MacShane përkrah ‘Ahtisaari Plus’

Dështimi për të vendosur rendin dhe ligjin në zonën e goditur nga dhuna, në veri të Kosovës, ka çuar në thirrje për një plan të ri, që synon të jetë bindës për popullatën shumicë serbe, që të bëjë lëshim në kërkesat që të qeveriset nga Beogradi.
Plani, i cili po quhet "Ahtisaari Plus", gjithashtu mori mbështetje nga ambasadori i Britanisë të Madhe në Beograd, Michael Davenport, gjatë fundjavës. Prishtina, nga ana tjetër, ka hedhur poshtë thirrjet, deri më tani, që ta rishqyrtojë Planin e Ahtisaarit.
Denis MacShane, i cili rishtas botoi librin "Pse Kosova ende ka rëndësi", tha se qeveria në Prishtinë duhet të dalë me një plan të ndryshëm për atë pjesë të territorit të saj. Parlamentari britanik shtoi se Bashkimi Evropian duhet “të ndërtojë ura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë."
"Plani i Ahtisarit ishte vendimtar për vitin 2008, por vetëm për atëherë", tha ai, duke iu referuar pakos së hartuar nga fituesi i Çmimit Nobel të Paqes, finlandezi Martti Ahtisaari, i cili ishte i dërguari i OKB-së në Kosovë, në atë kohë. Marrëveshja ishte një plan për ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe se si vendi do të organizohej pas shpalljes së pavarësisë, në shkurt të vitit 2008, duke përfshirë një proces radikal decentralizimi, që e filloi krijimin e komunave të reja me shumicë serbe.
Ky proces kishte për qëllim të shtrihet në veri të Kosovës, por decentralizimi deri më tani ka dështuar në këtë pjesë, e cila mbetet kryesisht jashtë kontrollit të Prishtinës. "Plani i Ahtisaarit nuk është pranuar ende nga serbët në veri të Kosovës, prandaj shqiptarët e Kosovës duhet disi t’i akomodojnë kërkesat e tyre dhe të gjejnë një zgjidhje", tha Macshane, i cili ishte anëtar i qeverisë së Tony Blairit.
Ai tha se qeveria në Prishtinë duhet të mendojë për një "plan tjetër për veriun", në vend të Ahtisaarit. Një plan, tha ai, që duhet të parashikojë zhvillimin ekonomik, duke i marrë parasysh serbët dhe duke shpjeguar se autonomia e tyre nuk do të rrezikohet.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Beogradit të ndalë financimin dhe ndikimin tek serbët e Kosovës që jetojnë në veri të lumit Ibër. Sipas ish-deputetit laburist, tensionet dhe problemet e pazgjidhura në Kosovë janë çështje të rëndësishme për një "paqe përfundimtare të qëndrueshme në Ballkan."
“Serbët dhe shqiptarët duhen të bashkëveprojnë”, tha ai. “Mos të fokusohemi se cili është Voldemorti, e cili Harry Potteri”, u shpreh MacShane, duke iu referuar protagonistëve të filmit të mirënjohur. “Të dyja komunitetet duhet të investojë në veri. Palët kanë nevojë për dialog”.
Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të përmirësojë sundimin e ligjit, dhe seriozisht ta luftojë korrupsionin, që ta përmirësojë imazhin e keq të saj ndërkombëtar, të një shteti kriminal.
MacShane shtoi se Kosova nuk është shpaguar mjaftueshëm për angazhimin e saj në bisedimet me Serbinë.
“Kosova nuk është lavdëruar mjaft për përpjekjet e saj në bisedimet e BE-së me Serbinë. Një kompromis duhet të gjendet nga të dyja palët. Beogradi e di se e ka humbur Kosovën dhe se BE-ja nuk do të importojë një problem tjetër si Qiproja brenda bllokut", paralajmëroi ai.
Ish-deputeti britanik i Partisë Laburiste është një analist i rregullt për Ballkanin dhe u shfaq së bashku me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, vitin e kaluar. Ai u pezullua nga partia, pas akuzave për shpenzime të pakontrolluara, në tetor 2010. Por, ai i ka mohuar akuzat. /gazetajnk/