashmë një set të ri prej 28 pajisjesh bazë dhe së shpejti do të përmbyllet procesi në të gjithë vendin. Këto pajisje do të ndihmojnë mjekët e familjes si edhe specialistet në Tiranë që të ofrojnë në mënyrë sa me cilësore te gjitha shërbimet që janë pjesë e paketës së shërbimeve sistemin parësor. Pacienti duhet të ekzaminohet për shëndetin e tij, por këto ekzaminime janë të domosdoshme edhe për të plotësuar kartelën e të sëmurit dhe për të marrë ato medikamente që atij i nevojiten. Specialistët në qendra pranojnë se deri tani ekzaminimet janë kryer në klinika të tjera, në qendrat e specialiteteve, pasi në qendrat shëndetësore deri tani ka ekzistuar laboratori kimik. Me kryerjen e këtyre ekzaminimeve laboratorike në qendrat shëndetësore, pacienti do ta mbyllë ciklin brenda qendrës shëndetësore. Pajisjet janë të standardeve që kërkohen dhe plotësojnë ekzaminime që nuk janë kryer deri tani në qendrën shëndetësore. Specialistët shprehen se analizat do të kryhen në një kohë më të shkurtër si dhe do të ketë shtim të analizave biokimike 7-8 të tilla, që më parë nuk kryheshin në qendrat shëndetësore.
23 Qershor 2009