E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: Mësuesit nuk kursyen asgjë për të arsimuar popullin

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, tha se 7 Marsi - Dita e Mësuesit, për Kosovën ka simbolikën dhe rëndësinë e saj, për faktin se gjenerata të tëra mësuesish janë sakrifikuar për mësimin shqip, për shkronjën shqipe, sakrifikuan që të na mësojnë si të duhet Atdheu, si të punohet e të çohet përpara vendi ynë.

Në pritjen që organizoi për disa mësues të Prishtinës, Mustafa kujtoi se Dita e Mësuesit, 7 Marsi i vitit 1887, është dita kur u hap Mësonjëtorja e pare shqipe në Korcë, para 126 vjetëve. Kjo datë e shënuar sot e kësaj dite ka mbledhur rreth vetes, të gjithë shqiptarët, pa dallim krahine, ideje e feje.

“Mësuesit tanë, arsimtarët, profesorët u bënë udhërrëfyes për rrugën e të ardhmes se shumë gjeneratave. Në këtë ditë të diturisë, u themi të gjithë mësuesve tanë se kanë një rol të veçantë në zhvillimin e tempullit të dijes, se kanë një rol historik në çuarjen e Kosovës përpara.”, tha ai, ndërsa vlerësoi se kjo është dita kur nderohen mësuesit për përpjekjet e tyre, përkushtimin për të ofruar njohuri për fëmijët tanë. “Kjo është ditë shumë e veçantë, e cila është e dedikuar për mësuesit, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e nxënësve të tyre”, tha Mustafa, dhe shtoi: “7 marsi është një ditë nderimi për gjithë ata që nuk kursyen asgjë për dekada për të arsimuar popullin tone. Ata janë shtylla me e fort e shoqërisë, që meritojnë respekt dhe trajtim të veçantë”.

Kreu i Prishtinës u shprehu mirënjohje punës së jashtëzakonshme të mësuesve dhe të shkollës shqipe, në të gjitha periudhat e ekzistencës së saj.

“Për ne përherë ka qenë në qendër të interesimit edukimi, mësimdhënësit dhe nxënësit, për të cilët ne edhe më tej do të vazhdojmë të angazhohemi, me qëllim që t’u krijojmë kushte shumë më të mira për punë, paga më të larta dhe jetë më dinjitoze”.

Në vazhdim të fjalës së tij Isa Mustafa theksoi se Komuna e Prishtinës është prijëse në avancimin e arsimit, duke i kushtuar rëndësi të veçantë kësaj fushe. “Arsimit i kemi dhënë prioritet të lartë. Nuk kemi kursyer që të investojmë në ndërtimin, zgjerimin dhe renovimin e objekteve shkollore në kryeqytet”, tha ai.
Në këtë kontekst ai vuri në pah se me objektet e reja, të cilat janë ndërtuar gjatë viteve të fundit është shtuar hapësira mësimore për kokë nxënësi , e cila është rritur nga 1.60 m2 sa ka qenë në 1.77 m2 për kokë nxënësi. Kjo, vlerësoi Mustafa, është një rritje për 11% të hapësirës për kokë nxënësi, me të cilën gjë është eliminuar ndërrimi i tretë në shkollat fillore dhe të mesme komunës.
Kryetari i Prishtinës u zotua se pavarësisht kësaj, orientimet janë që kushtet e mësimdhënies dhe mësim-nxënies t’i përmirësojnë jo vetëm duke investuar në objekte, por, edhe duke investuar edhe në mirëqenien e mësuesit gjë që do të reflektojë në rritjen cilësisë në arsim.

“Ne e vlerësojmë dhe krenohemi me punën që po e bëni në të mirë të Kosovës dhe të kombit tonë”, tha në fund të fjalës së tij, Isa Mustafa në shënimin e 7 Marsit - Ditës së Mësuesit ./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›