E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Celi 3”, Instituti Italian përcakton oraret dhe qendrat për provimin e 6 marsit



Jonida Tashi

Instituti Italian i Kulturës përcakton oraret dhe qendrat për provimin e certifikatës së gjuhës italiane “Celi 3”, që do të zhvillohet më 6 mars të këtij viti. Kështu, sipas njoftimit zyrtar të këtij Instituti, faza e dytë e testimit për marrjen e certifikatës “Celi 3”, të lëshuar nga Università për Stranieri di Perugia, do të nisë ditën e shtunë 6 mars, për të përfunduar ditën e enjte, 11 mars 2010. Në këtë provim, që organizohet nga Instituti Italian i Kulturës do të marrin pjesë plot 1194 kandidatë nga rrethe të ndryshme të vendit. Më poshtë janë publikuar qendrat si dhe oraret përkatëse për zhvillimin e provimit me shkrim për t’u pajisur me certifikatën e gjuhës italiane “Celi 3”, e cila shërben edhe për të bërë kërkesën për pararegjistrim në universitetet italiane për vitin e ri akademik.
Qendrat
Pavarësisht vendbanimit të kandidatëve, provimi do të zhvillohet për të gjithë në të njëjtën ditë dhe në kryeqytet. Për këtë, Instituti Italian ka bërë një grupim të kandidatëve nga rrethe të ndryshme që vendit, që do ta kryejnë provimin në një qendër të caktuar. Kështu, 107 kandidatët nga qyteti i Durrësit, duhet të paraqiten në orën 8.00 të mëngjesit, te Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit. Kurse 163 të rinjtë e rretheve: Elbasan (107); Kavajë (11); Lezhë (45), duhet të paraqiten në orën 7.30, tek Akademia Ushtarake, salla e Kinemasë. Ndërkaq, 109 kandidatët nga Fieri (97) dhe Burreli (12), duhet të paraqiten në orën 8.00, tek Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, salla e Teatrit. Për 112 kandidatët nga Shkodra (99) dhe Gjirokastra (13), është vendosur që provimi të zhvillohet te Universiteti UFO, (Rruga e Durrësit, ish Gjykata e Rrethit Tiranë. Më tej, për 201 kandidatët nga rrethet: Berat (114); Korçë (42); Bilisht dhe Krujë (45), provimi do të zhvillohet në ambientet e Universitetit Europian. Për 122 kandidatët nga Vlora, provimi do të zhvillohet në ambientet e Muzeut Historik. Ndërsa 380 kandidatët, të përzgjedhur sipas rendit alfabetik të mbiemrit, provimi do të zhvillohet te Universiteti Zonja e Këshillit të Mirë.
Rregullat
Instituti Italian i Kulturës njofton se për provimin me shkrim kandidatët duhet të paraqiten të shtunën në datën 6 mars 2010, sipas orarit të parashikuar pranë qendrave të mëposhtme, dhe vendit ku kanë kryer pagesën e taksës së regjistrimit. Provimi do të zgjasë për rreth katër orë. Për t’u futur në provim, kandidatët, në momentin e hyrjes duhet të paraqesin disa dokumente të nevojshme. Kështu, për të rriturit, Instituti Italian i Kulturës ka vendosur që në momentin e hyrjes në provim, të paraqesin dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, kartë identiteti ose patentën e re). Ndërsa përsa i përket rregullave që duhet të respektojnë kandidatët, sipas Institutit Italian, në provim do të punohet me laps të zi, pasi është i ndaluar përdorimi i stilolapsit. Po ashtu, në ambientet e provimit është e ndaluar futja e çfarëdolloj materiali si: libra, fletore, fjalorë si dhe celularë.
Taksa
Për pjesëmarrjen në provimin e certifikatës “Celi 3”, çdo kandidatët duhet të paguajë një faturë prej 55 eurosh si taksë regjistrimi te Instituti Italian i Kulturës dhe certifikimi i gjuhës do të bëhet nga Universiteti për të Huajt i Peruxhia-s në Itali. Ndërsa kostoja për studentin që do të përsërisë vetëm një provë është 40 euro. Marrja e këtij provimi gjuhe është një provë e vështirë, por që hap dyert për aplikimin për vizë studimesh në Itali. Studentët që dëshirojnë të studiojnë në degë të universiteteve italiane, ku hyrja parashikon një provim tjetër duhet të përballojnë një sprovë të dytë për pranimin në këto degë me numër të mbyllur ose në rast se nuk fitojnë aty mund të tentojnë të kalojnë në fakultete të tjera italiane, ku hyrja është e lirë. Në këtë rast ata duhet të kenë parasysh se çdo universitet italian vendos kuota të përcaktuara për studentët e huaj dhe numri i tyre varet nga vetë universiteti.

Kandidatët e vjetër që do të futen në provimin e marsit

Pak kohë më parë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ka përcaktuar edhe kandidatët e vjetër për student në Itali, që kanë të drejtë të futen në provimin e 6 marsit 2010. Sipas njoftimit zyrtar të këtij Instituti, kanë të drejtë të regjistrohen për provimin e marsit, të gjithë studentët që: kanë kaluar vetëm një provë të njohjes së gjuhës italiane me shkrim ose me gojë, në provimet e marsit dhe nëntorit 2009; zotërojnë një njohje të nivelit superior të gjuhës italiane pasi kanë tre vite që studiojnë. Instituti Italian i Kulturës rithekson se certifikata e njohjes së gjuhës italiane “Celi 3” ose ndonjë certifikatë tjetër analoge e lëshuar nga universitet italiane janë kushti kryesor për t’u pranuar kërkesa për studime në Itali gjatë vitit akademik 2010-2011. Përveç kësaj, pranimi i studentëve të huaj në universitetet italiane kryhet duke u bazuar edhe në numrin kuotave të pranimit që do të përcaktohen në shtator nga Ministria Italiane e Arsimit dhe e Universiteteve. Pajisja me Certifikatën e Njohjes së Gjuhës italiane – Niveli 3 (që i përket nivelit B2 i Quadro Comune Europeo di Riferimento per le Lingue) përbën një nga kushtet e preferueshme dhe të domosdoshme për t’u bërë i mundur pararegjistrimi në universitetet italiane

17 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›