E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset shqiptare: Si po ndikohemi nga kriza greke



Laura Çela

Në një kohë kur shteti fqinj, Greqia, është mbërthyer në një krizë të rëndë ekonomike, në Shqipëri, drejtuesit e bizneseve shqiptare, po “merakosen” për të ardhurat e tyre. Arsyeja është e thjeshtë: në Greqi, sot punojnë e jetojnë rreth 600,000 emigrantë shqiptarë, të cilët periodikisht dërgojnë të ardhura për familjet e tyre në vend, ndërkohë që në periudhat kur ata vijnë në Shqipëri, gusht e dhjetor, konsumojnë në tregjet vendase. Një krizë në Greqi do të thotë më pak emigrantë në punë, e si rrjedhojë, më pak para që vijnë drejt tregut shqiptar.

Për Samir Manen, përfaqësuesin kryesor të tregtisë me pakicë në vend, përmes kompanive të ndryshme në këtë sektor, kriza greke ka nisur të ndihet e do t’i shtrijë efektet së paku deri në gjysmën e parë të këtij viti. “Kemi përllogaritur se do të kemi një ulje të shitjeve, qoftë në Qendrën Tregtare Univers e qoftë në dyqanet e tjera të qendrës, si pasojë e krizës në Greqi. Mund të themi pa frikë se kriza më e madhe për ne, por edhe për bizneset e tjera, është pikërisht në këta muaj”, shprehet Mane.

E në fakt, sipas të dhënave nga “Neptun”, zinxhiri i tregtimit të elektroshtëpiakeve në vend, niveli më i lartë i shitjeve të artikujve, është pikërisht në gusht dhe dhjetor, pikërisht në periudhat kur në vend mbërrijnë emigrantët.

“Kemi vënë re një ulje të shitjeve gjatë këtyre dy muajve dhe këtë fakt e lidhim pikërisht me krizën në Greqi. Një rënie e ndjeshme vihet re sidomos në dyqanet në Fier, Lushnjë e Kavajë, që kanë edhe më shumë emigracion grek. Gjithsesi rënie po shohim edhe në Tiranë”, thotë administratori i “Neptun”, Julian Mane.
Sipas tij, emigrantët grekë kanë një efekt shumë të rëndësishëm në treg, sepse numri i tyre është i lartë dhe si rrjedhojë ndikimi i të ardhurave të tyre në ekonomi është i ndjeshëm.

Të njëjtin shqetësim e konfirmon për “Monitor” edhe administratori i kompanisë së prodhimit dhe tregtimit të mobilieve, “Shaga”. Sipas Përparim Agimit, në muajt e parë të 2010-s ka një rënie të ndjeshme të shitjeve, ku efekt dominues ka kriza në Greqi. “Tani duket se kriza po thellohet edhe më shumë për ne”, shprehet ai.

Bankat greke të shëndetshme

Bankat greke kanë ndaluar kryerjen e transfertave drejt degëve të Europës Juglindore, duke i lënë ato që të financojnë huadhënien tërësisht nga depozitat lokale.
Në Shqipëri, numërohen tri banka greke, “Alpha Bank”, “National Bank of Greece” dhe “Tirana Bank”, që kanë peshë të konsiderueshme në sistemin bankar në vend
Bankat me kapital grek zënë një pjesë të konsiderueshme në sistemin bankar shqiptar. Sipas të dhënave të fundit të Shoqatës së Bankave, tre bankat me kapital grek (“Alpha”, “Tirana Bank” dhe “National Bank of Greece”) zinin 22.2 për qind të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar në fund të shtatorit 2009. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pesha e bankave greke ka pasur një rënie të lehtë.

Veçanërisht agresive kanë qenë bankat me kapital grek në dhënien e huave në vend, të ndihmuara dhe nga linjat e kredive që merrnin nga bankat mëmë, që u mundësonin atyre të jepnin hua me interesa të ulëta, shpesh edhe nën kosto. Stoku i huave të dhëna nga tri bankat (”Tirana Bank”, ”Alpha”, NBG) përbënte 32.6 të totalit të huasë dhënë nga sistemi bankar. Gjithsesi vitin e fundit këto banka e ngadalësuan ritmin, çka është reflekuar dhe në rënien e kësaj peshe.

Bankat me kapital grek që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri rezultonin me një aktivitet të shëndetshëm deri në fund të shtatorit 2009, kur janë dhe të dhënat e fundit të publikuara nga Shoqata e Bankave. Ndërprerja e burimeve të financimit nga bankat mëmë ka bërë që ato të përqendrohen në thithjen e depozitave në vend, çka reflektohet dhe në fushatat e tyre aktuale publicitare.

Ndërkohë aksionet e bankave përkatëse mëmë në Greqi kanë shënuar rënie në bursë gjatë muajve të fundit (shiko grafikët për çmimet e aksioneve të NBG, Alpha dhe Pireaus bank në bursën e Athinës), duke reflektuar krizën e borxhit që ka përfshirë këtë vend, teksa po hasin vështirësi të hyjnë në tregun ndërkombëtare të kredisë. Sipas Financial Times, bankat greke janë lënë jashtë virtualisht nga tregjet ndërkombëtare të huadhënies gjatë dy javëve të fundit, teksa besimi në ekonominë e vendit ka rënë ndjeshëm. Po sipas FT-së, që nga mesi i janarit, huadhënia te katër bankat kryesore në vend, National Bank of Greece (NBG), EFG Eurobank, Alpha Bank dhe Piraeus Bank, në tregjet evropiane të ndërmjetësimit, ka rënë ndjeshëm.

Bankat mund të marrin hua vetëm në tregun e riblerjes, çka nënkupton se ato duhet të përdorin obligacioneve qeveritare si kolateral për të siguruar para. Ato janë “ngrirë” nga tregjet e pasiguruara.

Kjo i ka detyruar institucionet greke të rrisin para me norma interesi ndëshkuese nëpërmjet marrëveshjeve private me bankat ndërkombëtare, thonë bankierët. Banka më e madhe në Greqi, NBG po vuan më pak se tre huadhnësit e tjetë. Norma hua/depozita e NBG-së është nën 100% -e nxitur nga dega turke që po rritet me shpejtësi, Finansbank. Tre bankat e tjera e kanë ulur gradualisht raportin e tyre hua/depozita në poshtë 110%.

Pasojat pa remitancat

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë 9 muajve të vitit 2009, remitancat në Shqipëri ishin në nivelin e rreth 582 milionë eurove, rreth 38 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Efekti “Greqi” bëhet edhe më i ndjeshëm në një kohë kur remitancat përbëjnë një burim serioz për krijimin e rritjes ekonomike. Aq më tepër kur diaspora e re, në këto gati 20 vjet, ka arritur shifrën prej afro 25% të popullsisë së mbetur brenda vendit.

Sipas një vrojtimi të realizuar nga BSH-ja, rreth 190 mijë nga 728 mijë familje ose afro 26% e totalit të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, përfitojnë dërgesa nga jashtë në formën e remitancave. Fluksi mesatar vjetor i dërgesave në para për familje vlerësohet afërsisht në 1,900 euro, dhe pse ndryshon jo pak nga qyteti në qytet.

Po ashtu, në zonat rurale, totali i dërgesave i përfituar gjatë vitit përfaqëson rreth 64% të totalit të përgjithshëm të remitancave vjetore. Nisur nga këto të dhëna, sipas Bankës Botërore (BB), nëse do të mungonin dërgesat e emigrantëve, gati 35% e shqiptarëve do të jetonin në varfëri (deri me më pak se 2 dollarë në ditë).

Gjithashtu, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se dërgesat e emigrantëve përfaqësojnë një burim kritik të ardhurash për familjet, duke zënë mesatarisht 40.7% të të ardhurave mesatare mujore. (Në zonat rurale, ndikimi është më i theksuar dhe mesatarisht vlerësohet në 45.7 për qind. Ndërkohë që, në zonat urbane, kontributi i remitancave në të ardhurat mujore për familje arrin në 36.7)

Ndërkohë, një anketë e Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare për Burime Informacioni, zbulon se në vitin 2008, emigrantët shqiptarë depozituan në bankat e huaja rreth 3.5 miliardë euro, ose 5.2 herë më shumë nga sa dërguan në Shqipëri.

“Kjo shpjegon se pse efekti i dërgesave nga jashtë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë ka qenë minimal”, deklaroi drejtori i IASCI, Nicolas de Zeager.
Edhe ajo pjesë e vogël e parave që vjen nga emigrantët shkon thuajse e gjitha për konsum familjar dhe nuk kanalizohet në investime që do të krijonin punësim.
“Këto dërgesa vijnë në Shqipëri dhe 90 për qind e tyre shkon për konsum, pra shkojnë për eksport”, sqaroi De Zeager.

Por, në dy vitet e fundit, dërgesat e emigrantëve po shfaqin tendencë të lartë në rënie, fenomen i paralajmëruar kohë më parë.
“Emigrimi shqiptar ka arritur fazën e maturimit. Dërgesat do të bien, me krizë apo jo. Shansi i vetëm i Shqipërisë është të thithë kursimet e emigrantëve jashtë vendit”, shtoi De Zeager.

Anketimi: Greqi, rritet numri i emigrantëve shqiptarë të papunë

Mbi 50% e të anketuarve janë të punësuar në industritë e ndërtimit dhe turizmit, sektorë që janë mjaft të prekur nga kriza aktuale në Greqi. Emigrantët janë pesimistë për perspektivën në të ardhmen

Qendra për Kërkime Monitor ka më pak se një muaj që ka përfunduar realizimin e një anketimi me më shumë se 1100 emigrantë shqiptarë në Greqi, që erdhën në Shqipëri për pushimet e fundvitit. Sipas të dhënave nga QKM, kërkimi u realizua në pikat doganore që përdoren më së shumti nga emigrantët shqiptarë për kthimin në Shqipëri nga Greqia gjatë periudhës së festave të fundvitit dhjetor 2009: Kakavijë (Gjirokastër) e Kapshticë (Korçë). Kjo fazë u realizua gjatë datave 23-29 dhjetor 2009 dhe u intervistuan rreth 1,100 emigrantë.

Në rezultatet e vrojtimit bie në sy shtimi i numrit të të papunëve midis emigrantëve të anketuar. 11% e të anketuarve deklaruan se ishin të papunë në fund të dhjetorit nga nga 6% që deklaruan se kishin qenë të papunë në vitin 2008.
Një fakt shqetësues, sidomos për sa i përket dërgesave të tyre monetare drejt Shqipërisë, është edhe ulja e numrit e individëve të punësuar me kohë të plotë. Nëse në vitin 2008, 60% e emigrantëve të anketuar ishin të punësuar me kohë të plotë, në 2009-n, ky nivel zbriti në 54%. Përqindja “e shkurtuar” i është shtuar masës së të papunëve, dhe jo atyre punësuar me kohë të pjesshme, që gjatë 2008-2009 kanë ruajtur të njëjtin nivel, 23%.
Rreth 65% e të anketuarve konfirmuan se dërgojnë herë pas here para në Shqipëri, por vetëm 40% kanë mundur të dërgojnë para gjatë 12 muajve të fundit. Pjesa dërrmuese e këtyre, 50%, ka një nivel mesatar mujor të ardhurash familjare 1,000-3,000 euro.
Rreth 40% e emigrantëve të anketuar punojnë në ndërtim dhe rreth 13% e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e hotelerisë dhe turizmit dhe 10% e tyre punojnë në shtëpitë e grekëve, duke kryer pastrime etj.
Një pjesë prej vetëm 7% punon në bujqësi dhe rreth 8% në transport, kryesisht taksistë e shoferë transporti.

Nga këto të dhëna rezulton se mbi 50% e emigrantëve të anketuar ishin të punësuar në dy industri si ndërtimi e turizimi, sektorë këto që janë prekur ndjeshëm nga kriza ekonomike në Greqi. 86% e të anketuarve në gjendje pune thanë se ishin të punësuar, ndërsa 10% ishin të vetëpunësuar (kishin bizneset e tyre).

Emigrantët presin një perspektivë negative
Anketuesit i kanë pyetur gjithashtu emigrantët mbi perceptimin e tyre për ekonominë e Greqisë, ku bie në sy, që pjesa më e madhe, 36%, mendon se kushtet ekonomike janë të këqija. Lidhur me situatën në vendin e tyre të punës, 27% e të anketuarve u përgjigjën se punëdhënësi i tyre as po punësonte dhe as po merrte njerëz në punë, ndërsa 26% thanë se punëdhënësi po i largonte njerëzit nga puna. Vetëm 4% thanë se punëdhënësi i tyre po merrte njerëz të rinj në punë.

Marrë nga revista ekonomike MONITOR

17 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›