Bleu mall të vjedhur, tregon hajdutët
Një vjedhje e ndodhur tri ditë më parë ka përfunduar me vënien në pranga të një shtetasi dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve. Një person që kishte blerë mallin e vjedhur është arrestuar nga policia dhe më pas ka treguar për autorët e vjedhjes, të cilët janë shpallur në kërkim. Burimet policore bënë të ditur se kanë identifikuar autorët e vjedhjes së ndodhur në orët e para të 6 dhjetorit në një dyqan celularësh në fshatin Fiershegan. Policia ka arrestuar fillimisht Ervin Ferkon, një shitës ambulant celularësh, të cilit i janë gjetur mallrat e vjedhur në Fiershegan. Ky i fundit i ka treguar policisë se i kishte blerë celularët dhe aksesorët e vjedhur te dy djem, të cilët policia i ka identifikuar si autorë të vjedhjes dhe i ka shpallur në kërkim.