U vetëvar në burg, 10 mijë $ gjobë institucionit
Gjykata e Tiranës dënoi dje Burgun 313 me një gjobë në favor të familjes së një të arrestuari të vetëvrarë në paraburgim
Familja kishte kërkuar dëmshpërblim 25 mijë USD, për shkak të mos krijimit të kushteve për siguri në qeli
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, pas nëntë seancave gjyqësore vendosi të pranoi pjesërisht padinë civile të familjes së shtetasit Mihallaq Karaj, i vetëvarur me 3 prill 2006, duke "gjobitur" me 10 mijë dollarë amerikane Repartin e Paraburgimit "Jordan Misja", për mungesë të kushteve të sigurisë.
Ka qenë vendimi i gjyqtares Elona Stavri, e cila ka pranuar se institucioni i paraburgimit "Jordan Misja (313) i ka neglizhuar rregullat strikte të institucionit për heqjen e sendeve të ndaluara (lidhëset e tutave) brenda qelisë së paraburgimit, me të cilat i riu ndërmori veprimin fatal, duke u vetëvarur brenda qelisë së paraburgimit.
Sipas vendimit, viktima u vendos në një qeli së bashku me një person tjetër, ndërsa karakterizohej nga një situatë tejet e rënduar, pasi nuk kishte qenë asnjëherë në burg. Aty ai u përball me një ambient të papranueshëm dhe në kushte jonormale, çka ndikoi negativisht në gjendjen e tij psikologjike.
Gjatë natës, katër punonjësit e regjimit të brendshëm të paraburgimit 313 nuk i kanë kushtuar rëndësi gjendjes së Mihallaq Karajit i cili sapo ishte vendosur në këtë institucioni dhe nuk kanë ushtruar kontrollin dhe mbikëqyrjen e duhur mbi të.
Viktima ndodhej i traumatizuar dhe nuk iu ofrua asnjë analizë psikologjike për të përcaktuar gjendjen e tij. Ndërkohë ishte detyrim i personelit të burgut që ta kontrollonte atë për sende të ndaluara, gjë që nuk është bërë",-thuhet në vendim.
Për këtë fakt gjykata vendosi që institucioni i paraburgimit "Jordan Misja" të dëmshpërblejë me shumën prej 10 mijë dollarësh familjen e viktimës, duke pranuar pjesërisht kërkesë padinë.
Në të babai i viktimës nëpërmjet Grupit Shqiptar për Drejtat e Njeriut kërkoi që reparti i paraburgimit të paguajë dëmshpërblimin në masën e 25 mijë dollarëve amerikanë për humbjen e jetës së djalit të tyre.
Ndërkohë, ka qenë mëngjesi i hershëm i datës 3 prill 2006 kur efektivët e policisë e kanë gjetur të vetëvarur brenda qelisë studentin e Stomatologjisë Mihallaq Karaj, të cilit me datë 2 prill të 2006 me kërkesë të prokurorisë Gjykata e Shkallës së Parë kishte caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për dyshimin e konsumimit të veprës penale të "vjedhjes" bashkë me një shokun e tij më 11 nëntor 2005 në Qytetin Studenti, ku mendohet se kanë vjedhur në një lokal një kompjuter.