Sëmundjet profesionale, QSUT-ja nuk pranon kërkesën e sindikatave për ta rihapur klinikën
Qendra spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë nuk pranon kërkesën e sindikatave, për ta rihapur klinikën e sëmundjeve profesionale. Përgjigja negative për sindikalistët, që kërkuan dy ditë më parë rihapjen e kësaj klinike është dhënë dje nga nëndrejtori i QSUT-së, Mehmet Hoxha. Sipas numrit dy të qendrës më të madhe spitalore në vend, klinika e sëmundjeve profesionale, e cila u mbyll në vitin 2005, me një urdhër të drejtorisë së qendrës spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, nuk do të rihapet. Nëndrejtori i QSUT-së, Mehmet Hoxha, ka deklaruar dje se në strukturën e re të spitalit të ri që pritet të hapet në muajin mars, nuk është planifikuar hapja e klinikës. Kjo deklaratë ka “shuar” shpresat e sindikalistëve, të cilët shprehën shqetësimin e tyre, për mungesën e trajtimit mjekësor të punonjësve që punojnë në profesione të vështira. “Nuk kemi asnjë vendim paraprakisht për rihapjen e klinikës. Mendojmë se hospitalizimi nuk është e vetmja zgjidhje për trajtimin mjekësor të pacientëve që preken nga sëmundjet profesionale. Ne kemi menduar që trajtimi i tyre të kryhet në pavijonet specifike si mjekësia interne, pavijoni i Pneumologjisë, të cilat i kanë të gjitha kushtet për trajtimin e kësaj kategorie pacientësh”,- u shpreh nëndrejtori i QSUT-së. Më tej, Hoxha ka garantuar sindikatat se nuk do të mungojë kujdesi shëndetësor ndaj punonjësve të rrezikuar nga sëmundjet profesionale. “Nga çfarë kemi dëgjuar prej sindikatës, dimë se ata nuk kërkojnë hapjen e shërbimit me shtretër, por trajtimin mjekësor të punonjësve, dhe ne i garantojmë se do të fuqizojmë shërbimin e konsultës, laboratorët për kryerjen e analizave si dhe do të monitorojmë pacientët që vuajnë prej vitesh nga sëmundjet profesionale”,- sqaron numri dy i QSUT-së. Ndryshe nga statistikat e sindikatave të profesioneve të vështira, sipas të dhënave të specialistëve të Shëndetësisë, numri i punonjësve që rrezikohen nga sëmundjet profesionale ka ardhur në rënie pas viteve ‘90.
Korrupsioni i pedagogëve
Rektori i Bujqësorit: Studentët, në provim me gojë para një komisioni pedagogësh
Pas ngjarjes së ndodhur para pak ditësh në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku u arrestuan disa pedagogë për korrupsion, drejtuesit e tij kanë vendosur të ndryshojnë rregullat e provimit për studentët. Rektori i këtij Universiteti, Fatos Harizaj, bën të ditur se pas kësaj ngjarje, rektorati nga ana e tij është duke marrë disa masa. Një ndër to është edhe marrja në provim e studentëve me gojë në praninë e studentëve të tjerë dhe nga një komision pedagogësh profesionistë. Sipas rektorit të Bujqësorit, edhe pse fenomeni i korrupsionit ekziston edhe në këtë universitet, të gjithë duhet të bëjnë punën e tyre për parandalimin e tij si shteti, rektorati, pedagogët dhe vetë studentët.
17 Shkurt 2010