E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa vlen nje grevë urie?

Greva e urisë e një grupi deputetësh dhe simpatizantësh të Partisë Socialiste po çudit opinionin publik me motivet për të cilat kryhet. Ne fakt publiku po shokohet nga dy anët e motiveve: te dukshme dhe të fshehta. Greva e urisë njihet si një veprim “in extremis” i nje individi ose grupi te caktuar perballe pushtetit te cilit i drejtohet, por pasi eshte perdorur çdo lloj rruge tjetër legjitime e demokratike. Deri këtu pothuajse gjithçka ështe një e drejtë e pamohueshme e atyre që e kanë zgjedhur si mjet.
Por ka një problem etik: Sa rezonon ajo me vetë aspiratat dhe opinionin publik? Në këtë rast “opinion publik” është gjithkush: elektorati socialist, josocialist, asnjanës, i djathtë, i qendrës a pa parti; pra, i gjithë populli.
Në rastin e kësaj greve rezonanca mes arsyes së vetësublimimit të 200 personave dhe opinionit publik është pothuajse inekzistente. Kjo nuk do të thotë se opinioni publik nuk ka ndjeshmëri për këtë teatër tragjikomik dhe absurd që po i imponohet ta shikojë 24 orë çdo ditë,në mes të bulevardit.
Ndjeshmëria e opinionit publik në këtë rast shprehet vetëm me heshtje për publikun e gjërë, ose me pjesmarrje të demotivuar e pa entuziasmin e duhur në xhiron e mbasdites tek çadrat, të përkrahësve socialistë. Mos-rezonimi i grevës me opinionin publik ka të bëjë me vetë etikën që mbart.Etika formësohet nga motivet. Këto të fundit janë në kuota tepër të ulëta për t’u pranuar si etike dhe të vlefshme për opinionin e gjërë publik.
Them se arsyet më kryesore që çojnë në këtë kuotim të ulët etik janë: - Jo më kot zoti Rama e ka lënë për tani grevën e urisë, kohë kur përkon me hapa të rëndësishëm të vendit tonë dhe qeverisë shqiptare drejt Europës: Heqja e vizave dhe hapja e negociatave për pranimin e Shqiperise si vend kandidat per antarësim në BE. Kjo grevë është një arsye egoiste dhe e mbrapshtë e kreut të PS. Biles opinioni publik e percepton këtë si destruktivizëm kombëtar nga ana e tij, gjë që do të jetë me kosto të madhe dhe për vetë të ardhmen politike të z.Rama. - Sikur zoti Rama të kishte me të vërtetë dëshirë që të hapte kutitë,dhe këtë ta kërkonte tek institucionet e duhura, ndoshta kutitë apo materiali zgjedhor do kishte muaj që do ishin hapur rast pas rasti. Por qëllimi nuk është ky. Opinion publik e merr me mend këtë. - çertifikimi në kohën e duhur, i notës pozitive të zgjedhjeve të 28 Qershorit nga ana e komisionerëve socialistë, institucioneve vendore dhe vëzhguesve ndërkombëtar, organizmave kryesore monitoruese të BE, OSBE,etj. nuk i përshtatet lidershipit të partisë socialiste pasi ka dalë e humbur. Opinioni publik nuk e perception si tragjedi këtë gjë. - Zatetja e lloj-lloj qëllimesh të vakëta, por etikisht të pranueshme (të socialistëve të thjeshtë) me qëllime tinëzare e të liga miliarderësh, krerë “partizash’’ në stand-by (pritje) pushteti, zhvatës të kollarisur kolltuqesh e ofiqesh publike, ndonjë komisioner alla-Ruzhdie që se ka kryer punën ditën e zhgjedhjeve, anarkistë që kushedi ç’presin, “trushplarë” ose shoferët dhe drejtorët e vegjël të së nesërmes, persona që s’rrojnë dot pa një punë publike e deri tek hajdutët pa ngjyrë që mezi ç’presin për të plasur ndonjë rrëmujë se bankat aty afër i kanë. Opinioni publik e kupton këtë turli qëllimesh që nuk i shërbejnë aspak atij.
Pasi prekëm arsyet e kuotimit të ulët të opinionit publik për grevën (ndjeshmeria per fatet njerëzore dhe shëndetin e atyre burrave dhe grave eshte tjetër gjë) lind pyetja: A ka vlerë kjo grevë urie? Duke përjashtuar protagonistët që nga kjo grevë do fitojnë kapital dhe të mira edhe mbas tre, shtatë apo më shumë vitesh (kurdo që të vijnë në pushtet) - me kushtin që të kenë këtë kryetar që kanë sot, si shkaktar direkt të kësaj greve - mund të themi se ajo nuk ka asnje vlerë tjetër publike për qytetarët dhe demokracinë. Ky “agjërim” aspak i shenjtë për fatet e demokracisë ka ardhur si mllef personal humbësish dhe mbart vlera tepër të dyshimta ,pasi vetë frymëzimi për këtë radikalizim të situatës është një vogëlsi cinike e një grushti individësh. Një minimalizëm që nuk përmbush aspirata. Një shkarje dhe antivlerë e kohës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›