E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Ja provat për vrasjen me sëpatë

Zalo Xite, autori i vënë në pranga për vrasjen e 53-vjeçarit nga Rehova, nuk e ka pranuar krimin edhe pse sipas të dhënave zyrtare të policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur gjurmë dhe prova të shumta që vërtetojnë autorësinë. Këto të fundit dëshmojnë për prezencën e 22-vjeçarit në banesën e viktimës, ditën kur ky i fundit është gjetur i vdekur në banesë, ndërkohë që në armën e krimit, që ka qenë një sëpatë, ka pasur shenja gishtash. Burime të policisë thanë se pas arrestimit 22-vjeçari Xite ka mohuar autorësinë, por janë edhe disa provat shkencore që pritet të konfirmojnë implikimin e tij, pasi pritet edhe një përgjigje e laboratorit kriminalistik për të dokumentuar me të dhëna të tjera plotësuese faktin se 22-vjeçari Zalo Xite ka masakruar bashkëfshatarin e tij. Krahas gjurmëve të gishtërinjve, balta e shkelur nga autori, por edhe fije flokësh kanë qenë elementë që janë zbuluar duke vërtetuar se 53-vjeçari është vrarë. Policia tha se është e qartë që motivi i vrasjes ka qenë grabitja, pasi është konfirmuar se viktima dispononte një shumë parash që ia kishte sjellë djali i tij nga emigracioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›