Nis kompensimi në lekë i ish-pronarëve
Nis procesi i regjistrimit për kthimin në vlera monetare të pronave për ish-pronarët. Lajmi vjen prej Agjencisë Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Fier, e cila ka nisur prej disa ditësh procesin e regjistrimit të ish-pronarëve të cilëve do t‘u kompensohen me vlera monetare pronat e shtetëzuara nga regjimi komunist. Sipas drejtueses së Agjencisë Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Fier, Vasilika Hysi, të gjithë ata ish-pronarë që nuk kanë përfituar më parë nga kthimi i pronave do të shpërblehen në këtë proces që duhet të përfundojë brenda këtij viti. Ndërsa edhe pak ditë janë në dispozicion të këtij procesi dhe të vitit 2008, numri i aplikantëve që kanë shprehur interes pranë ARKKP-së Fier, për t‘u kompensuar për pronat në vlera monetare, ka qenë i lartë. Shuma në dispozicion të këtij procesi shkon në 500 milionë lekë të rinj për të gjithë aplikuesit në të gjithë vendin, ndërsa nuk dihet ende se ç‘pjesë e kësaj shume do të shkojë për ish-pronarët e Fierit. Drejtuesja e ARKKP-së Fier, Vasilika Hysi, sqaron se kompensimi në vlera monetare do të bëhet për të gjithë ata ish-pronarë që disponojnë toka truall dhe që rezultojnë se nuk kanë përfituar kthim fizik të tyre. "Ka filluar procesi i kompensimit monetar për të gjitha subjektet e shpronësuara që kanë vendim të komisionit të vitit 1993 e në vijim deri në vitin 2008. Regjistrimi për këto kërkesa bëhet në zyrën qendrore të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave, e cila është kompetente për trajtimin e këtyre kërkesave dhe procesin e kompensimit", tha Hysi. Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë evidentimi i sipërfaqes së tokës shtetërore që posedon Qarku i Fierit, duke shënuar kështu nisjen e procesit të kthimit fizik të pronave për ish-pronarët.