E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, vritet në makinë biznesmeni

Vrasjet në Shkodër nuk ndalen as në ditë festash fetare. Një 45-vjeçar është qëlluar për vdekje me plumb në kokë brenda në makinën e tij luksoze, pasditen e djeshme rreth orës 17:00. Krimi i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Shkodër -Barbullush. Viktima quhet Arben Bideni, lindur në fshatin Barbullush dhe banues në qytetin e Shkodrës. 45-vjeçari Bideni ushtronte një aktivitet privat në fushën e ndërtimit dhe aktualisht ishte duke ndërtuar një pallat te sheshi "Isa Boletini" në qytetin e Shkodrës.

Sipas burimeve nga policia, në lidhje me ngjarjen mësohet se autori i vrasjes dyshohet të jetë një person nga fshati Barbullush, Afrim Rraboshta, i cili është shpallur në kërkim. Sipas versionit të nxjerrë nga policia, e cila u referohet dëshmive të disa personave të marrë në pyetje dje, viktima dhe autori i vrasjes kanë qenë duke pirë së bashku në një lokal në fshatin Barbullush kur mes tyre ka lindur një debat.

Nga burimet policore mësohet gjithashtu se lokali ku po pinin Arben Bideni dhe Afrim Rraboshta është në pronësi të vëllait të autorit të dyshuar të vrasjes. Pasi kanë debatuar për disa minuta, viktima dhe vrasësi kanë hyrë në makinën e viktimës dhe pasi kanë ecur rreth 400 metra me makinë janë ndalur anës rrugës, ku debati mes tyre është ashpërsuar. Dyshohet se në këtë moment, Rraboshta ka nxjerrë pistoletën që mbante në brez dhe ka qëlluar me dy plumba në kokë Arben Bidenin, i cili ishte duke ngarë makinën. Bideni ka vdekur në vend dhe autori i krimit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin ngjarjes ka gjetur trupin e pajetë të Arben Bidenit brenda makinës luksoze tip "Mercedes Benz Regina" me targë SH 3577 E. Kur ka mbërritur policia, makina ka qenë ende e ndezur dhe trupi i pajetë ndodhej në ndenjësen e shoferit. Në lidhje me motivet e ngjarjes, policia ende nuk ka saktësuar arsyet e kësaj vrasjeje, ndërkohë që janë ngritur disa pista, nga ajo e grindjes së çastit deri te larjet e hesapeve.

Ndërkohë, forca të shumta policie kanë ngritur postblloqe të lëvizshme në aksin rrugor Shkodër - Barbullush. Gjithashtu, nga burime konfidenciale të policisë mësohet se nga kontrollet e ushtruara në banesën e të dyshuarit dhe e dy vëllezërve të tjerë të tij nuk është gjetur asnjë mashkull, por vetëm prindërit, të cilët janë pyetur nga policia dhe janë shprehur të habitur për ngjarjen, pasi me viktimën kishin njohje të ngushta dhe e dinin që djemtë ishin shokë me të. Policia ka marrë në mbrojtje pleqtë, pasi largimi i vëllezërve të vrasësit, njëri prej të cilëve është kryetari i Partisë Socialdemokrate për Shkodrën, tregon se ata i druhen hakmarrjes. Për këtë arsye, policia po vëzhgon edhe lëvizjet e të afërmve të viktimës, me qëllim shmangien e ndonjë krimi të dytë.

Ndërkohë, mësohet se në Komisariatin e Policisë së Shkodrës janë shoqëruar disa persona, që ndodheshin në lokal, kur mes viktimës dhe autorit ka lindur debati.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›