Kontrata e përkohshme, zbardhet numri i mësuesve që do të ikin në 37 rrethet e vendit
Jonida Tashi
Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për shkurtimin e 1300 mësuesve me kontratë të përkohshme në arsimin parauniversitar. Gazeta zbardh sot numrin e mësuesve me kontratë të përkohshme, që do të lenë radhët e arsimit në 37 qytete të ndryshme të vendit. Ditën e djeshme është botuar në Fletoren Zyrtare, vendimi i plotë i qeverisë “Për përcaktimin e numrit të punonjësve mësimorë, me kontratë të përkohshme, për periudhën 1 janar-30 qershor 2010, për Ministrinë e Arsimit”. Kështu, sipas këtij vendimi, numri i punonjësve mësimorë, me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për vitin shkollor 2009-2010, për muajin janar 2010, të jetë 2011 veta dhe, për periudhën 1 shkurt-30 qershor 2010, të jetë 704 punonjës.
Shkurtimet
Tirana, Elbasani, Durrësi, Shkodra dhe Fieri, do të jenë rrethet që do të preken më shumë nga vala e shkurtimeve të arsimtarëve me kontrata të përkohshme. Konkretisht, vetëm në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, duhet të lenë vendet e tyre të punës 85 mësues. Ndërkaq, këtij numri, do t’i shtohen edhe 81 punonjës të tjerë me kontratë të përkohshme që kanë dhënë mësim në shkollat e qarkut të Tiranës. Më pas, largime të shumta do të ketë edhe në qytetin e Elbasanit dhe atë të Durrësit, në të cilët, duhet të shkurtohen 110 arsimtarë, duke e çuar në 70 numrin e mësuesve me kontratë të përkohshme që do të japin mësim në shkollat e tyre. Më shumë se gjysma e mësuesve të përkohshëm duhet të largohen nga puna edhe në qytetin e Fierit, ku nga 150 punonjës të tillë që kanë qenë deri në fund të muajit janar, tashmë duhet të mbesin vetëm 70 të tillë. Disi më i vogël se qytetet e mësipërme është numri i mësuesve që do të ikin nga puna në qytetet e tjera të vendit. Por në shpërndarjen e re të arsimtarëve, të bërë me propozim të ministrit të Arsimit, nga qeveria bie në sy fakti se tashmë në disa qytete të vendit nuk do të ketë më asnjë mësues me kontratë të përkohshme. Të tilla qytete do të jenë: Delvina, Gjirokastra, Përmeti, Skrapari, Tepelena.
Urdhri
Pas zyrtarizimit të 1300 mësuesve që do të ikin nga puna për çdo qytet, secila nga drejtoritë arsimore përkatëse duhet të nisë nga puna për zbatimin e urdhrit të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj për këtë proces. Përsa i përket mënyrës se si do të realizohen shkurtimet, mësohet se ato do të jenë graduale dhe do të përshtaten me nevojën që kanë shkollat për mësues të lëndëve përkatëse si dhe numrit të nxënësve. Kjo nënkupton që shkollat do të nxjerrin jashtë “loje” ata arsimtarë që janë më pak të nevojshëm në procesin e mësimdhënies, të cilët japin lëndë që mund të zëvendësohen nga kolegë të profilit të tyre. Tashmë, duke qenë se pothuajse çdo arsimtarë me kontratë të përkohshme ka informacion për stafin e shkollës ku ka punuar dhe di nevojën e saj për mësues përkatës, secili prej tyre mund t’i bëj vetë llogaritë nëse ka shanse të vazhdojë të qëndroj në punë ose jo. Vendimi i ministrit të Arsimit, për largimin e mësuesve me kontratë të përkohshme është pasur me atë të ngarkesës së re mësimore në arsimin parauniversitar. Për rrjedhojë, në ditën e parë të mësimit për këtë javë, në të gjitha shkollat e vendit ka filluar rishpërndarja e orëve mësimore për mësuesit definitivë.
17 Shkurt 2010