E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ma, po më deshe mua, voto për PD-në”

Liri Veliaj: „Deti midis“

është një libër kujtimesh. Një jetë njeriu, e përshkruar me një thjeshtësi e me një sinqeritet që spikat në çdo rresht të tij. Një veti e çmuar për veprat e memorialistikës të cilat lexuesi, me nuhatjen e tij, i dallon se përbëjnë një gur të mozaikut të jetës intime njerëzore, që të lënë mbresa për besueshmërinë.
Modestia e librave të tillë të rrëmben. Të bën për vete. Sepse e paraqet un-in vetjak pa zbukurime, pa mëtimin që të nxjerrë veten në pah. Vetëm se autorja e ndjen se nuk mund të mbajë përbrenda qenies së vet një mori fatkeqësish që ia kanë bërë jetën të zymtë, të trishtueshme, për një serí vuajtjesh, që e bëjnë të ndjehet si e lënë mënjanë nga jeta e një të miture së cilës fëmijëria , përgjithësisht, do të duhej t’i ndillte haré, gëzimin e natyrshëm të qenieve njerëzore të vogla, që ua zgjon mosha, në vetvetishmërinë e saj.
Një vajzë e vogël, vetëm me një fustan. Laj, thaj. Do të dëshironte që edhe hartimet e saj të përmendeshin nga mësuesja. Flet me dashuri për mësuesen e saj, Dhuratën, dhe i bënte përshtypje që nxënësit e thërrisnin “Zonjë” dhe jo “Zysh”, si të tjerat. Në maturë mësuesja e letërsisë ia kishte përmendur emrin për hartimin. Një gëzim i madh, i natyrshëm.
Pastaj zhytej në kujtimet e fëmijërisë, kur nëna i vdiq dhe e la në mendime të dhimbshme, në atë varfërinë e skajshme me vëllezërit e saj të vegjël. I vdiq dhe babai dhe mbeti njeri pa njeri. I ndanë si zogjt e korbit. Ajo përfundoi në shtëpinë e fëmijës, në Sarandë, se edhe kasollja s’po mbahej dot në këmbë Të tre vëllezërit e saj i morën të afërtit, për sevap.
Liria kishte lindur në vitin 1943. “Ta quajmë Liri këtë keçe, se mbase na sjell lirinë”. Në vitin 1949 penicilinat ishin shumë të shtrenjta. Nëna vdiq se familja nuk i blinte dot këto ilaçe. Kur vajza vinte në behar te familja e të vëllait, nusja thoshte: “Pse, me lakra do ta presim këtë vajzë?”. – Po ju e dini se unë i ha shumë lakrat!” - i thoshte së kunatës. Kemi një panoramë ekonomike të zymtë të kohës, kur Liria po i afrohej moshës së rinisë. Kjo gjendje paraqitet në një gjerësi të shtrirë. Paçka se propaganda fliste për bollëk!
“Kur isha në shkollën e mesme pedagogjike të Tiranës nga vitet 1958-1961, çdo ditë shihja në stendën, në oborrin e shkollës, gazetën “Zëri i Popullit”. Nuk lija asnjë rresht pa lexuar. Shikoja me admirim fotografinë e Enverit, si edhe ato të Byrosë sovjetike apo fotografinë e Fidel Kastros”. Liria flet për indoktrinimin e saj. Ata të shtëpisë së fëmijës bënin bé “për Atdheun” , jo për “babin” apo për “mamin”. Librat që lexonin: “Korracata Potjemkin”, “Nëna” e Gorkit, apo të tjera si këto.
Jeta studentore: “Për të hyrë në universitet, duhej të paraqitnim patjetër dokumentin e Komitetit të Rinisë të rrethit për aksionin e kryer gjatë pushimeve verore. Unë punova në kodrën e Kuz Babait, në Vlorë. “Duhet të prishnim varret dhe teqenë e dervishëve. Nuk ishin të pakët ata që s’i kishin tërhequr dot eshtrat e të afërmve. Buldozeri kaloi sipër varreve të hapura prej nesh. Dhëmbët e florinjta të të ndjerëve, i çonim në Komitetin e Rinisë”. Pastaj flitet për sekretarin e këtij Komiteti i cili, duke u ndodhur vetëm me autoren e këtij rrëfimi, u orvat ta përdhunonte. Ngjarje me të azdisur të kohës, që përfitonin nga kushtet “e mira” të biografisë së tyre politike!
M’u kujtua një ndodhi e ngjashme që ma kishte treguar ish-nxënësja ime Vera Bekteshi, kur kishte qenë në internim. Brigadieri i kooperativës ishte përçapur (...), por kishte marrë përgjigjen e merituar...
Megjithëse në këtë roman rrëfimesh, autorja flet në mënyrë të hapur për dashurinë ndaj regjimit të pasluftës, - tashmë mësuese e rusishtes, - ajo ka edhe paragjykimet e bestytnisë, si ish - fshatare e varfër e Armenit të Vlorës: “Pothuajse ishte një mallkim për secilin nga ne (që kishim punuar në Kuz Baba). (...) Në jetën e secilit prej nesh ndodhi nga një gjëmë. Kishim shkelur diçka të shenjtë. Mua burri më vdiq i ri dhe mbeta vejushë. Gjoka, punonjësi i lartë në Ministrinë e Brendshme, u burgos me akuzën e humbjes së dokumenteve. Një femër, A., u martua me një inxhinier-piktor të talentuar, të cilin e futën në burg, gjoja për sabotim, dhe vdiq shumë i ri nga torturat. Z. u martua me një djalë nga familje e deklasuar dhe thuajse nuk e ushtroi profesionin e saj. S. pati një vëlla me shqetësime mendore. D. u nda nga burri. Më dukej si një mallkim që prekëm atë vend të shenjtë. Ndoshta gaboj, por këtë enigmë nuk ma heq njeri nga mendja”.
Indoktrinimi kishte marrë plasaritje. Tanimë, ndonëse vajza e rritur, me fëmijëri të hidhur ishte në takim me vëllezërit e saj dhe kishin nga një rrogë; gjendja ekonomike ishte ajo që kishte qenë. Kuptohet nga ky pasazh: “Kalonim dy-tri orë të bukura e, kur ndaheshim, përpiqeshim që sikush t’i jepte tjetrit lekë, për të mbledhur njëzet, që të vinte në kinema!”.
është një sintezë ekspresive e vuajtjes ekonomike, që vazhdoi gjer në rrokullisje të sistemit. Rrokullisja nuk i erdhi Shqipërisë; i erdhi të gjithë asaj bote që u mbajt me propagandë mashtruese, a thuaj se njerëzit do të ushqeheshin, do të kishin banesa normale (pa ngushticë frymëmarrëse) dhe do të kruanin xhepat për në kinema, duke ngrënë letrat propagandiste të “mirëqenies”. Shohim, kështu, në mënyrë të thjeshtë dhe të natyrshme, ndryshimin e mendësisë të njeriut që nuk bëhet rob i përjetshëm i propagandës mashtruese. Këtu vepra merr vlera të njëmendta për atë evolucion të brendshëm shpirtëror, për t’iu shmangur nostalgjisë që ishte ngulitur, për njëfarë kohe, si një gozhdë e ndryshkur në tru, e rrahur me çekan ( se drapri duhej për të kositur jetë të pafajshmish). Aktualiteti qëndron në atë se nostalgjia sundon ende në trurin e mëkatarëve (gjë që është e natyrshme), por edhe në të tjerë që kanë rënë pré e një keqtrajtimi mendor dhe nuk janë shkëputur ende nga ajo vorbull e shëmtuar e kohës.
Më pëlqen kjo periudhë që evokon kohën e rinisë: “Gjatë viteve shkollore kam pasur letërkëmbim me disa ruse të moshës sime, nga Kievi dhe nga Moska. Tani nuk i kam më adresat e tyre, sepse letrat e ruajtura me kujdes, i zhduka nga frika e ndonjë kontrolli, e mund të kishim pasoja si familje”. Nga rinia e letërkëmbimeve, gjer në kohën e prishjes me rusët, shohim, gjithashtu, një përsiatje të brendshme. Pjesa e parë e këtij harku kohor, i përkiste jetës kur “çdo gjë që fluturon, hahet!” ndërsa nuk vonon të vijë një kohë tjetër kur, për letërkëmbimet e pafajshme me bashkëmoshatarë, ndërrime letrash të cilat na ishin udhëzuar, madjé, - të ngjallnin panikun e pasojave politike!”. Kuptohet se te personat me ndjeshmërinë e autores, këto meditime nxisin ndjesí kundërvepruese për “lirinë vetjake” që, në vendin tonë, ishte vetëm e shkruar në letër! Njerëzit, ndërkohë, kishin sajuar edhe antenat e kanoçeve, që të shihnin San Remon, por edhe të dëgjonin sesi shpreheshin lirisht – dhe hapur fare - édhe duke mos qenë dakord me personalitetet më të mëdha, në Itali, për shembull. Ata që nuk u ndikuan fare nga këto kontraste, paçin hijen e tyre. është një fatkeqësi që po na zvarrit edhe sot e kësaj dite. Kjo nostalgji e dëmshme do të kujtohet me neveri, nga brezat tanë të ardhshëm; do të risillet në kujtesë sesi disa trushkulur u bënë barrierë për të penguar hyrjen sa më të shpejtë në komunitetin demokratik europian.
* * *
Autorja ka qenë jo vetëm burrneshë, por edhe me mendje të kthjellët. Ajo nuk u molis dhe i bëri qëndresë fatit të saj të mbrapshtë kur i vdiq bashkëshorti, në moshë të re, duke e lënë me dy djem. Një burrë i mirë dhe me karakter, siç e përshkruan Liria: “Ai respektonte mendimin dhe dashurinë time për Partinë (e Punës – K.X.), ndonëse unë kisha kuptuar që ai nuk i donte komunistët, sepse vështronte më larg sesa unë. Më vjen keq që ai nuk arriti të jetojë ndryshimet e mëdha që ndodhën në vendin tonë. Vdekja e mori 46 vjeç, duke më lënë me kokën mënjanë dhe me një barrë shumë të rëndë, që të rrit dy djem”.

Por ja, erdhi një kohë kur të dy djemtë e saj emigruan jashtë shtetit, në Itali. E rregulluan jetën e tyre, me djersën e ballit, duke u çmuar dhe duke fituar miqësinë e të gjithë italianëve përreth lagjes. Bënë bashkim familjar me nënën e tyre, që pati një epilog fatlum, pas gjithë atyre vuajtjeve. “U katandisëm nga katër në tre. Tani nga tre u bëmë tetë” – thotë nëna e lumtur e dy fëmijëve, që u bënë burra të martuar, dhe e tre fëmijëve të tyre, nipër të rrëfyeses sonë.
I buzëqeshi jeta edhe rrëfyeses së këtij tregimi, që u përfundua në Pézaro të Italisë, në vitin 2004. Tanimë evoluimi shpirtëror është për demokracinë, kundër diktaturës që lamë pas dhe kundër mendësisë së saj. Kishte gëzimin e një familjeje më të madhe, ndonëse pa bashkëshortin e saj të cilin vazhdimisht e kujtonte. E kujtonte edhe në fjalët e tij që stigmatizonin sistemin socialist; “im shoq e kuptonte se sistemi socialist ishte sistem i hatëreve, i dembelëve, i servilëve, i pijanecëve, i njerëzve që hynin në parti për përfitime dhe që thurnin intriga kundër të ndershmëve”. Si ekonomist me shkollë të lartë, që e mbanin në punë vetëm për aftësinë e tij spikatur, ai ia kishte bërë radiografinë, në shtëpi, atij sistemi të përçudnuar, duke i dhënë kurajë bashkëshortes, në bindjen se ajo do të jetonte ditë më të mira, bashkë me djemtë dhe me familjet e tyre.
Në kujtimet e Lirisë, të lënë mbresa zgjedhjet e para, pas rënies së diktaturës. Në atë kohë nuk ishte bërë bashkimi familjar. Autores së këtij vëllimi interesant i kujtohet atmosfera e kohës: “Në shkollën ku punoja u krijuan dy grupe kundërshtare të forta politike. Njëri grup përkrahte Partinë e sapoformuar Demokratike dhe grupi tjetër ishte për komunistët (ose të kthyerit në socialistë). Kështu, me afrimin e zgjedhjeve pluraliste, një shoqe më tha: “Ti, Liri, patjetër do të votosh për PS-në, sepse je rritur në “Shtëpinë e Fëmijës “. Por nga grupi tjetër dikush më tha: “ Burri yt nuk është parë me sy të mirë nga pushteti i dikurshëm!”. Ditën e votimit u ngrita herët dhe, siç e kisha zakon, vajta për të votuar ndër të parët. Duke mbyllur derën e shtëpisë, m’u kujtua porosia e tim biri, një ditë para se të ikte për në Itali: “ Ma, po më deshe mua, voto për Partinë Demokratike!” . Me t’u futur në qendrën e votimit, kujtova kohën e kahershme kur, studente atëherë, më vunë në radhë për një dhe ndjehesha e kontrolluar nga të gjithë ata njerëz që qëndronin gati, në këmbë. Votova për atë që më thanë se duhej të votoja. M’u kujtua edhe një votim tjetër i atëhershëm, këtë herë e martuar, me dy fëmijë. Hyra në sallë dhe me sy po kërkoja dhomën e fshehtë që nuk ekzistonte. Pyeta se ku ishte dhoma e fshehtë. Hekurani, një pensionist komunist, që nuk linte pa marrë vesh se çfarë bëhej në çdo shtëpi, më pyeti: “Përse të duhet dhoma e fshehtë?” U pendova menjëherë për fjalët që thashë. Dhe Hekurani menjëherë mori hak, duke vënë në raportin e mbledhjes së Frontit emrin e familjes sonë, për shkak të antenës së televizorit, që e kishim në drejtim të Italisë”.
Pas disa mendimeve që po i kapërcejmë, po citojmë ende disa refleksione të saj, duke vajtur të votonte tanimë, në një kohë të re: “Tani unë po votoja vetëm për vete, por edhe për të dy djemtë, ikur larg deteve. Po votoja për burrin tim, që nuk ia arriti kësaj dite (...) E mora fletën e votimit, u futa në dhomën e fshehtë. Fshiva me nervozizëm ata emra që e prunë Shqipërinë tonë të shtrenjtë në këtë gjendje të mjeruar. (...) Ky ishte votimi im i fundit në Shqipëri sepse, më tej, u bashkova me djemtë e mi, në Itali”.
Duke përfunduar leximin e këtij libri mbresëlënës, thashë me vete: Ja një pasqyrë e lëmuar e metamorfozës së natyrshme të një njeriu të ndershëm, dikur të indoktrinuar!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›