E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëri i Almës

Aktivitetet në rrugë janë të rëndësishme, por puna në institucione është më e rëndësishme. Nuk pajtohem me rrokullisjen e kamionëve me mallra serbe. Është akt i vetëgjyqësisë. Demokracia në Vetëvendosje lë për të dëshiruar. Unë nuk i bindem diktatit. Alma Lama, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, flet për Express.

Express: Ju, ndryshe nga deputetë të tjerë, patët guximin të dilni publikisht dhe të flisni për mungesën e demokracisë së brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje. Diçka e tillë është e pranishme edhe te partitë e tjera. A keni qenë në dijeni të funksionimit të Vetëvendosjes përpara se të bëheni pjesë e kësaj e saj?

Lama: Ajo çfarë kam thënë unë për mungesën e demokracisë ka të bëjë kryesisht me mënyrën se si e kuptoj unë demokracinë, brenda një subjekti, institucioni apo shoqërie. E ky mendim është mjaft i ngjashëm ose i frymëzuar nga vendet e Perëndimit, veçanërisht nga SHBA’ja. Mendoj se demokracia ka disa shtylla ku mbështetet, e që janë shkalla e gjerë e përfaqësimit në vendimmarrje, sundimi i së drejtës dhe transparenca. Demokracia nga ana tjetër është një koncept dinamik, kuptimi i të cilit ka ardhur duke u zgjeruar dhe ndryshuar. Ta zëmë, për demokraci është folur që në Greqinë e lashtë, madje termi vjen prej asaj epoke, por përmbajtja e sotme e saj është mjaft e ndryshme. Jo vetëm nëpër shekuj, por edhe nëpër vite ky koncept sa vjen e pasurohet dhe kushdo që thotë se ne kemi shumë demokraci në shoqërinë tonë apo organizatën tonë është duke u mjaftuar me pak. Gjithmonë ka më shumë për t’u bërë në këtë drejtim dhe këtu e shoh edhe Lëvizjen Vetëvendosje, e cila synon të jetë një subjekt emancipues për shoqërinë në Kosovë. Ky është një synim sa ambicioz, po aq edhe i domosdoshëm për një shoqëri e cila përjeton një lloj kaosi dhe bjerrje vlerash, situatë për të cilën unë akuzoj fuqishëm klasën politike që është mbërthyer në interesa meskine. Dhe tek e fundit, kjo është arsyeja pse i jam bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Dua që Vetëvendosja të jetë avangardë e ndryshimeve dhe për këtë ndryshimi besoj duhet të fillojnë nga vetë ne, ky është parimi. Sa i përket deklaratës për mungesë demokracie, natyrisht e ritheksoj se duhet të rritet niveli i saj në çdo strukturë, dhe sistem referimi këtu marr vendet e perëndimit jo partitë politike në Kosovë shumica e të cilave vuajnë nga autoritarizmi dhe marrja e vendimeve me rendësi për vendin nëpër mejhane. Kujtoni Zanzibarin.

Express: Në bazë të rregullave të Lëvizjes, deputetët nuk janë pjesë e Kryesisë së Vetëvendosjes. A e ka nënshtruar kjo Grupin tuaj parlamentar, duke u hequr kështu deputetëve të drejtën e tyre të mendimit dhe veprimit - si të zgjedhur direkt të qytetarëve kosovarë?

Lama: Statusi i Lëvizjes Vetëvendosje është miratuar pas zgjedhjeve dhe kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kohës pasi ato u shpallën të jashtëzakonshme dhe LVV’ja nuk pati kohë të merrej as me zgjedhje të brendshëm e as statut. Sa i përket faktit që thoni ju, është e vërtetë që deputetët nuk janë pjesë e kryesisë përveç kryetarit të grupit parlamentar dhe kryetarit të Lëvizjes. Si të thuash ata bëhen bartës të politikave të subjektit tek ne. Krijimi i dy trupave disi të ndara sipas mendimit tim të cilin e kam shprehur që në fillim kur e kemi diskutuar statutin, do të vështirësojë funksionimin e subjektit, madje mund të shkojë deri aty sa të krijojë edhe një lloj rivaliteti apo padëgjueshmërie pasi deputetët janë të zgjedhurit e popullit dhe si pasojë janë votuar për të bërë politikat dhe zbatuar ato. Natyrisht që partia është një strukturë shumë më e gjerë sesa grupi parlamentar por mendoj se miksimi i tyre do të kishte qenë varianti më i mirë. Jam konsultuar edhe me subjekte të tjera të vendeve perëndimore të cilat kanë eksperiencë më të madhe dhe zakonisht ndodh që anëtarët e qeverisë dhe kryetarët e komunave të mos jenë pjesë e kryesisë për shkak të posteve ekzekutive, ndërsa deputetët nuk e kanë të ndaluar të jenë pjesë e kryesisë d.m.th. një pjesë e tyre mund të mos jenë pasi nuk zgjidhen, por nuk e kanë as të ndaluar. Nuk mund të përdor fjalën nënshtrim në lidhje me pyetjen që bëni ju, pasi është fjalë shumë e rëndë, por besoj se do ishim shumë më efikas në rast se statusi të ishte ndryshe. Së paku unë mendoj kështu, por Vetëvendosje është një subjekt i ri i cili do të mësojë dhe edhe nga eksperienca e vet. P.sh në lidhje me futjen e kuotës gjinore brenda partisë, më ka pëlqyer ideja që njëherë të shohim se si do të jetë pjesëmarrja e vajzave dhe grave pa kuotë, e në rast se do të jetë e ulët, do të vendoset kuota. Tani i kemi 25% dhe nuk jemi të kënaqur.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express....

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›