E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH u informua nga mediat për gripin

(Update) Ministria e Shëndetësisë e ka pranuar se nuk është informuar zyrtarisht për rastet e dyshuara me gripin A/H1N1 në Çagllavicë dhe dy vendbanime të tjera me serbë në Kosovë. Ndërsa 1000 tableta Tamiflu janë dërguar sot në Qendrën e Mjekësisë në Çagllavicë, me kërkesë të drejtoreshës së kësaj qendre, Rada Trajkoviq.

MSH thotë se për të, raste të konfirmuara zyrtarisht janë vetëm ato raste që raportohen në institucionet kosovare.

Zëdhënësi Faik Hoti ka thënë për Kosovapress se Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar dhe autoritetet e qendrave mjekësore në lokalitetet serbe nuk janë të informuara zyrtarisht për këto raste, sipas tij rasti është bërë i ditur përmes medieve serbe. Sipas këtyre shënimeve që kanë plasuar këto media, bëhet fjalë për tri raste të lehta, të cilat nuk kanë ndonjë simptomatologji të rëndë, ka thënë Hoti.

Por zyrtarët e MSH-së saktësuan se drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë në Çagllavicë, Rada Trajkoviq, ka kërkuar ndihmën e MSH-së për medikamentin Tamiflu. Gjatë ditës së sotme kësaj qendre i janë shpërndarë 100 kuti, apo 1000 tableta 70 mg të medikamentit Tamiflu. Një porosi tjetër do të dërgohet nesër dhe e njëjta gjë vlen edhe për lokalitetet tjera ku janë të banuara me komunitetin serb, ka thënë Hoti.

Pas raportimit në mediat serbe se autoritetet shëndetësore lokale serbe në Kosovë kanë evidentuar tri raste të Gripit të ri A H1N1 në Graçanicë, në veri të Mitrovicës dhe në Gorazhdec, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, bën të ditur se raste të konfirmuara zyrtarisht për autoritetet shëndetësore të Kosovës, janë vetëm ato raste që zyrtarisht raportohen në institucionet zyrtare të Kosovës si në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, dhe që konfirmohen përmes Qendrës Kombëtare (laboratorit) të Gripit të Kosovës, thuhet ndërkaq në një komunikatë shtypi, të lëshuar pasdite për media.

Sipas komunikatës, gjatë ditës së sotme, Ministria dhe IKSHP-së, kanë mbajtur kontakte me autoritetet e qendrave shëndetësore lokale serbe që bashkëpunojmë me Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë dhe atyre u është ofruar gatishmëria që ekipet e epidemiologëve nga sistemi publik shëndetësor i Kosovës, sipas nevojës, të hulumtojnë aspektet epidemiologjike në zonat e dyshuara për raste të Gripit.

Ministria u bën apel qytetarëve të vendit që të jenë të kujdesshëm, të përcjellin këshillat e autoriteteve shëndetësore dhe mos të krijojnë panik, pasi situata është në kontroll të plotë.

Tri raste të reja të gripit të derrave

Nga instituti Torokal kanë arritur rezultatet që konfirmojnë se tre persona janë të infektuar me gripin e derrave.

Aktualisht s`ka vend për panik sepse pacientët nga Graçanica, Mitrovica dhe Gorazhdevci ndihen mire pasi që më parë kishin temperaturë të lartë, kollë të thatë dhe dhembje në muskuj tha Rada Trajkovic.

Me virusin e gripit të derrave në Graçanicë është infektuar një vajzë 13 vjeçare . Ajo bashkë me disa dhjetëra nxënës të klasës së 8, kohë më parë ishin në ekskursion në Lepenski Vir , në Serbi. Vajza jeton në një familje katër anëtarëshe.

Mjekët e shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë po e përcjellin gjendjen e vajzës pohon Trajkovic duke shtuar se vajza ndihet mire të enjten paradite.

Virus AH1N1 është izoluar edhe te një fëmijë nga Mitrovica veriore. Fëmija po shërohet në shtëpi dhe ndjehet mirë.

Mjekët në Mitrovicë kanë thënë se përkundër shfaqjes së gripit të derrave në qytet nuk ka vend për panik, sepse në përputhje me rekomandimet që ka dhënë MSH e Serbisë do të ndërmerren të gjitha masat e domosdoshme epidemiologjike.

Personi i tretë i infektuar është nga Gorazhdevci dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Këta tri raste i kanë konfirmuar edhe zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›