E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrenca e pandershme, drejt falimentimit drejtuesit e autobusëve interurban



Drejtuesit e autobusëve interurban shprehen se po shkojnë drejt falimentimit për shkak të konkurrencës së pandershme. Ata shprehen se po konkurrohen në mënyrë të jashtëligjshme nga drejtues të tjerë të autobusëve, të cilët punojnë pa licencën përkatëse. Ndërsa problemi u është paraqitur organeve kompetente, por ende nuk është ndërmarrë asnjë nismë për parandalimin e këtij fenomeni. Drejtuesit me licencë shprehen se fitimet e tyre janë tepër të ulëta, për shkak se detyrohen të qarkullojnë me shumë pak pasagjer. Kjo, pasi udhëtarët ndahen në të gjithë mjetet e udhëtimit, pa pasur i kushtuar rëndësi licencës. Udhëtarëve u intereson udhëtimi për një kohë të shkurtër apo kushtet e automjeteve dhe nuk dëshirojnë të respektojnë oraret e nisjes të vendosura me rregullore. Për këtë arsye drejtuesit e linjave interurbane shprehen se janë në vështirësi dhe po shkojnë drejt falimentimit, pasi janë të detyruar të ulin dhe çmimet e biletave. Njëkohësisht, çështje tjetër problematike për ta është edhe çmimi i karburanteve, që duke u gjendur në këto kushte bëhet edhe më i papërballueshëm. Krerët e sindikatave të shoferëve kanë protestuar disa herë duke pezulluar udhëtimet apo duke u futur në grevë urie, por deri më tani ende nuk u është dhënë një zgjidhje problemeve të tyre. Ky nuk është rasti i parë që drejtuesit e automjeteve ankohen për shkak të konkurrencës së pandershme. I njëjti problem ka ndodhur edhe me drejtuesit e shërbimit taksi në kryeqytet, të cilët u ankuan në Bashkinë e Tiranës se po konkurroheshin në mënyrë të jashtëligjshme nga taksitë pirate. Kërkesat e tyre, u diskutuan në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku u vendosën dhe rregullat e reja për shërbimin taksi, për të licencuarit. Ata tashmë janë të pajisur me taksimetra, me numra telefoni, si dhe automjetet e tyre kanë ngjyra të përcaktuara me rregullore nga Shoqatat e Taksistëve dhe Bashkia e Tiranës.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›