E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi nis fushatën

Tri raste të reja me gripin e derrit janë shënuar në Kosovë. Të tre personat e infektuar me gripin Ah1n1 janë serbë kosovarë.

Në të tri rastet bëhet fjalë për persona të infektuar në tri vendbanime të banuara kryesisht me banorë serbë.

Rasti i parë ka të bëjë me një vajzë 13 vjeçare nga Graçanica , një tjetër në Gorazhdec si dhe një person tjetër në Mitrovicë.

Mediet serbe njoftojnë se nga Instituti Torakal kanë arritur rezultatet që konfirmojnë se tre persona janë të infektuar me gripin e derrave.

Aktualisht s`ka vend për panik sepse pacientët nga Graçanica, Mitrovica dhe Gorazhdevci ndihen mire, pasi që më parë kishin temperaturë të lartë, kollë të thatë dhe dhembje në muskuj, tha Rada Trajkovic.

Me virusin e gripit të derrave në Graçanicë është infektuar një vajzë 13 vjeçare.

Ajo bashkë me disa dhjetëra nxënës të klasës së 8 kohë më parë ishin në ekskursion në Lepenski Vir në Serbi. Vajza jeton në një familje katër anëtarëshe.

Mjekët e shtëpisë së shëndetit në Graçanicë po e përcjellin gjendjen e vajzës, pohon Trajkovic, duke shtuar se vajza ndihet mire të enjten paradite.

Virusi AH1N1 është izoluar edhe te një fëmijë nga Mitrovica veriore. Fëmija po shërohet në shtëpi dhe ndihet mirë.

Mjekët në Mitrovicë kanë thënë se përkundër shfaqjes së gripit të derrave, në qytet nuk ka vend për panik, sepse në përputhje me rekomandimet që ka dhënë MSH e Serbisë do të ndërmerren të gjitha masat e domosdoshme epidemiologjike.

Personi i tretë i infektuar është nga Gorazhdevci dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Por, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se rastet e konfirmimit të gripit te derrave mund të konstatohen vetëm përmes MSh dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës bën të ditur se raste të konfirmuara zyrtarisht për autoritetet shëndetësore të Kosovës janë vetëm ato raste që zyrtarisht raportohen në institucionet zyrtare të Kosovës si në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, dhe që konfirmohen përmes Qendrës Kombëtare (laboratorit) të Gripit të Kosovës, thuhet në një njoftim të MSH-së.

Megjithatë, zyrtarë të MSH thonë se Ministria e Shëndetësisë, që prej shpalljes së pandemisë së gripit A H1N1, u ka ofruar ndihmë në medikamente të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës pa dallim dhe ka ofruar medikamentin Tamiflu edhe për pjesëtarët e komunitetit serb në krejt territorin e Kosovës.

Ministria bën të ditur se me kërkesë të drejtoreshës së shtëpisë së shëndetit në Graçanicë, Rada Trajkovic, MSh ka dërguar gjatë ditës së sotme 1.000 tableta Tamiflu në këtë qendër, ndërkohë që një porosi tjetër me medikamente dhe material shpenzues mbrojtës do të dërgohet nesër në këtë qendër.

Gjatë ditës së sotme, Ministria dhe IKSHP-së kanë mbajtur kontakte me autoritetet e qendrave shëndetësore lokale serbe që bashkëpunojmë me Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë dhe atyre u është ofruar gatishmëria që ekipet e epidemiologëve nga sistemi publik shëndetësor i Kosovës, sipas nevojës, të hulumtojnë aspektet epidemiologjike në zonat e dyshuara për raste të gripit, thonë zyrtarë të lartë të MSh.

Ministria u bën apel qytetarëve të vendit që të jenë të kujdesshëm, të përcjellin këshillat e autoriteteve shëndetësore dhe mos të krijojnë panik, pasi që situata është nën vrojtim të përhershëm dhe nën kontroll të plotë.

OBSH: H1N1 është shndërruar në virus dominues

Eksperti kryesor për gripin e derrave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Kiexhi Fukuda, ka thënë të enjten se A/H1N1 është shndërruar në grip dominues në gjithë botën.

Në një konferencë telefonike për media të enjten, Fukuda tha se në disa vende virusi i gripit të ri të derrave është paraqitur në 70 për qind të rasteve të personave të sëmurë. Sipas tij, OBSH-ja ka konstatuar se virusit A/H1N1 më tepër i janë nënshtruar personat me sëmundje kronike dhe shtatzënat, por edhe të rinjtë. Fukuda ka thënë se nuk duhet nënvlerësuar efikasitetin e vaksinave.

Vaksinimi kundër gripit të ri është në rrjedhë në më shumë se 20 vende dhe se OBSH është e bindur se vaksina është mjaft efikase, ka thënë ai. Për më tepër, Fukuda ka thënë se OBSH është e befasuar se vaksina duket se ndikon vetëm pasi të merret doza e parë, që do të thotë se numri i vaksinave në dispozicion është më i vogël sesa nevojat për vaksinim. Sipas të dhënave më të reja të OBSH-së të 30 tetorit, nga virusi H1N1 për shtatë muaj kanë vdekur të paktën 5.700 persona.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›