E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toena hedh në qarkullim dy botime të regjisorit Dhimitër Anagnostit



Toena hedh në qarkullim dy botime, “Përrallë nga e kaluara” (skenarë) dhe “Nata e trokitjeve në xham” (dramë), të regjisorit Dhimitër Anagnosti, i njohur dhe i vlerësuar për punën e tij si regjisor edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Regjisori i mirënjohur Dhimitër Anagnosti boton për herë të parë dy libra që lidhen me karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme të regjisorit. “Përrallë nga e kaluara” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, – skenarë të shkruar nga vetë ai, botohen në një libër, ilustruar edhe me skemat e regjisorit, bërë gjatë kohës kur kryheshin xhirimet e filmave në fjalë. Dy skenarët janë shkruar dhe realizuar si filma në dy kohë kryekëput të ndryshme. E megjithatë të dy kanë njohur suksesin e merituar si në momentin që janë shfaqur për herë të parë, ashtu edhe në vitet në vazhdim. Çelësi i suksesit të filmave të realizuar prej Dhimitër Anagnostit ka qenë padyshim edhe skenari i shkruar me kujdes. Ky skenar i shkruar nga ai vetë i kanë dhënë mundësinë të ketë përfytyrimin e duhur për skenën e ardhshme. Libri i dytë “Nata e trokitjeve në xhama” – dramë e shkruar dhe e vënë në skenë në vitin 2000 nga trupa e Teatrit Kombëtar – botohet për herë të parë. Në kujtesën e shkruar të kulturës sonë kombëtare, vepra e regjisorit, ndoshta më të madh shqiptar, Dhimitër Anagnosti duhet të zërë vendin e duhur. Vonesa në kohë e botimit të tyre i bën edhe më të çmuara veprat e tij letrare.

“Out of Love”, filmi më i mirë i shkurtër në Roterdam, kushtuar Kosovës

Pak ditë më parë, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për filmat fitues të edicionit të 39-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam të Holandës, në kategorinë e filmave të shkurtër evropianë u shpërblye filmi “Out of Love” i Brigitte Staermose. Premiera e filmit u shfaq në fund të vitit 2009, në Festivalin e filmit Dokumentar në Danimarkë, “Copehagen DOX”. Filmi shfaqet edhe në festivalin ndërkombëtar të filmit, në Berlinale ku njëjtë si në Kopenhagë dhe në Roterdam, do të garojë në kategorinë për Filmat Dokumentarë të Shkurtër. Ideja për këtë film i vjen regjisores në një nga vizitat e saj në Kosovë gjatë Dokufestit, në vitin 2006. Në vitin 2007 ajo rikthehet në Kosovë për të biseduar me disa fëmijë të rrugës, mes të cilëve në film intervistohen 11 fëmijë. Është e rëndësishme të theksohet se një pjesë mjaft e madhe e ekipit realizues të filmit është nga Kosova: Kaltrina Krasniqi-asistente e regjisë, Gazmend Bajri-asistent kamere, Pëllumb Ballata-ton dhe Veton Nurkollari në kasting. Filmi 30 minutësh "Out of Love", është dokumentari i parë i regjisores së filmit artistik Brigitte Staermose, fituese e shumëfishtë e çmimeve ndërkombëtare për film. Filmi flet për jetët e fëmijëve të rrugës në Prishtinë të cilët bredhin nëpër restorantet dhe lokalet me atmosferë luksoze dhe i recitojnë monolegjet e jetëve të tyre dhe të sfidave me të cilat ata ballafaqohen. “Nuk doja që filmi të flasë për situatat personale të fëmijëve dhe mbi të gjitha nuk doja që të ndjeheshim keq për këta fëmijë. Ky film është një proces i gjetjes së rrugës përmes së cilës do të shmangeshim nga ndjenja e mëshirës për ta. Keqardhja është një mënyrë e lidhjes me ta-është mënyrë e mbrojtjes së vetvetes. Natyrisht, unë ndjehem keq për ta sepse ata janë viktima., por qëllimi i filmit tim nuk është ky. Unë doja që filmi të merrej me aspektet humane të asaj që po ndodh brenda këtyre fëmijëve”, thotë regjisorja.

17 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›