Ligji i veriorëve

Serbët e vendosur në barrikada në Veri të Kosovës nuk po lëshojnë pe.
Ata kanë arritur të ndalojnë një konvoj të trupave të KFOR’it dhe komandantin e tyre, Erhard Drews në fshatin Zupç.
Gjenerali gjerman ishte shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së shefit të EULEX’it, Andy Sparkes, i cili edhe ka qenë caku kryesor i serbëve në Veri.
Qysh në hyrje të Zupçit, automjetet që kanë bartur Andy Sparkesin, janë ndalur nga banorët serbë duke i ndaluar të shkojë drejt pikës doganore në Bërnjakë.
Përpjekjet e Drewsit për ta bindur Kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, Srdjan Djurovic nuk kanë ndihmuar.
Serbët thonë se nuk ka vend për EULEX’in atje derisa ky mision nuk është neutral ndaj institucioneve të Kosovës. Një ditë më herët ata kishin gjuajtur me gurë trupat e KFOR’it.
“Automjeti i EULEX’it nuk mund të kalojë para se ky mision të distancohet nga institucionet e Kosovës dhe të jetë neutral”, është shprehur Djurovic.
Drews edhe më këtë rast ka kërkuar liri qarkullimi për të gjithë përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, gjë e cila është kundërshtuar nga serbët.
“Kjo është diçka që edhe ne e duam, por pa praninë e institucioneve të Prishtinës në Veriun e Kosovës”, ka thënë Djurovic.
Serbët kanë rivendosur kamionët e prishur sërish në vendkalimin kufitar në Bërnjakë edhe atë në sy të pjesëtarëve të trupave gjermane të KFOR’it, të cilët i kishin larguar së fundi ato barrikada.
Alternativa e vetme e krerëve të misioneve ndërkombëtare me këtë rast ka qenë kthimi në Jug.
Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi veprimet e serbëve të Veriut i quan lojëra politike të Serbisë, të cilat vazhdimisht po e pengojnë shtrirjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, e sidomos në pjesën veriore të Mitrovicës.
Rexhepi konsideron se KFOR’i dhe EULEX’i janë ata që duhet të veprojnë duke e vënë mandatin e tyre në dukje dhe të mos bëhen tolerantë karshi veprimeve të tilla.
“Ata duhet t’i largojnë barrikadat njëherë e përgjithmonë si dhe t’i shtojnë patrullat atje, në mënyrë që të mos lejohen më kundërshtime të tilla”, ka thënë Rexhepi për Express, të hënën.
Ai konsideron se Serbia në këtë mënyrë nuk mund të fitojë asgjë tjetër, veçse një pikë të zezë karshi Europës, duke mos i përfillur kërkesat e saj edhe përkundër faktit se ajo pretendon të jetë pjesë e BE’së.
Misioni i BE’së ka reaguar përmes një komunikate gjatë ditës, për shkak të kësaj bllokade.
EULEX’i thotë se veprime të tilla nuk dërgojnë mesazhe të mira te vendet anëtare të BE’së.
“Ky veprim është në kundërshtim me aspiratat e komuniteteve me perspektivë të Bashkimit Europian”, thuhet në komunikatë.
Ai ndër të tjera ka thënë se largimi i barrikadave është parakusht për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe rivendosjes së lirisë së lëvizjes.
“Parandalimi i anëtarëve të misionit të Bashkimit Europian për sundim të ligjit që të lëvizin lirshëm nëpër Kosovën Veriore nuk dërgon porosi të mirë te vendet anëtare të BE’së, të cilat i kanë dhënë mandat EULEX’it dhe e përkrahin plotësisht misionin e tij. Bllokimi i Bashkimit Europian është si bllokimi i të ardhmes së njerëzve tuaj”.
Ndryshe kërkesa për bashkëpunim ndërmjet Serbisë dhe misionit të EULEX’it është theksuar së fundi edhe në Raportin e Progresit për Kosovën, të publikuar më 12 tetor të këtij viti.