E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: “Dhunë mbi protestuesit e PS dhe mbi mua në Korçë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste dhe aleatët mbështetës të saj kanë organizuar edhe dje protestat në disa qytete në mbështetje të 200 grevistëve, të cilët që prej 30 prillit vazhdojnë të jenë në grevë urie për plotësimin e kauzës së tyre për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 Qershorit. Protestat janë organizuar në Tepelenë, Orikum të Vlorës dhe në Korçë, ku ka pasur dhe konfrontim mes protestuesve dhe policisë. Madje, këta të fundit kanë përdorur dhe një sprajt ( i cili mendohet të ketë qenë gaz lotsjellës për të mos lejuar protestuesit të bllokonin aksin kryesor Korçë-Pogradec. Policia e Shtetit është konfrontuar me protestues të Partisë Socialiste në Korçë gjatë tubimeve të organizuara nga mbështetësit e opozitës në këtë qark. Për gati 1 orë protestuesit janë përleshur me policinë, e cila kërkonte të ndalonte protestuesit të bllokonin aksin nacional Korçë- Pogradec në vendin e quajtur Çërravë. Ndër forcat blu është vënë re dhe prania e FNSH-së.
Policia ushtroi dhunë dhe ndaj deputetit Pandeli Majko. Në një prononcim për mediat, Majko tha se protesta ishte paqësore në mbështetje dhe të grevistëve për kauzën e transparencës së zgjedhjeve dhe ndërhyrja e policisë ishte jashtëzakonisht e dhunshme. ”Kam parë njerëz që nuk shikonin nga sytë, janë goditur me shkopinj gome”,- tha Majko, duke shtuar se Berisha po përsërit gabimet e vjetra. Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka pretenduar se forcat e policisë kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve duke qëlluar me shkopinj gome. Majko pohoi se objekt i dhunës ka qenë edhe vetë ai. Ndërkohë, drejtori i Policisë së Korçës, Bernard Çaushaj, ka thënë pak minuta më vonë se policia ka ndërhyrë konform ligjit për lirimin e rrugëve të bllokuara dhe se nuk është prekur deputeti Pandeli Majko. Konfrontimet ndodhën dje gjatë protestave të mbështetësve të opozitës në aksionin e tyre për bllokimin e rrugëve të transportit. Ka qenë ndërhyrja e policisë që në fillim të këtij tentimi për bllokimin e aksit dhe deri sa ka bërë të mundur shpërndarjen e tyre. Përleshja ka zgjatur përreth një orë ku protestuesit ishin mjaft të irrituar nga situata e krijuar në këtë aks.
3 deputetët padisin Policinë e Korçës dhe të Shkodrës
Deputetët e Partisë Socialiste Pandeli Majko, Mimi Kodheli dhe Alfred Dalipi kanë ngritur padi penale për ushtrim dhune, ndaj kreut të policisë së Korçës, Bernard Çaushaj dhe kreut të forcave speciale të Shkodrës, Sevdi Bushati. Paditë janë dorëzuar nga deputetët Majko e Dalipi.

Ky lajm është publikuar: 13/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›