E Shtunë, 31 Tetor 2026

Macja e zezë e Vitit të Ri

Nga Eljan Tanini

Vjen një kohë, njeriu kërkon fisniken. Pasi nuk ka lindur me të, kërkon të bëhet fisnik me shkëlqimin e një fytyre të bukur dhe të qetë. Përpiqet për këtë, por më shumë nuk mund të jetë. Bën shumë për ta fituar atë, për t’u bërë si femrat, interesante. Kalojnë kohë dhe kërkon. Humb. Edhe në humbje do të bëjë festë, nuk rresht së humburi, shpik festa për t’u ndjerë sa më i bashkuar. Vjen një fund vit i shpifur, njerëzit kërkojnë të mblidhen për të festuar. Therin kafshët. Kurbani jonë nuk do të mund të marrë kurrë fund. Shpik një festë dhe e quan “Viti i Ri”. Sa festë e shëmtuar është! Do t’i japë fund çdo fundi. Kështu shpik një festë të fundvitit për të uruar fundin e tij. Lutet, shpik zota, feston lindjen e Zotit në një datë, datë fikse, ndërsa në një kohë jo-fikse ther kafshë të ndryshme, bën kurban një kafshë. Dy të kundërta, lindja dhe flijimi. Nga njëra anë respektojmë lindjen që megjithëse disa injorantë këtë e quajnë si Pashkë, dhe nga ana tjetër të tjerë bëjnë kurban. Se në atë Zoti i tyre do t’u falë mëkatet; që nuk dinë dhe nuk ia kanë idenë se përse theret një kafshë, për fli apo kurban, nga ku duhet të hanë mirë pas flijimit.

Përse duhen bërë kaq kurbane kafshësh, kur mund të bëhet vetëm një në një qendër besimi, në rastin tonë xhami, dhe mjafton me kaq? Mesazhi u përhap. A kanë faj kafshët për këtë? Po kafshët kur do t’i therin njerëzit? Ndoshta një ditë. Mund të jetë gjashta me gjashta nga pas...

Dëshiron në dhunë.

Politikanët dhe Politikanova në fundvit përdorin si arenë shtëpitë e fëmijëve jetimë. Ata kanë të drejtën e tyre. Është planifikuar çdo gjë. Të gjithë këta shkojnë vetëm për të uruar në një shtëpi jetimësh, vetëm atje. Atje gjithmonë bëjnë fushatën e radhës dhe marketingun e politikës.

Fundja, ku shkojnë tërë këto dhurata?! Sfilata e politikës së radhës nis dhe përfundon aty, gjithmonë vetëm në një shtëpi fëmijësh jetimë, a thua se nuk ka të tjera. Po fëmijët e tjerë, a ka fëmijë të tjerë në qytete të tjera që kanë dëshirë të marrin një dhuratë? Edhe atje ka jetimë. Plasin dhuratat, sa për të bërë shfaqjen e kostumeve të politikës. Media është e pamundur të mungojë.

Një nënë, nuk ka se çfarë t’i japë fëmijës së saj, asgjë dhe të vetmen të shenjtë të asgjësë sonë. I jep njëqind lekë, shkon poshtë pallatit te një ushqimore dhe blen një mandarinë. Ky është Viti i Ri për të.

Çfarë është kjo festë e fundit kaq e shëmtuar? Është vetëm një asgjë e madhe, ku njerëzit bëjnë si të pangrënë. Shoh gratë që pastrojnë, bëjnë si të marra për punët e fundvitit, lajnë pastrojnë, nderin rroba dhe lloj-lloj leckash në telat e ballkoneve. Të them të drejtën është e vetmja kohë, kur i shoh telat e ballkoneve të mbushura plot.

Pastrojnë shtëpitë e tyre, për t’iu treguar njerëzve se ne jemi të pastra. Pale, kur vijnë njerëz për vizita. Nuk mund ta kuptoj, vijnë për t’u kënaqur me ty, për të të parë si je, apo për të ngrënë një copë ëmbëlsirë dhe nëse i ke bërë punët e shtëpisë! Të gjitha këto injorantlliqe më mërzisin. Nuk i kam thënë askujt gëzuar për këtë fundvit, vetëm atij apo asaj që mendoj se vërtet ia vlen.

Autobusë të mbushur plot. Njerëz që flenë në autobus, mirë që nuk paguajnë as biletën.

Njerëz që stërmbushen me qese në duar, i shoh dhe mendoj sikur nuk kanë ngrënë një vit të tërë. Të jetë agjërim apo kreshmë vallë? Kështu mos i bën më mirë trurit të shqiptarëve. Por jo. Madje sikur nuk hanë fare, po ushqehen në këtë fundvit dhe po bëhen gati të hanë dhe të mbushin barkun edhe për vitin tjetër. E kështu cikli vazhdon. Edhe ajo familje që nuk ka të hajë, bën një pulë me disa patate sa për të thënë. Të tjerë gatuajnë, mbushin tryezat, shqepen duke ngrënë, mblidhen së bashku dhe nuk e dinë se pse! Thonë që ky ishte një vit i varfër, kjo të paktën kështu urohet për të qenë më i mirë tjetri.

Fillojnë urimet sa për të thënë.

Seç dalin disa “Gëzuar për shumë vjet!”

Ofertat dalin në treg. Çmimet nuk i merr vesh fare. Urimet dhe sms vazhdojnë. Për më keq kompanitë e telefonisë celulare nuk na ofruan asnjë paketë të dërgimit të sms falas. Ky është hapi i parë, për herë të parë drejt indiferencës, a thua të jetë harresë? Jo.

Njerëzit nuk të urojnë se duan të të urojnë, ata thjeshtë bëjnë urimin e radhës. Ky urim nuk vjen se dikush të do, apo thjesht u kujtua mirë për ty. Përsëri jo, është krejt e kundërta, unë po të uroj një Gëzuar, sa për të kaluar radhën, sa për të të shkuar ndërmend ty që unë gjoja nuk të harroj, unë gjoja të kam ndërmend: në urimet sipërfaqësore që bëjnë të gjithë vetëm gjoja. Shumë pak e sjellin urimin me dashuri.

Kanë frikë nga një mace e zezë, kujtojnë se po i kaloi ajo pranë, diçka e keqe do të ndodhë. Mua më pëlqejnë macet e zeza, janë krejt të pafajshme për ngjyrën që kanë dhe mallkimin historik që mbajnë. Njësoj është, macja e zezë ngjan me Vitin e Ri. Nga macja ke frikë, se do të eci ters rrugës dhe shpreson se duhet të kalojë dikush tjetër për ta prishur mallkimin idiot historik. Ndërsa te Viti i Ri, pret të vij fundi dhe fillimi. Te macja e zezë fillimi është takimi me të. Në qoftë se kalon përtej kufirit të zi, pret se ç’do të ndodhë. Edhe në Vit të Ri pret se ç’do të ndodhë, madje luten në lutjet e pas orës 12 e 1 minutë që t’iu shkoj më mbarë.

Pianoja e zezë e fqinjit tim me macen e po të njëjtës ngjyrë mbi të vazhdon të dëgjohet vetëm nga unë, megjithëse nuk banon më aty. Edhe kjo festë që njerëzit e duan kaq shumë është si macja e zezë, ajo të sheh dhe kalon para teje për të shkuar diku. Edhe kjo festë kalon para nesh duke shpresuar ne prej saj se në kalimin tjetër do të jetë më i mbarë.

Për mua e gjitha është një ritual, a nuk është i mërzitshëm të bëhet një i tillë çdo vit? Kush do ta dinte se edhe unë do të lindja një ditë?! Që nuk do të desha kaq shumë disa festa që mërzisin, marr nëpër mend si mund të jem pas disa kohësh duke m’u venitur gëzime që njerëzit i duan kaq shumë.

Por ne njerëzit jemi kanibalë, ne pëlqejmë shumë të pjekim të shkuarën tonë, të kënaqemi me të duke pirë dhe duke ngrënë. Pasi ka vdekur një vit i vjetër, që është duke dhënë shpirt rreth orës 12 e 00, e vdesim, e hamë me gatimet tona, presim një të ri për të ri-ngrënë përsëri. Humori tashmë është bërë traditë, që në këtë festë të shëmtuar të jetë për më shumë një festë e shëmtuar humori, programet televizive dhe vetë humori mezi mbahen, aktorët më duken si varfanjakë humori në teatrin e rrugëve. Mos të kujtojnë se janë aktorë apo artistë rrugësh, nuk do të desha t’i quaja të tillë, sepse ata janë më të talentuarit. A nuk është e mërzitshme të bësh të njëjtat gjëra çdo vit?

Tavolina duhet të jetë e mbushur plot.

Mos të rri e të flas për budallallëqet e tjera që disa rrinë në shtëpi për të festuar me familjen e tyre, apo që dalin me shoqërinë për të festuar, sikur nuk e janë parë me njëri-tjetrin prej kohësh. Kazanët e plehrave janë të tejmbushur. Kjo gjendje tejvazhdon ende mbas festës së shëmtuar. Aty ku jetoj, rrugët përpiqen ti zbukurojnë.

Çdo vit të njëjtat drita, në po të njëjtat vende. Kryeqyteti ku unë jetoj me një pemë të vogël përsëri në përsëri mban rekord për pemën më të vogël, ndërkohë që kryeqytetet e tjera evropiane mburren për pemët më të larta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›