E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërohen edhe tre drejtorë të rinj në Polici

Një ditë pas emërimeve të kryera nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ai ka firmosur edhe disa të tjera në disa vende të mbetura vakante.


Kështu në postin e Drejtorit të Policisë së Qarkut të Vlorës, është emëruar Ylli Metko, i cili deri dy ditë më parë, kryente funksionin e Zëvendësdrejtorit të Policisë së Elbasanit. Metko zëvendësoi në këtë mënyrë, Vebi Bushatin, i cili u shkarkua nga kjo detyrë të mërkurën nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.


Ndërkaq, veç emërimit të Metkos në krye të qarkut të Vlorës, Enver Lirza, ish- Drejtor i Personelit, është emëruar Drejtor i Administratës së Kufirit e Migracionit. Lirza ka ndërruar vendin me Dashamir Maçin, i cili më parë kryente detyrën ku është emëruar Lirza. Në këtë mënyrë numri i funksionarëve të lartë qarkulluar në Policinë e Shtetit, brenda dy ditësh, ka shkuar në 21 oficerë.


Nga transferimet e kryera të mërkurën, ka mbetur ende vakant detyra e Drejtorit të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, si dhe disa funksione zëvendësdrejtorësh e disa të tjera më të ulëta. Por veç këtyre transferimeve, pritet të ketë ndryshime edhe në nivelet e shefave të komisariateve dhe të shefave të sektorëve e seksioneve, thuajse në të gjitha Drejtoritë e Policisë në qarqe.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›