E Diel, 1 Nëntor 2026

MTKRS-ja, veprime jashtë ligjit

TIRANË – Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS) po kryen veprime të jashtëligjshme lidhur me zgjedhjet e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH). Kjo ishte akuza e bërë dje nga presidenti i KOKSH-it, Hysen Domi, në adresë të ministrisë. “Në kundërshtim me statutin, - u shpreh Domi në një konferencë për shtyp në 13.30 në selinë e KOKSH-it, - ministria ka krijuar një komision “ad hoc” të jashtëligjshëm për të monitoruar zgjedhjet, ndonëse në këtë komision ka figura të respektuara”.

“Po ashtu, ministria duhet të tërheqë urdhrin për të zhvilluar zgjedhjet nëpër federatat e ndryshme deri në muajin dhjetor, edhe ky i jashtëligjshëm”, - vazhdoi Domi. Presidenti, që po i jep fund mandatit të tij të dytë pa të drejtë zgjedhjeje tjetër, shprehur besimin se MTKRS do të reflektojë për të mos shkuar konflikti në rang ndërkombëtar.

“Ne duam të tregojmë se mund t’i zgjidhim problemet tona brenda Shqipërisë, - tha ai, - jo si në rastin e futbollit, sepse i humbur do të jetë vetëm sporti shqiptar, por nëse presionet do të vazhdojmë, do të jemi të detyruar të raportojmë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”.

Ministri Pango, nga ana e tij, ka premtuar se zgjedhjet nëpër federata dhe në KOKSH do të jenë të lira, pa ndërhyrje nga institucioni. “Nuk bëhet fjalë për ndërhyrje, - tha ai, - ata kanë statutet e tyre, sipas të cilave duhet t’i zhvillojnë në një afat të caktuar. Nëse duan të shkelin statutet e tyre, kjo është punë për ta”.

Domi deklaroi edhe se MTKRS nuk ka firmosur statutin e KOKSH-it, ndonëse, sipas tij, janë ndërruar 9 ministra dhe statuti është dërguar 8 herë atje. “Është e pashpjegueshme që statuti ende nuk është firmosur, ndërsa ministria vendos që të ndërrojë emrin nga KOKSH në Komitet Olimpik Shqiptar, në mënyrë të padrejtë”, - përfundoi ai.

Zgjedhjet e reja në KOKSH janë caktuar për më 6 dhjetor të këtij viti, datë që u caktua nga mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të datës 24 tetor. Mesa dihet për postin e lartë do të kandidojnë shefi i delegacionit olimpik, Fidel Ylli dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngrtjes, Esat Ademi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›