Kosova vendos vetë

Daniel Frid: Amerika e respekton qëndrimin e Kosovës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin shtetin e Kosovës dhe qeverinë e tij. Ishte kjo deklarata e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Azinë, Daniel Frid, e cila konfirmoi hapur qëndrimin e Uashingtonit në favor të autoriteteve të Prishtinës sa i përket planit gjashtëpikësh të propozuar prej sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Pas një takimi që zgjati më shumë se dy orë me presidentin e vendit, Fatmir Sejdiun dhe me kryeministrin Hashim Thaçi, gjatë një konference për shtyp të transmetuar drejtpërdrejt nga RTK-ja, Frid bëri të ditur porosinë kryesore amerikane për popullin e Kosovës, se SHBA-të e njohin atë si shtet sovran dhe qeverinë e Kosovës si sovrane në vendimet e saj. Në këtë mënyrë, edhe pse jo drejtpërdrejt, ai shprehu përkrahjen amerikane ndaj kundërshtimit që autoritetet kosovare i bëjnë planit të Ban Ki Munit. Ai po ashtu përsëriti qëndrimin që EULEX-i duhet të vendoset në gjithë territorin e Kosovës, por duke shprehur respekt për këndvështrimin e institucioneve të Kosovës lidhur me gjashtëpikëshin. “Ne e mbështesim vendosjen e misionit të EULEX-it sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha Frid, duke konfirmuar qëndrimin amerikan se është Kosova, ajo që duhet të vendosë për këtë proces. “Kosova është vend i pavarur dhe sovran dhe askush nuk duhet të mendojë të kundërtën”, shtoi ai. Diplomati i lartë amerikan la të kuptohej se Shtetet e Bashkuara do të preferonin rishikimin e planit në fjalë, në mënyrë që të zgjidhej ngërçi aktual mes Prishtinës zyrtare dhe Kombeve të Bashkuara. “Nëse do mendoja se problemet do të zgjidheshin me një rishikim të atij plani, unë do të isha i atij mendimi, por duhet të konsultohet edhe qeveria e Kosovës, si qeveri e një vend sovran”, tha Frid. Por mbi të gjitha, ai shtoi se ky plan është i përkohshëm. “Gjithsesi, ne respektojmë faktin se qeveria e Kosovës ka një këndvështrim tjetër. Mbështetja dhe miqësia jonë mbetet e fuqishme”, tha Frid, duke porositur se Amerika e mban fjalën. Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Thaçi sërish shprehën falënderimet për popullin dhe qeverinë amerikane për mbështetjen në kohët më të këqija për Kosovën, duke shprehur qëndrimin kundër gjashtëpikëshit, por pa hequr dot nga miqësia dhe aleanca me SHBA-të dhe nga perspektiva euroatlantike.