MTI rrezikon të gjobitet me 16 milion euro

Në Departamentin Ekonomik të Gjykatës Themelore në Prishtinë, këtë javë është mbajtur për të tretën herë, seanca përgatitore ndërmjet palëve ndërgjyqësore Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe “Gorenje Elektromotori” me seli në Gjakovë. Kjo ripërsëritje ndodhi si rezultat i ndërrimit të gjyqtarit të çështjes.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë paditet meqë pretendohet të ketë dëmtuar materialisht “Gorenje Elektromotorin” me seli në Gjakovë, si rezultat i shpërfilljes së fakteve, argumenteve dhe ligjit me rastin e shqyrtimit të aplikacionit për ta regjistruar këtë biznes si person juridik. Si rezultat, “Gorenje Elektromotori” pretendon se është detyruar që ta ndërpresë aktivitetin prodhues në fabrikë me ç’rast i është shkaktuar një dëm material i pariparueshëm, shkruan gazeta Jeta ne Kosovë.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) rrezikon të gjobitet me 16 milionë e 442 mijë e 445 euro, sa ka kërkuar paditësja, në emër të dëmit material, kamatës ligjore dhe shuarjes së perspektivës së ndërmarrjes.
Përfaqësuesi i autorizuar i palës paditëse, Albert Baraku, theksoi se si rezultat i mosregjistrimit të veprimtarisë brenda periudhës 2003-2006, “Gorenje Elektromotori” me seli në Gjakovë ka qenë inekzistente, andaj nuk kanë mundur të shpalosë bindjen te Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) për t’ia bërë regjistrimin e nevojshëm.
Megjithatë në vitin 2006 është marrë vendim nga Gjykata Ekonomike që në afat prej 30 ditësh, e paditura ta regjistrojë “Gorenje Elektromotorin”. Përkundër kësaj, nga viti 2006-2008 nuk është pranuar asnjë dokument ligjor se personi juridik në fjalë është regjistruar.
“‘Gorenje Elektromotori’ ka qenë vazhdimisht aktive në ushtrimin e veprimtarisë së saj e këtë e ka konstatuar Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës”, tha përfaqësuesi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë.
Shqyrtimi kryesor u caktua për datën 8 prill. /Gazeta Jeta në Kosovë/